Home OPIONIONE Pa fije turpi

Pa fije turpi

208
0
SHARE

E se ne kosovarët kemi dëshmuar se nuk e duam vendin tonë sa duhet — nuk ka nevojë për shumë analizë. E besoj se jemi ndër shtetet më të spikatura për dashurinë që politikanët tanë e shprehin për vetveten. Gjithashtu e besoj se jemi kampionët botërorë për të protestuar në rrjete sociale — kush nuk na e kalon. Ama kur vjen puna për të protestuar në rrugë, jemi të parët që ato i përcjellim pasivisht nga tarracat e restoranteve në rrugën kryesore dhe kjo në formë uniforme: që të gjithë me nga një lugë plastike në gojë

Nesër pasdite do të luhet finalja e botërorit në futboll. Nuk m’u realizua dëshira që t’i shihja në finale dy “autsajderë”: një shtet me madhësi mesatare, Belgjika, dhe një shtet të vogël, Kroacia. Kështu në finale do të ballafaqohen Franca dhjetëfish më e madhe me territor dhe gjashtëmbëdhjetë fish më e madhe me popullsi se Kroacia. Sërish do të jetë ky ballafaqimi i Davidit dhe Goliatit dhe nuk po e fsheh se kësaj radhe do të anoj për shtetin e vogël.

Nuk do t’i mbaj inat ekipit që na rrahu në Shkodër me rezultatin 6:0 — fundja nëse del fitimtar, bile do të mundë të ngushëllohemi se na mundi kampioni i botës në futboll. Vetëm do të ndiej pak zili, për shkak se një republikë e shtetit të njëjtë në të cilin dikur kishim jetuar, ia del të prodhojë kampionë olimpikë, botërorë e evropianë në sporte kolektive. Është shtet që ka traditë edhe universitare (që nga 1669-a); edhe kulturore; edhe tregtare, e të cilat nuk humbën madje as pas luftës katërvjeçare (1991-1995) të cilën kroatët e fituan vetë.

Natyrisht se jo gjithçka është e përkryer në atë shtet — sepse edhe aty ka probleme, me gjithë pozitën e privilegjuar që e ka si shtet anëtar i BE-së. Porse përkushtimin dhe atdhedashurinë, të cilat futbollistët i dëshmuan gjatë këtij kampionati janë mbresëlënëse. Është për të marrë shembull.

Është një diçka që do të donim ta shihnim të replikuar në Kosovë: dashuri për shtetin, e nëpërmjet tij edhe për vetveten, që do të duhej të na sillte një jetë më të mirë, e jo depresionin që na e shkakton tash.

Shyqyr që i kemi xhudistët, se druaj se nuk kishim pasur çkaje t’i gëzohemi në këtë kaos të mjerë.

Vetëmashtrimi

E se ne kosovarët kemi dëshmuar se nuk e duam vendin tonë sa duhet — nuk ka nevojë për shumë analizë. E besoj se jemi ndër shtetet më të spikatura për dashurinë që politikanët tanë e shprehin për vetveten. Gjithashtu e besoj se jemi kampionët botërorë për të protestuar në rrjete sociale — kush nuk na e kalon. Ama kur vjen puna për të protestuar në rrugë, jemi të parët që ato i përcjellim pasivisht nga tarracat e restoranteve në rrugën kryesore dhe kjo në formë uniforme: që të gjithë me nga një lugë plastike në gojë.

Se sa jetojmë në vetëmashtrim na bëhet e qartë nga kjo deklaratë më poshtë:

“Ajo që ky raport e vërteton është një, po them ashtu, një dinamikë të punës që nuk ka qenë ndonjëherë në Qeveritë e vendit, pra… numri i vendimeve të Qeverisë, i ligjeve, i veprimeve të ndërmarra, i akteve nënligjore, të gjitha këto ato flasin për një dinamikë e vetmja e këtillë prejse ekzistojnë qeveritë që nga Pavarësia të paktën, e bëmë pak vetëlavdërim, kërkoj falje…”, tha Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë ku shqyrtohej raporti për punën dhjetëmujore të kësaj Qeverie.

Po të mos ishte tragjike do të ishte qesharake kjo që e thotë. Nga ana tjetër, këtë që e thotë është e vërtetë, sepse asnjëra Qeveri e mëparshme nuk ka marrë, publikisht, vendime më të marra e më të dëmshme.

Aq të marra e aq të dëmshme sa më duhet t’i numëroj edhe njëherë, sepse shqiptarët e kemi kujtesën e shkurtër dhe preokupimin e kemi me u marrë me punët e hallkut, para punëve tona.

Pra, për rikujtim, kjo dinamika e paparë e vendimeve të kësaj qeverie

  1. Përjashtimin nga EQAR-i;
  2. Përpjekja për t’i falur 60 milionë borxhe të ambalazhuesve të ujit;
  3. Vendimin për ngritjen e rrogave të Qeverisë, për kravata;
  4. Kontrata me “Contour Globalin” për Termocentralin “Kosova e Re”, që mund të na kushtojë 19 milionë euro, ose shkatërrimin e industrisë së energjetikës;
  5. Vendimi me i falë 290 mijë euro të rezervave shtetërore familjeve të atyre që ndërmorën aksion në Kumanovë në kundërshtim me ligjin që ndalon luftimin jashtë vendit;
  6. Vendimin për shpenzimin e 600 mijë eurove për kremten e dhjetëvjetorit të Pavarësisë — për të cilin as që u dha raporti financiar;
  7. Vendimi një milion euro për KOSTT-in për t’i mbuluar humbjet në veri — e kush e di edhe sa të tjera që nuk i dimë;
  8. Emërimi i 21 ministrave e nja 85 zëvendësministrave e nuk e di sa koordinatorëve, të cilët duhet t’i paguajmë ne
  9. Vendimi për shpenzimin e gjysmë milioni eurosh për kremtimin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut — a mos e patë ndonjë manifestim, se më paska ikur…
  10. Ndarja e 300 mijë eurove që veteranët të shkojnë në banjë për rehabilitim;
  11. Ndarja e 228 mijë eurove për invalidët e luftës për rehabilitim;
  12. Ndarja e 53 milionë eurove kompanisë “Bechtel Enka” për ndërtimin e autostradës deri në Shkup.

Me siguri do të më ketë ikur edhe ndonjë vendim epokal e dinamik. Por të jeni të sigurt se nuk do të jetë më ndryshe sesa këta të tjerët. Vetëm zerot do të jenë më shumë a më pak — ngase esenca këtu është që kjo Qeveri të gllabërojë sa më shumë mjete nga buxheti, përderisa të mundet, përderisa PDK-ja nuk i thotë boll dhe e rrëzon fare.

Të thuash se kjo është Qeveria më e mirë që e ka pasur Kosova të bën ta quash cilëndo qeveri paraprake “lule dritë” krahasuar me këtë. Fatkeqësisht.

Pa turp

E fatkeqësisht, ky sistem qeverisjeje që, do ta pranojmë, nuk e solli Ramushi, por vetëm e përkeqësoi edhe më shumë, na ka bërë që ta humbim që të gjithë turpin.

Politikanëve kurrë, asnjëherë nuk u vjen turp nga ato që i flasin e që i bëjnë. Përderisa e kanë pushtetin në dorë dhe përderisa e kanë të sigurt se nuk bartin asnjë përgjegjësi, kurrfare, për ta thënë më shkurt, as nuk zverdhen e as nuk skuqen kur rrejnë, rrejnë dhe vetëm rrejnë. Kohëzgjatja me e gjatë e rrenës së regjistruar në Kosovë është rekord i Thaçit: “Liberalizimi do të ndodhë për 15 muaj” — 9 dhjetor 2010.

Për një popull që duron të mashtrohet shtatë vjet e gjysmë dhe vazhdon të rrijë e të mos bëjë gjë — vetëm mund të konstatohet se është bërë psikanalizë kolektive dhe se e ka humbur krejt dinjitetin. Për më keq, e ka humbur orientimin dhe se krejt çka di të bëjë është të shajë brenda në dollap — aty ku s’e sheh e as ndien kush.

E se paturpësia e këtyre pushtetarëve nuk ka kufij e tregon mënyra se si sillen dhe si veprojnë. Nuk janë të interesuar që shteti të ecën përpara — sepse janë të interesuar për t’i përmbushur egot personale. Nuk janë të interesuar që të kryejnë punë, prandaj bllokojnë punë në Kuvend dhe lënë që institucionet të bëjnë çfarë t’iu teket qejfi, sepse s’ka kush i kontrollon. S’janë të interesuar që ta zhvillojnë këtë vend, sepse paratë duhet t’i shpenzojnë sa më shumë që të munden nëpër projekte, kontratat e të cilave nuk i bëjnë publike kurrë. Janë aq të paturp saqë dalin e fryhen për sukseset e arritura në sigurimin e granteve nga shtetet e ndryshme të Evropës — në të njëjtën kohë kur i falin 53 milionë, pa e ditur pse.

Është turp që pas të gjitha këtyre skandaleve ta pranojmë ndihmën zemërgjerë të shteteve evropiane për realizimin e projekteve që është dashur të jenë kryer moti, por për të cilat nuk ka pasur interesim, ngase paratë janë orientuar nëpër xhepa të nduarnduarshme që sistemi ynë i drejtësisë kurrë nuk do t’i zbulojë, sepse vetë bën pjesë në atë sistem.

Para tri ditësh, Luksemburgu i vogël na i fali 2.3 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në qytet, që prapë nuk do ta zgjidhë të tërë problemin. Dje, çekët na i falën gati një milion euro për ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në Prishtinë — komunës që përherë i teprojnë paratë në fund të vitit, e cila punë është dashur të jetë kryer para 20 vjetësh. Dhe po dje, zviceranët na i falën 7 milionë për ujësjellës e kanalizime nëpër zona rurale. Paramendoni, zviceranët deri tash i kanë falur 38 milionë euro për sisteme ujësjellësi që nga 2011 — e Qeveria jonë, me një vendim, i fal 53 milionë brenda një dite të vetme.

Do të duhej t’iu vinte turp që ende kanë fytyrë të dalin para ambasadorëve e të lusin për ndihma — sepse, ja, kemi qëlluar të vegjël e të varfër, e nuk kemi mundësi të merremi as me higjienën personale.

* * *

Turpi këtyre iu ka humbur moti, mu atëherë kur na kanë humbur edhe neve mendtë.

Se sa të marrë e të paturpshëm jemi e tregon fakti se për katër vjet i kemi harxhuar 1.5 miliardë euro për dy, vetëm për dy, rrugë. Ndërkohë që nuk kemi asnjë stadium normal; asnjë sallë koncertale; e kemi vetëm një shkollë model; kemi pajisje të vjetruara të zjarrfikjes; nuk kemi fond rezervë; nuk kemi as mbrojtje kundër breshrit që i sakatoi bujqit sivjet, të cilët do të mbeten edhe pa dëmshpërblim; kemi aparate të vjetruara nëpër spitale, e nuk kemi edhe kush e di sa sende që kanë mundur të siguroheshin po të mos kishin vendosur t’i ndërtonin autostradat më të shtrenjta në botë.

Edhe nëse më thoni se autostradat po na sjellin zhvillim ekonomik — unë vërtet do të jem verbëruar që nuk po e shoh, sepse ende nuk e kuptova se përse disbalanca tregtare e Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë vazhdon të mos ndryshojë. Me gjasë rrugët tona po i ndërtojmë për import më të madh nga këto shtete.

Ndërkohë, Kroacia edhe mund të bëhet kampione botërore në futboll.

flaka@koha.net