Home Aktuale QSA filloi implementimin e projektit “Përkrahja dimërore 2014”

QSA filloi implementimin e projektit “Përkrahja dimërore 2014”

63
0
SHARE

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) në Preshevë në vazhdën e aktiviteteve të saj të rregullta, këtyre ditëve filloi implementimin e projektit “Përkrahja dimërore”. Projekti ka për qëllim furnizimin me lëndë djegëse me nga 5 m3 drunj, familjeve në nevojë në vendbanimet e komunave Preshevë dhe Bujanoc. Përmes projektit do të përfshihen 250 familje përfituese.

Sasia e drunjëve të dorëzuara familjeve në nevojë, paraqet minimumin e nevojshëm për të ngrohur një ambient gjatë stinës së dimrit, me të cilën sasi mund të hyhet në stinën e dimrit. Në buxhetin familjar, kjo ndihmë zë vend të rëndësishëm, pasi mjetet financiare të dedikuara për blerjen e drunjëve, këto familje mund t’i dedikojnë për nevoja tjera.

Familjet përfituese përzgjidhen sipas kritereve të cilat QSA është duke i zhvilluar ndër vite, ku përparësi kanë familjet në varfëri të skajshme, fëmijët jetimë, familjet me persona me aftësi të kufizuara, familjet të cilat për shkaqe të befasishme nuk kanë arritur deri më tani të sigurojnë drunjtë për dimër etj.

Vlera e projektit kapë shumën prej 50,000 eurosh dhe mbështetet financiarisht nga organizata gjermane “Muslime Helfen” – organizatë partnere e QSA-së.

QSA është e para ndër të gjitha organizatat joqeveritare në mbarë trevat shqipfolëse në Ballkan, që është duke e realizuar këtë projekt dhe njëherit ka shërbyer si model për organizatat tjera, që t’a bëjnë të njejtin aktivitet.

Ky është viti i dytë që QSA është duke e implementuar këtë projekt. I njejti projekt është duke u implementuar nga QSA në Kumanovë, përmes të cilit do të përfitojnë 90 familje nga komuna e Kumanovës dhe Likovës në nevojë, nga 6 m3 drunj.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit
Departamenti i Solidaritetit