Home Aktuale Rexhepi: Mos merrni rrugën e migrimit, s’ka azil për kosovarët!

Rexhepi: Mos merrni rrugën e migrimit, s’ka azil për kosovarët!

10
0
SHARE

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i ka ftuar qytetarët e Kosovës të mos marrin rrugën e migrimit ilegal drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe kësisoj të bien viktimë e grupeve kriminale të trafikimit.

Ai ka thënë se asnjë prej vendeve të BE-së nuk japin azil për qytetarët e Kosovës sepse këtë vend e konsiderojnë të sigurt. Në një intervistë për “Epokën e re”, Rexhepi ka deklaruar se qytetarët e Kosovës po bien pre e dezinformimeve edhe nga mediet.

“Për shumicën e shteteve të BE-së Kosova është vend i sigurt dhe është në listën e bardhë.
Pra, nuk ka as diskriminim politik e as etnik dhe situata e sigurisë është e mirë. Kështu që, gjasat për të fituar dikush nga qytetarët e Kosovës azilin janë gati të pamundshme, mos të them 100 për qind të pamundshme, por me promil nuk ka kush që e fiton azilin. Ato vende nuk japin azil sepse nuk kanë arsye. Kështu që, qytetarët janë viktima të dezinformimeve dhe të mashtrimeve të ndryshme”, ka thënë Rexhepi. Ai ka thënë se shteti i Kosovës po bën çka është e mundur në ndjekjen e individëve që po organizojnë trafikimin e emigrantëve.

Sipas tij, grupet kriminale që bëjnë transportimin nëpër territorin e Serbisë deri në Hungari janë multietnike. Prandaj, për këtë ai ka fajësuar edhe neglizhencën e autoriteteve serbe.

“Ne kemi kërkuar nëpërmjet EULEX-it dhe Brukselit t’i bëjnë presion Serbisë sepse këta trafikantë pa bashkëpunëtorët e tyre në Serbi nuk do të mundin për t’i transportonin migrantët prej territorit të Serbisë në Hungari. Tekefundit, ky është edhe obligim i Serbisë, sepse të gjithë këta migrantë ilegalë kalojnë prej territorit të Serbisë në një vend të zonës Schengen qysh është Hungaria dhe ata e kanë obligim për të ndërmarrë masa që t’i ndalojnë këta njerëz”, është shprehur Rexhepi, duke shtuar se deri më tani autoritetet serbe nuk kanë bërë asnjë veprim në këtë drejtim.

“Serbia nuk është e interesuar të bashkëpunojë për ta parandaluar këtë fenomen. Asnjëherë deri tash nuk ka pasur ndonjë veprim për të bashkëpunuar në parandalimin e trafikimit ilegal me migrantë”, ka thënë Rexhepi.

Kreu i MPB-së ka bërë me dije se ky fenomen e dëmton rëndë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ky fenomen natyrisht se Kosovën e dëmton në procesin e integrimit evropian, sidomos në liberalizim të vizave ka ndikim direkt. Pavarësisht se ne gati të gjitha kushtet teknike i kemi plotësuar, numri i madh i azilkërkuesve e vonon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Rexhepi. /Epoka e re/