Home LAJME Piloti kosovar i një aeroplani pa motor

Piloti kosovar i një aeroplani pa motor

45
0
SHARE
Veton Breznica futet në radhët e atyre personave që ëndrrat e fëmijërisë i kanë bërë realitetit. I nxitur nga dëshira e një 5-vjeçari, Vetoni sot është i diplomuar në Akademinë e “ Cranwell”-it si oficeri i parë kosovar i trajnuar nga “Royal Air Force Air Cadets”.

Karriera prej piloti, i ka dhënë atij kontrollin e jetës, dhe vetëbesimin për të përballuar çdo sfidë me të cilën do të ballafaqohet. Për këtë arsye Vetoni tashmë dëshiron që të njëjtin fat t’ua përcjellë edhe gjeneratave të reja të Kosovës duke themeluar shkollën për aviacionin civil.

Në një intervistë realizuar nga Dita kohë më parë, ai tregon se si një nxënës shembullor në shkollën fillore, ishte pranuar në tri shkolla të mesme. Duke pasur mundësi të zgjedh nga dy shkollat më të mira të Prishtinës, “Sami Frashëri” dhe “Eqrem Çabej”, Vetoni kishte zgjedhur një shkollë me më pak emër si shkolla teknike, degën e aviacionit civil.

“Shokët dhe familja habiteshin me zgjedhjen time. Mirëpo unë kisha idetë e qarta dhe atë se çfarë dëshiroja të arrija”, tregon Breznica. Në fakt, vendimi i tij për të zgjedhur këtë shkollë para shkollave tjera iu shpërblye një ditë. Në vitin 2007, në Prishtinë, vjen eksperti i aviacionit të USAID-it dhe oficeri rezervë i kadetëve ajror të Forcës Mbretërore, David Bilcliffe, për të na mbajtur një ligjëratë. Aty ëndrra ime filloi të bëhej realitet”, shpjegon më tutje ai.

“Pas shumë hulumtimeve erdhëm në përfundim që të bëjmë një projekt për themelimin e një shkolle të aviacionit civil. Qëllimi nuk është që të krijohet forcë ajrore mirëpo më shumë një organizatë apo shkollë qendrore të fluturimit e cila ju ofron mundësi të rinjve prej moshës 13 deri 21 vjeç për të fluturuar dhe për të marrë njohuritë bazike të aviacionit civil. Pastaj në bazë të aftësive të tyre ata do të mund edhe të avanconin këtë fushë”, shpjegon 25-vjeçari.

Veton, cila është lidhja juaj me fluturimin?

Fluturimi në përgjithësi për mua është shumë i veçantë. Që nga një moshë e re kam ëndërruar të fluturoj. E me shumë vullnet, përkushtim dhe punë, përkundër vështirësive të shumta, tashmë veçse kam filluar realizimin e kësaj ëndrre.

Kur e keni realizuar fluturimin e parë si pilot?

Me 27 gusht 2009 në orën 14:39 (British Summer Time) kam fluturuar për herë të parë si pilot i vetëm me aeroplan pa motor në Shkollën Qendrore të Fluturimit të Kadetëve Ajror të Mbretërisë së Bashkuar. Ky fluturim erdhi si rrjedhojë e kalimit me sukses të të gjitha testimeve të tjera teorike e praktike.

Cili është shkollimi që ju keni kryer dhe pse zgjodhët të bëheshit pilot? Na tregoni pak, çfarë do të thotë të jesh pilot i një avioni pa motor?

Gjithnjë e doja fluturimin. Është ajo ndjenja e mrekullueshme e të qenurit atje lartë, ajo ndjenjë pavarësie, vetëbesimi dhe njëheraz qetësia që mbretëron gjatë tërë fluturimit me aeroplan pa motor që e bën fluturimin të jashtëzakonshëm. Në fakt është pothuajse e papërshkrueshme! Në Mbretërinë e Bashkuar i kanë 45,000 kadetë ajror për çdo vit. Pse kaq shumë? Sepse ky koncept inkurajon interesimin në aviacion, zhvillon rininë duke iu ofruar një program trajnimi të sprovuar botërisht dhe në fund jo vetëm që prodhon aviatorë, një rini më të shëndoshë e të motivuar por edhe liderë të ardhshëm të vendit siç edhe ishte rasti me Lord Roberston i cili ishte kadet ajror por në fakt ai nuk u bë pilot, u bë Sekretari Gjeneral i NATO-s, apo edhe Captain Chesley Sullenberger i cili ateroi në Hudson river me aeroplanin e tij të linjave ajrore me motorët e fikur nga aksidenti që pësuan në ngritje e sipër.

Na tregoni eksperiencat tuaja të deritanishme?

Si adoleshent kur nuk kisha mundësi për të fluturuar isha i dhënë pas simulatorit të fluturimit. Si 19-vjeçar, pas një vit përkushtimi tejet të lartë, unë u shpalla kampion botëror virtual i “Red Bull Air Race World Series”. Si shpërblim më ftuan në garën e radhës në Budapest si mysafir VIP ku unë takova pilotët e garës së vërtetë dhe u inspirova nga fluturimet akrobatike të tyre.

Si 20-vjeçar u përzgjodha Ambasador për aviacion i Kosovës. Ndër tjerash isha i ftuar edhe tek rezidenca e Kryeministrit Britanik në “Nr. 10 Downing Street”. Në të njëjtin vit realizova fluturimin e parë solo. Gjithashtu u shpalla anëtar nderi i skuadronit 643 të fluturimit.

Si 21-vjeçar isha një ndër themeluesit e projektit të kadetëve ajror të Kosovës misioni kryesor i të cilit është prodhimi i gjeneratës së ardhshme të aviatorëve profesionistë siç edhe është rekomandim nga ICAO (International Civil Aviation Organization) dhe prodhuesi i aeroplanëve Boeing.

Si 23-vjeçar përfaqësova aviacionin e Kosovës në Toulouse të Francës ku edhe anëtarësova Kosovën si shtetin e parë nga Ballkani në asociacionin “International Air Cadet Exchange” që tubon Forcat Ajrore, Federatat Aeronautike, e Kadetët Ajror nga e mbarë bota (http://www.iacea.com/official-members-list).

Si 24-vjeçar përfaqësova aviacionin e Kosovës në SHBA ku edhe isha i ftuar në Pentagon (dhe besoj se jam shqiptari më i ri të jetë ftuar aty ) në Bazën e Forcës Ajrore Amerikane Langley etj. Gjatë të njëjtit vit Federata e Sportit Ajror Shqiptar më autorizoi që ta përfaqësoj edhe aviacionin e Shqipërisë kësaj radhe në Stamboll të Turqisë. Rezultati ishte i suksesshëm pasi që edhe Shqipëria u bë anëtare në këtë asociacion me renome botërore.

Tani, 25-vjeçar jam Kosovari i parë i diplomuar nga Akademia e Royal Air Force Air Cadets në Cranwell si Pilot Oficer dhe Pilot Instruktor me aeroplanët pa motor.

Cilat janë ambiciet tuaja në këtë fushë?

Unë dua që vështirësitë që i kisha dhe vazhdoj t’i kem në formimin tim si një aviator profesionist, të mos i kenë gjeneratat e ardhshme. Mua në vend se të mendoj për mësime më është dashur të mendoj se si të krijoj një mundësi fluturimi apo një institucion që merret me aktivitete të tilla de fakto një shkollë qendrore të kadetëve ajror për fluturim e që nuk ekzistojnë në dy vendet tona. Kjo natyrisht që kërkon shumë punë, vullnet e përkushtim për t’ia dal mbanë. Andaj, unë shpresoj se vera e vitit të ardhshëm, me ndihmën institucionale të qeverive tona, do ta gjej rininë Kosovare dhe Shqiptare në qiell duke fluturuar me aeroplanët pa motor sikur shqiponjat. Më tutje, unë e kam për qëllim që të vazhdoj fluturimet duke arritur nivelin e një piloti akrobatik/sportiv si dhe pilot komercial i linjave ajrore.

Si është dita e një aviatori?

Unë mundohem që të shfrytëzoj në maksimum ditën time andaj zakonisht zgjohem në orën 4 të mëngjesit. Shkoj në fitness/gym, në punë, e mandej realizoj takime me përfaqësuesit tanë të qeverisë duke kërkuar mbështetjen e duhur për zhvillimin e projektit kadetet ajror.

Si funksionon një avion pa motor dhe çfarë aftësish duhet të kesh që të pilotosh atë?

Aeroplani pa motor mund të ngrihet me tërheqje me kabllo të vinçit i cili gjendet në fundin e pistës apo më tërheqje nga një aeroplan tjetër. Aftësitë? Kërkohet natyrisht shëndeti dhe gjendja fizike e shkëlqyeshme, vigjilenca, aftësia për t’u koncentruar në një ambient sfidues, përballimi i forcave të gravitetit gjatë fluturimit, njohja e rrjedhshme e gjuhës angleze. Këto janë disa nga to.

Jeta e Breznicës

“Unë kam lindur në Prishtine 4 shtator 1988. Vlen të theksohet se në familjen time të dy prindërit punojnë në industrinë e minierave ndërsa unë dola pilot. Fillimisht ishte e vështirë madje edhe sfiduese që t’i bindja se do t’ia dal mbanë, por me kalimin e kohës dhe me vullnetin tim të palëkundur tani unë e gëzoj përkrahjen e plotë të prindërve në këtë rrugëtim timin të jashtëzakonshëm”.

“Çmenduria ime më e madhe? Kam fluturuar bashkë me një mik në një aeroplan antik të tipit ‘Tiger Moth’, prodhim i vitit 1930 me i vjetri në operim ende i këtij tipi, pasi bëmë manovra akrobatike duke u kthyer në aeroport, kapela e pilotit në komande u dëmtua nga era (është aeroplan me kokpit të hapur). U munduam të uleshim, por nuk ja dolëm, provuam edhe të dytën herë e nuk ja dolëm, ndërsa e treta ishte edhe e vërteta sepse nuk kishim më shumë karburant për edhe një xhiro në provonim, andaj edhe bëmë një ulje emergjente të suksesshme pa asnjë lëndim. Pas 5 viteve e shoh veten duke bërë profesionin e pilotit komercial të linjave ajrore ndërsa gjatë ditëve të pushimit duke fluturuar si pilot akrobatik dhe instruktor”,tregon Breznica. /Dita/