Home Aktuale Plagoset një polic i Novi Sadit nga një shqiptar i Kosovës

Plagoset një polic i Novi Sadit nga një shqiptar i Kosovës

99
0
SHARE

Sekretari shtetëror i Ministrisë së brendshme të Serbisë, Vladimir Bozhoviq, sipas mediave serbe, ka njoftuar se në Novi Sad është plagosur polici Ivan Miçiq (25-vjeç), nga një person me pasaportë të Kosovës.

Duke folur për rastin që ka ndodhur dje rreth orës 12:15, Bozhoviq ka sqaruar se, derisa polici ka qenë në detyrë zyrtare, ka ardhur deri tek shkëmbimi me armë zjarri.

Ai ka shtuar se bëhet fjalë për shqiptarin S.I. (58-vjeç), i cili, sipas tij, ka hyrë në territorin e Serbisë me dokumente të Kosovës si dhe me makinë gjithashtu të Kosovës.

Bozhoviq thotë se, sipas informatave që posedon, sulmuesi thjeshtë ka përdorur armën e zjarrit dhe ka shtënë në drejtim të policit Miçiq i cili, edhe pse i plagosur, ka shtënë në sulmuesin duke e plagosur atë.

Edhe i plagosuri shqiptar, me inicialet S.I., gjendet në qendrën mjekësore në Vojvodinë, dhe gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Sulmi ndaj policëve është sulm ndaj shtetit dhe ndaj të gjithë qytetarëve të Serbisë”, ka thënë Bozhoviq dhe ka shtuar se Ministria e Brendshme dhe shteti do të reagojnë ashpër ndaj çdo sulmi të tillë apo tentim sulmi.