Home LAJME PDSH nuk bëhet pjesë e Qeverisë

PDSH nuk bëhet pjesë e Qeverisë

112
0
SHARE

Kryesia qendrore e PDSH’së ka vendosur se nuk është e gatshme që të bëhet pjesë e qeverisjes aktuale të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.

“PDSH-ja nuk është e gatshme të bëhet pjesë e përgjegjësisë politike të kësaj qeverisje për shkak të dilemave që ka në lidhje me qasjen serioze të kësaj qeverie ndaj dy prioriteteve të rëndësishme për Maqedoninë si: debllokimi i procesit euro-integrues dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve drejt një barazie të plotë me maqedonasit”, theksohet në vendimin e PDSH-së.

Sipas kësaj partie, fatkeqësi në këtë situatë për shqiptarët është se ekziston një parti që e quan veten shqiptare e cila pranoi pa asnjë kusht të jetë pjesë e Qeverisë e që siç thuhet nënkupton pa kurrfarë programi, pa platformë dhe pa kërkesa.

“Ne do të jemi opozitë konstruktive dhe nuk do të bëhemi pengesë në asnjë moment, nëse Qeveria i qaset me seriozitet premtimeve të veta, sidomos debllokimin e procesit eurointegrues dhe anëtarësimin e menjëhershëm në NATO, fillimin e bisedimeve me BE për anëtarësim të plotë dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve drejt një barazie të plotë me maqedonasit”, theksoi kryesia e PDSH-së.

Siç thuhet këto vendime të Kryesisë Qendrore janë si rezultat mosbesimit ndaj kësaj qeverie, duke pasur parasysh se kjo nuk është Qeveri e re po është një Qeveri e vjetër që gjashtë vjet udhëheq vendin dhe ka mungesë totale të rezultateve pozitive sidomos ndaj këtyre dy arsyeve të lartpërmendura. (INA)./luginapress/