Home Aktuale Prishtinë, promovohet kolana “Zani i Naltë” dhe shfaqet dokumentari “90 vjet Zani...

Prishtinë, promovohet kolana “Zani i Naltë” dhe shfaqet dokumentari “90 vjet Zani i Naltë”

116
0
SHARE

Ditën e hënë me dt. 24 nëntor 2014, është promovuar botimi i Vëllimit të Parë të Kolanës “Zani i Naltë”, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në Prishtinë.

Aktiviteti  organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë ka mbledhur dhjetëra intelektualë, akademikë dhe studiues nga Prishtina, të cilët kanë qenë pjesë në këtë mbrëmje solemne kushtuar revistës “Zani i Naltë”, themeluar në vitin 1923, si organi i parë zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Në këtë aktivitet morën pjesë tre krerët e Bashkësive Islame Shqiptare, z. Skender Bruçaj kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Naim Tërnava Myfti i Kosovës, H. Sulejman Rexhepi kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, dekanët e fakulteteve të Shkencave Islame të Prishtinës dhe Shkupit, Drejtori i Kulturës dhe i revistës “Zani i Naltë” z. Genti Kruja, Drejtori i Thirrjes dhe i Mesazhit Islam në KMSH z. Elvis Naçi, Drejtori i Kabinetit në KMSH z. Oltion Kola, drejtues të lartë të Bashkësive Islame të Kosovës dhe Maqedonisë, myfti, drejtues shoqatash, përfaqësues të medias, etj.

Tre kryetarët e Bashkësive Islame vlerësuan lart rolin e themeluesve të kësaj reviste, duke theksuar se ata patën një kontribut të madh në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava, tha se themelimi i revistës “Zani i Naltë” është një nga vendimet me madhore intelektuale të Kongresit Mysliman Shqiptar, i cili nxori edhe vendime tjera, që u bënë themel i fortë dhe i qëndrueshëm për zhvillimin e jetës fetare, arsimore e kulturore të vendit.

Ai tha se vetëm duke njohur të kaluarën, mund të ndërtojnë të ardhmen e vendit.

“Revista “Zani i Naltë” i mbeti besnik gjatë gjithë misionit të saj për plot 16 vjet. Ajo mbeti model i fjalës së shkruar në gjuhën shqipe, nxori dhe rriti shumë pena të spikatura, që lanë gjurmët e tyre jo vetëm në letrat në gjuhën shqipe, por ajo promovoi personalitete të cilët me vonë do t’i gjejmë në krye të institucioneve të ndryshme fetare e shtetërore”, tha Tërnava.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj ndër të tjera tha se, “Gjatë 16 viteve të jetës së saj ajo botoj një seri artikujsh që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore nëpërmjet të cilës pasurohet edhe mendimi teologjik shqiptarë gjatë periudhës së pavarësisë. Kjo revistë pati një rëndësi shumë të madhe jo vetëm në edukimin islam të popullatës shqiptare, por ajo zgjoi edhe ndjenjën e patriotizmit dhe ngritjen arsimore e kulturore të popullit shqiptar”, tha kryetari Bruçaj.

Ai shtoi gjithashtu se, “Kolana Zani i Naltë është një tribunë shekullore, ku penat e shquara të kohës shpalosën mendimet dhe zgjidhjet e tyre për problemet e shoqërisë shqiptare. E këto vlera të shkruara që na lanë trashëgim neve, i takon studiuesve që të hulumtojnë dhe të nxjerrin mësime të dobishme prej tyre, për shumë problematika që e ruajnë akoma aktualitetin e tyre.

Unë uroj që sot revista Zani i Naltë, si vazhdim i kësaj tradite të ketë sukses dhe i ftoj të gjithë studiuesit dhe akademikët, që t’i bashkëngjiten kësaj tribune të dijes, e cila u themelua gati një shekull më parë.”

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë H. Sulejman Rexhepi tha se, “revista “Zani i Naltë” ka qenë dhe mbetet edhe sot, kontribuues në rolin e vet në shtimin e diturisë dhe emancipimit të popullit shqiptar”.

Ai tha gjithashtu se, “revista “Zani i Naltë”, ka kontribuar për interesat e popullit shqiptar, edhe sot ky promovim bëhet në ditët ku përkujtohet Kongresi i Manastirit dhe në pragun e festës gjithëkombëtare të 28 Nëntorit.”

Për rëndësinë e revistës ‘Zani i Naltë’ foli gjithashtu edhe z. Resul Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili tha ndër të tjera se, “revista ‘Zani i Naltë’ nuk ishte ndryshe pos projekt i kolosëve të binomit fe e atdhe.

Pikërisht për këtë nuk na habit edhe fakti se, themeluesit dhe penat e para të revistës “Zani i Naltë” qenë pjesëmarrës aktiv dhe patën rol kryesor në shpalljen e pavarësisë”, tha Rexhepi.

Ndërsa Drejtori i revistës “Zani i Naltë” dhe njëkohësisht Drejtor i Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Genti Kruja tha se, “Aktivitete të tilla si ky i sotmi, marrin një rëndësi të veçantë për arsye se tregojnë edhe një herë para mbarë opinionit publik, se rruga jonë është dhe duhet të jetë gjithmonë rruga e dijes dhe e urtësisë, e librit dhe e kulturës, si një hallkë lidhëse dhe e vazhdueshme në zinxhirin e hapave dhe gjurmëve që na lënë hoxhallarët dhe dijetarët tanë të urtë e të ditur, paraardhësit dhe prijësit tanë myslimanë, të cilët ishin edhe plejada e fundit e rilindësve shqiptarë, të cilët me përkushtimin, devotshmërinë dhe punën e tyre bënë që ne sot pas shumë vështirësive, luftërave dhe persekutimesh nga më të egrat që ka parë shekulli XX, të trashëgojmë një pasuri të rrallë kulturore dhe studimore siç është edhe “Zani i Naltë”, një zâ, një zë kumbues i të vërtetës së pandryshueshme dhe të përhershme të dijes dhe mesazhit që ai përcjell, nën dritën e pashtershme të fjalës së parë hyjnore të librit të fundit qiellor Lexo”.

Vëllimi i Parë i Kolanës “Zani i Naltë”, vjen si faksimile e origjinalit në gjuhën zyrtare të viteve ’20-’30 të shek. XX dhe ka gjithsej 720 faqe. Kolana e plotë përbëhet prej 10 vëllimesh dhe do të ketë gjithsej rreth 5.000 faqe.

Pas përshëndetjeve dhe kumtesave, aktiviteti ka vijuar me transmetimin e dokumentarit “90 vjet Zani i Naltë”, prodhim i KMSH-së, i cili pas transmetimit si premierë në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe transmetimit në disa televizione të Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë ai është transmetuar edhe në Prishtinë.

Tre kryetarët e Bashkësive Islame Shqiptare kanë qenë të ftuar gjithashtu edhe në RTV (Radio Televizionin e Kosovës), ku krahas temave të tjera, është folur edhe për revistën “Zani i Naltë”.

 

KMSH i dhuroi një sasi librash “Zani Naltë”, revistat “Zani i Naltë” dhe “Drita Islame” për bibliotekën e bashkësisë islame të Kosovës dhe Fakultetit të Shkencave Islame./Drita Islame-Lugina Press/

zani-nalte-prishtine-1 zani-nalte-prishtine-2 zani-nalte-prishtine-3 zani-nalte-prishtine-5 zani-nalte-prishtine-6