Home OPIONIONE Pushtuesit dhe udhëheqësit kombëtarë

Pushtuesit dhe udhëheqësit kombëtarë

14
0
SHARE

Blerina Rogova Gaxha

Heronjtë e humbur të tokës sonë janë gjithkund. Është e pamundur të kuptosh se në ç’nivel ka depërtuar rrena në këtë sistemin tonë. “Vëllai i madh” shqiptar thotë se të korruptuar nuk janë njerëzit, por sistemi.

Po kush e përbën sistemin o bacë? Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë paturpësinë. Hajde të gjejmë disa njerëz seriozë që të qeverisin. Le t’i gjuajmë shamitë në oborrin e qeverisë, le t’i heqim azbestët. Le t’i bëjmë të gjithë qeveritarët të zhvishen e të pastrohen. Nga rrena e nga mëkatet. Le të zhvishen e të pastrohen. Secilin le ta zhveshim individualisht derisa të mësojë të rrëfejë dhe të mos rrejë. Le të pastrojmë partitë e vjetra e partitë e reja dhe të nxisim gara të egra. Le t’i bëjmë të pastrohen derisa të mësojnë të rrëfejnë.

Udhëheqësit i kemi pasur gjithmonë të huaj, si mund të jenë udhëheqësit kombëtarë kaq të zinj!  Le të zgjedhim heronj seriozë, gjeneralë seriozë, të përulur seriozë dhe t’i mësojmë të flasin shqip. Le t’i bëjmë të gjithë rrenacakët me atë gojëtarinë e shpifur, të shohin veten, të luten, të rriten dhe të mësojnë të flasin shqipen. Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë pafytyrësinë. Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë paturpësinë. Le ta bëjmë për fëmijët, për prindërit, për gjyshërit dhe për të gjithë varret që s’i viziton kush. Për të gjitha varret që s’ekzistojnë. Le ta bëjmë për të gjithë shqiptarët që dirgjen tokave të huaja. Shqipja nuk është gjuhë që Zoti e ka përdorur për të urdhëruar engjëjt, por nuk është as gjuhë që të përdoret për të vjellë ‘vrer’. Shqipja nuk është gjuhë as për të ngritur në qiell një fe. As për ta futur në dhe një akademi shkence.

Shqipja nuk është gjuhë rrugaçësh. Le të pastrohen bashkë me shtetin edhe gjithë ata shkencëtarë rrugaçë, edhe gjithë ata fetarë të shenjtë e shejtanë. Le të “shesim” tokë e të blejmë tokë. Le të shesim male e lumenj. Le të shesim gurë të çmuar e të nisim të “pjellim” naftë. Le ta zhvillojmë turizmin, por para kësaj të rrëfehemi e të mos flirtojmë fëlliqtë. Pastaj le të thonë çfarë të duan. Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë pafytyrësinë, për gjithë paturpësinë, për të gjitha ato që secili i këtij vendi ka luftuar dhe e meriton t’i besojë. Më në fund le ta bëjnë një grusht shteti për ata që i bashkoi rrena popullore! Pastaj le të thonë çfarë të duan.

LEAVE A REPLY