Home LAJME Përurohet xhamia e re në Çair

Përurohet xhamia e re në Çair

101
0
SHARE

U përurua sot në mënyrë solemne xhamia e porsandërtuar në lagjen Çair të Shkupit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, morën pjesë shumë mysafirë nga vendi por dhe nga Shqipëria, Turqia e Greqia.

Ndër ta ishte edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, i ardhur në Shkup enkas për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të xhamisë.

Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti theksoi se ndërtimi i këtij tempulli fetar ndreq padrejtësitë e trashëguara nga komunizmi. Ai sqaroi se, ndërtimi i xhamive në këtë pjesë të Shkupit, nuk është motivuar nga inati ndaj komuniteteve të tjera, porse “është kërkesë dhe nevojë e qytetarëve”.

“Ky projekt vështirë do të realizohej nëse nuk do të ishin dy familjet e Haxhi Selman Imerit dhe Naim Kadriut. Dy familje të cilat duhet të jenë shembull për të gjithë ne.

Ata fillimisht kishin planifikuar të investojnë nga buxheti i tyre rreth gjysmë milioni euro. Dhe kur e panë që këto mjete janë tepruar, ata m’u paraqitën që ato mjete që i kanë planifikuar te xhamia t’i investojmë në shkolla.

Dhe unë i drejtova te shkolla ‘Hasan Prishtina’ dhe së bashku me komunën arritëm që një shkollë, ku nuk ishte investuar dekada me radhë, ta transformojmë në një objekt me kushte ideale për fëmijët tanë”, pohoi Mexhiti.

Ai, madje paralajmëroi edhe fillimin e punimeve për ndërtimin e një xhamie të re në lagjen e Fushë Topanës, e cila, siç bëri me dije, do të jetë e përmasave ende më të mëdha.

“Misioni ynë është të ndërtojmë një xhami në lagjen e Fushë Topanës, ku po ashtu ende mbizotëron një padrejtësi nga periudha e komunizmit. Mendoj se atje nuk do të jetë xhami e lagjes, e mëhallës sepse hapësira është më e madhe. Atje duam të kemi një kompleks islam, një kompleks të shkencës dhe dijes”, vijoi kreu i Çairit.

Ndërkohë, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reis Ul Ulema Haxhi Sulejman Ef. Rexhepi, duke falënderuar krerët e komunave shqiptare, Çair dhe Gostivar, por edhe ish-kreun e Strugës, vuri në dukje kontributin e tyre për ndërtimin e objekteve fetare. “Ne duhet të ecim përpara, duhet të shkollohemi, të mos frikohemi.

Këtu jemi në një mjedis ku jetojnë shumë përfaqësi kombëtare dhe fetare. Por kjo nuk është një gjë e keqe. Është një bereqet dhe mirësi e Zotit. Mirëpo ka nevojë që të gjithë ata që jetojnë në këtë vend dhe ambient të kenë ndërgjegje, të besojnë bashkëjetesë, e jo i forti të dëmtoje më të dobëtin.

Më mirë vdekje nën tokë sesa i dobët dhe me statusin e robit. Shoh një kënaqësi të madhe në mesin tonë, shoh shumë të rinj.

Rinia është shpresa jonë, ardhmëria jonë. Shpresa e Islamit dhe e çështjes sonë kombëtare varet nga brezat tanë të ardhshme. Ne amanet e kemi fenë, amanet e kemi ta mbrojmë vatanin, amanet e kemi ta mbrojmë Çështjen Kombëtare”, ka thënë Rexhepi./Lugina Press/