Home Aktuale Satirizimi i figurës së Profetit, nuk është hajgare!

Satirizimi i figurës së Profetit, nuk është hajgare!

150
0
SHARE

Nexhmedin Saqipi

 

Revista satirike parisiene “Charlie Hebdo”, e cila, këtyre ditëve, u bë cak i sulmit terrorist, me satirat, karikaturat dhe humorin e saj të verdhë, kushtuar Profetit Muhamed, në mënyrë provokative ka irituar ndjenjat e milionave myslimanëve në botë.

Kjo që ka ndodhur në Paris, me revistën satirike “Charlie Hebdo”, s’ka dilemë se duhet gjykuar, por edhe këshilluar se nuk ka hajgare me figurat e shenjta, qoftë edhe ajo e profetit Muhamed a.s.

Qortimet e mikut thonë se janë këshilla. Prandaj, të tallesh, të ironizosh me karikatura tendencioze figurat e shenjta, nuk kemi të bëjmë me humor, që argëton, por me një ndjenjë fyese, poshtëruese, për myslimanët, kudo qofshin ata.

Nuk do të thotë se mbrohet as edhe me Ligj e as me Kanun, liria e shprehjes së mendimit të lirë dhe Kodit të gazetarit, nëse këto parime keqpërdoren për qëllime të caktuara, duke mbjellë përmes fyerjes karikaturale armiqësi ndaj Islamit dhe myslimanëve.

Porosia e karikaturave të revistës satirike “Charlie Hebdo”, e të tjerave të ngjashme si kjo, i zhveshin nga vlerat njerëzore portretet e profetëve dhe Islamit, duke u inkriminuar për terrorizëm e duke ngjallur islamofobizëm.

Sot në botë, është krejt normale të bësh humor me kryetar shtetesh, qoftë edhe me Obamën, përmes gjuhës së satirës dhe karikaturës, ngase i sheh e i njeh përmes paraqitjeve të tyre publike.

Por, si të ironizosh me karikatura figurat e shenjta, kur ato nuk i ke parë kurrë në jetë?!

Si të karikaturosh portretin e një profeti, që ti e imagjinon si diçka hyjnore e të del në revista i përqeshur, i tallur dhe i nënçmuar. Kjo nuk lejohet me asnjë normë njerëzore.

Madje të përfitosh nga satira në kurriz të të tjerëve edhe të atyre që pësuan me tragjedi, nuk është humane. Shih sa u shtua tirazhi i revistës satirike “Charlie Hebdo”, pas sulmit të redaksisë, që gjetën vdekjen me dhjetëra gazetarë dhe karikaturistë. Njerëzit presin në radhë për ta blerë revistën satirike milionëshe ekzemplarësh. A nuk është kjo komercializëm dhe revanshizëm?!

Askush nuk është kundër satirës dhe karikaturës. Ato i kanë vlerat e veta artistike, po sikur të vihen në shërbim të luftimit të veseve të këqija të njerëzve, të dukurive negative në shoqëri etj.

Në sistemin e Komunizmit, ka ekzistuar delikti verbal, me të cilin janë dënuar ata që kanë prekur dinjitetin e ndonjë personaliteti, e sidomos të kryetarëve të shteteve.

Më kujtohet, në kohën e regjimit të Millosheviqit, një gazetar nga Bujanoci, ka pas shkruar një satirë me titull: “Me shajkaçe në Evropë”, në vitin 1994. Autori i vjershës u mor në të të ashtuquajturat biseda informative nga punëtorët e sigurimit shtetëror, me ditë të tëra, më pas u nxor në gjyq, dhe për pesë vjet rresht, sa zgjati gjykimi, iu ndalua e drejta për punësim dhe dalje jashtë shtetit.

Në atë kohë Beogradi dhe shtypi qeveritar serb kërkonte të dënohet autori i satirës “Me shajkaçe në Evropë”, me akuzën se ka tallur dhe qesëndisur popujt dhe pakicat kombëtare në Serbi, duke e krahasuar atë me Salman Ruzhdiu jugosllav.

E mora këtë shembull për të treguar se sa janë të dhembshme satirat e karikaturat, kur ato prekin ndjenjat e njerëzve, prandaj nuk duhet ato të vihen në shërbim të urrejtjes, dhunës dhe hakmarrjes.

Po, ua përkujtojmë se profeti Muhamed a.s. dhe Islami, na kanë mësuar dhe na mësojnë për të drejtat e njeriut, se si duhet të luftohet diskriminimi racor, gjinor dhe etnik. Ata na mësuan e na mësojnë se ç’kuptim ka liria e shprehjes dhe na mësojnë si ta duam tjetrin dhe ta respektojmë bindjen dhe besimin e tij.

Për fund një si konkludim: Ti lamë anësh hasmëritë urrejtjet dhe ta ndjekin rrugën e paqes, dashurisë dhe promovimit të vlerave njerëzore ngase kjo është edhe porosia e Islamit dhe profetit Muhamed a.s.

(Autori është kryetar i BIPBM-së dhe kryeredaktor i revistës “Jehona”, të vetmit medium të shkruar në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës)