Home OPIONIONE “Racistët e Shqipërisë së Madhe”

“Racistët e Shqipërisë së Madhe”

99
0
SHARE

Xhemal Ahmeti-Serbët dhe në Maqedoni e kanë bërë ritual të përditshëm që mediave dhe politikës të fyejnë shqiptarët në identitet dhe qenien e tyre. Të fundit sillen jashtëzakonisht të emancipuar në këtë drejtim. Megjithatë ndëshkohen heshtësit e jo prodhuesit e racizmit

Gjermanët e sotëm edhe sot e kësaj dite kanë frikë ta çojnë flamurin e tyre se saora i akuzojnë të kenë nostalgji për nazizmin. Bota i ka zënë peng për një gabim dhe krim të madh që gati një gjeneratë e bëri në vendin e Goethes. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës shqiptarët duket të përbëjnë paralelen.

Ndërkombëtarët e ardhur nga vendet perëndimore ku flamujt i bartin në qafë edhe pulat e derrat dhe në jo pak vende ksenofobët janë partia shumicë gati përditë ua zënë frymën shteteve shqiptare të kenë kujdes me ndezjen e emocioneve nacionaliste në masë. Qeveritë dhe mediat shqiptare pa dyshimin më të vogël dhe nëpërmjet studimeve të ndryshme janë më të çliruarat në këtë drejtim. Dhe shumë mirë kështu. Jo se u thonë tjerët porse kështu duan edhe shqiptarët. Kjo mirëpo nuk mund të thuhet për fqinjët e shqiptarëve.

Sot në mëngjes herët pashë postimin e mikes sime, menaxheres së Teatrit Shqiptar të Shkupti Anita Latifi, një film i plasuar në youtube nga Telivizioni Kombëtar i Maqedonisë (MTV 2 – https://www.youtube.com/watch?v=nw6XjqJ_P8w#t=256). Ishte një komedi tipike raciste antishqiptare.

Rolin e shqiptarit kush tjetër thuhej se e luan po një shqiptar i Shkupit. Pjesa glorifikonte pendrekun dhe policinë e shtetit dhe parodizonte shqiptarin si të paarsimuarin, idiotin, të cilit vetëm bishti i mungonte dhe të cilin vetëm dhuna e zbut. Ajo e policit trim joshqiptar. Komedia mund të kapërdihej lehtë sikur të mos ishte e përditshmja, “normalja” ndaj shqiptarëve.

Jo vetëm në vendin e paemër të Gruevskit, por më shumë edhe në Serbi. Pas skandalit të UEFA-s, duken sikur shtetet fqinje të kenë marrë një lloj lejeje për të kërkuar “vrasjen e shqiptarëve” nëpër media, nëpërmjet primatëve të tyre kryesorë politikë, duket sikur mesazhin e Koçijançiçit të BE-së ta kenë pranuar si liçensë për të fyer shqiptarët edhe në TV-të e tyre publike e gjithandej.

Domosdo ata do të humbin se racizmi kurrë kujt nuk i bëri mirë në Histori, mirëpo çështja që mbetet e hapur tash është pse askush nuk reagon, nuk demaskon këto akte të përditshme raciste kundër shqiptarëve, kësaj radhe të Maqedonisë e për çdo ditë ndaj simboleve e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë në Ballkan.

Se pse heshtin instancat ndërkombëtare dhe nuk ndëshkojnë (ose ndëshkojnë të linçuarit publikisht) le ta tregojnë ata,. Ndërkaq se pse heshtin shqiptarët e dimë: kanë frikë nga ndërkombëtarët mos i akuzojnë si shovinistë, që siç shihet as që mund të jenë fare.