Home LAJME Portreti i asamblistit Deli Balidemaj

Portreti i asamblistit Deli Balidemaj

189
0
SHARE

Deli Balidemaj është lindur më 27 Korrik të vitit 1967 në Martinaj, komuna e Plavës. Ai është ndër shqiptarët e rrallë në Gjermani që në mënyrë aktive merret me politikë. Deliu aspiron dhe dëshiron të jetë një shëmbull për brezat e rinj.

Në vitin 2013 regjistrohet në Partinë e të gjelbërtve (Die Grünen), parti e cila u kushton rëndësi të veçantë çështjeve të ambientit, çështjeve sociale dhe të drejtave të njeriut.

Paralelisht me punën në drejtorinë e arsimit në Mynih, ai ndihmon në organizimin e fushatave zgjedhore dhe aktiviteteve politike të të Gjelbërtve. Fillimisht si anëtar bordi në detyrën e anëtarit te kryesisë e më pas kandidohet me sukses për parlamentin e Oberbajernit. Në mars të vitit 2014 ai arrin të zgjidhet edhe asamblist në këshillin e rrethit München Milbertshofen-Am Hart, ku edhe zgjidhet nënkryetar i dytë i kësaj asambleje si edhe përfaqësues për të huaj.

Deliu është ndër shqiptarët e rrallë në Gjermani që në mënyrë aktive merret me politikë. Megjithatë, për të kjo është diçka vetëm simbolike. Ai me këtë dëshiron të inkurajojë brezat e rinj se politika është jo vetëm reale por edhe e kapshme!

“Ky është një nder dhe detyrë e madhe per mua. Para së gjithash dua të jem një shëmbull për gjeneratat e reja dhe dua të kontribuoj në të mirë të kësaj shoqërie. Ne jemi pjesë e këtij vendi! Jemi pjesë e Gjermanisë, dhe kemi të drejtën e votës si të gjithë qytetarët e tjerë. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të harrojmë vëndlindjen! Përkundrazi, këtë gjë duhet ta kuptojnë dhe ta kenë gjithmonë parasysh bashkëkombësit e mi.”

“Të jesh i huaj nuk është e lehtë pasi ballafaqohesh me situata nga më të ndryshmet dhe sigurisht mund të përfshihen edhe rreziqe. E rëndësishme është që së pari të kapërcehen paragjykimet!”

“Neve nuk duhet dhe nuk mund të mohojmë kurrë prejardhjen tonë. Zemra ime i takon tokave shqiptare. Megjithëse unë jetoj në Gjermani si emigrant, pretendoj të kem një shans më shumë për t’u pëlqyer nga masa dhe këtë e shoh si shans e jo si pengesë.

Është e nevojshme që nganjëherë t’i theksojmë aspektet pozitive. Unë personalisht mund të them se kurrë nuk kam patur ndonjë pengesë apo problem kur kam theksuar se Kosova është shteti im i origjinës. Fillimi nuk ishte i lehtë pasi ndikoi mungesa e njohjes së gjuhës, mungesa e njohurive të ligjeve si dhe u përballa me një kulturë tjetër. Sigurisht që në fillim ka patur probleme por duhen kapërcyer paragjykimet. Të tilla paragjykime ka kudo edhe midis nesh.”

Deliu shpreh bindjen e tij se Shqiptarët që janë rritur jashtë vëndit dhe janë aktivë në politikë dhe në fushat e tjera, mund të sjellin vetëm gjëra pozitive për vëndet e prejadhjes me një përkushtim dhe punë të madhe!

“Së pari, krijohen marrëdhënie mes njerëzve dhe shteteve dhe së dyti formohen njohuri dhe pikëpamje nga një këndveshtrim tjetër se si funksionon Gjermania dhe politika gjermane. Kjo pikëpamje u mungon shpesh politikanëve Shqiptarë. Ata janë të rrënjosur thellë në strukturat ekzistuese apo të trashëguara dhe nuk mund ose nuk duan të shohin jashtë “rrethit të tyre”. Mendoj se avantazhin që kam fituar në Gjermani, unë mund ta përdor duke mbështetur projekte të cilat kontribuojnë për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes Gjermanisë dhe Kosovës.”

“Unë them shpesh se Shqiptarët kanë më shumë gjëra pozitive dhe të mira për të ofruar, e jo vetëm kriminelë dhe njerëz të dhunshëm. Shqiptarët këtu në Gjermani janë të vetëdijshëm se vetëm me punë dhe me përkushtim mund të arrijnë rezultate. Unë jam çdo herë i gatshëm për të biseduar rreth mundësive dhe ideve te reja të cilat do të avanconin pozitën e bashkë atdhetarëve në Gjermani dhe pres gjithashtu reagime, propozime si edhe kritika nga të gjithë bashkë kombësit.”

“Arsimimi, puna e ndershme, respekti dhe mbi të gjitha familja e ngritur janë themelet për një të ardhme të suksesshme. Çdo shqiptar që jeton në Gjermani duhet të ketë parasysh që ai nuk prezanton vetëm veten por e ka për detyrë të përfaqësojë edhe vëndin e tij. Mendimet e ndryshme nuk duhen parë negativisht pasi na bëjnë të reflektojmë! Vetëm të bashkuar do të mundemi të arrijmë qëllimet madhore! (Besnik Rama – Anëtar i Federatës së Gazetarëve të Bashkimit Europian)./nacionalalbania.al/