Home OPIONIONE Një opozitë e humbur, një pozitë e ndarë

Një opozitë e humbur, një pozitë e ndarë

979
0
SHARE
Nga Lumir Abdixhiku – Pavarësisht të gjithave, ndonëse argumentet mund të mbesin të qëndrueshme, promovimi i anarkisë në demokraci mbetet i papranueshëm. Për këtë zgjedhje argumentuese opozita meriton refuzim.
Ky refuzim nuk nënkupton përkrahje për pushtetin – siç mund ta interpretojnë fantazitë e trishta të komisarëve – por nënkupton mendim ndryshe që ushqen mbrojtjen e Republikës; për aq sa mund të mbrohet nga anomalitë politike.
-1-

Gëzimi e shpërthimi kolektiv rreth kualifikimit të parë të Kombëtares shqiptare për në Evropian nuk do të zgjatnin shumë; por për aq sa zgjatën, megjithatë, ua rikujtoj qytetarëve këndej faqen tjetër prapa zymtësisë. Ishte e mahnitshme. E ky vend ka kohë që merr pak ose fare lajme të mira.

Ato të paktat, që vijnë rrallë e për mall, munden nga të tjera ndodhi të rënda, secila më e rëndë se tjetra. Kjo vazhdimësi e marrjes konsekutive të ndodhive e goditjeve të rënda – të vogla e të mëdha pa dallim – duket se ka amortizuar secilin reaksion tonin; në përmasën saqë ky vend mund të prodhonte secilën marri publike e të mos merrte asnjë reagim moral apo fizik. Mbesim të topitur të gjithë.

Dhe kur reaksioni ndodhi, ai u bë – dhe vazhdon të bëhet – në formën më të rrezikshme të mundshme – me dhunë. Kjo dhunë, pavarësisht arsyeve e motiveve, ka vendosur gjithë vendin tonë në një spirale teposhtë, ku asgjë s’mbetet më e sigurt. Rrjedhimisht, të gjitha çështjet me interes për Republikën janë vënë në rend të fundit; parësore mbesin fjalimet e paraqitjet patetike, hipokrite e gjithsesi paranoike herë të njërës palë e herë të tjetrës.

E fakti se kjo Republikë sillet në kufij të një shpërthimi – për motive tërësisht partiake e të pushtetit – tregon mjaft për derexhenë tonë. Jemi në duar të një grusht politikanësh në pozitë e opozitë; kemi mbetur veçse spektatorë. Madje dhe na flasin në emrin tonë – populli thonë do kështu. Cili popull? Shumë shpejt mund të jetë tepër vonë për të përcaktuar fijen e fillimit, se kush e nisi e kush jo; shumë vonë për të përcaktuar të fajshmin. Shumë shpejt mund të merremi me pasojat e humbjes së gjithë ëndrrës kolektive që kishim si shoqëri për shumë kohë. E do të jetë tepër vonë.

-2-

Ngjarjet e javëve të fundit tregojnë për dy fotografi të çoroditura që pengojnë rrjedhën institucionale këndej. Në rend të parë të këtij pengimi mbetet opozita. Dy partitë më të vogla opozitare tashmë kanë shkrirë gjithë identitetin partiak – aq sa kishin – tek partia e madhe opozitare, tek lëvizja “Vetëvendosje” pra. Kjo, në anën tjetër, ka bërë disa vite hapa pas, për t’u kthyer tek mjetet dhe metodat e politikëbërjes që e kishin mbajtur atë të parëndësishme për shumë kohë. Ka hequr dorë nga transformimi e hapja ndaj aktualitetit politik në vend dhe jashtë, ka hequr dorë nga konsolidimi i brendshëm me ide të reja, e ka hequr dorë nga argumentimi faktik. Ka zgjedhur, në vend të kësaj, konfrontimin fizik, me armë a vezë nuk ka më dallim.

Lëvizja “Vetëvendosje”, rrjedhimisht, është transformuar në një grup të margjinalizuar, e vetme kundër të gjithëve – dhe e projektuar në përputhje të plotë me dëshirat perverse të disa axhamive revolucionarë e të komisarëve filozofikë (nga Shqipëria) që, thënë të drejtën, kanë për të marrë në qafë gjithë këtë grup individësh që megjithatë – në kohën sa bënin argumente – kishin sens shumë. Në këtë transformim ata kanë gjetur të nevojshme e të domosdoshme edhe konfrontimin me secilin tjetër që nuk pajtohet me ta.

Për mendjet e tyre konfrontuese e margjinalizuese, secili kritikues i formave të tyre mbetet i ndërlidhur me pushtetin disi. Në mënyrë të organizuar e sistematikisht, ata futen në paranoja, në ndërtime tregimesh e supozimesh – në skenarë sa të frikshëm aq edhe të mjaftueshëm për ndonjë skeç fiktiv; gjithsesi pa shije. Natyrisht në këtë vijë u vendosën të gjithë. Miq e mbështetës të vjetër, që deri dje bënin betejën publike kundër pushtetit bashkë me ta, u bënë të ligj, tradhtarë dhe natyrisht – në përputhje me skeçin që kishin – me pushtetin. Nuk u mbeti më askush i mirë.

Ç’është e vërteta, njerëzit e njëjtë që sot nuk pajtohen me formën e adresimit të problemeve nga opozita, mbesin njerëzit më aktivë që kjo shoqëri ka pasur ndonjëherë në ndërtimin e masës kritike – dhe opozitare – këndej. Janë të vetmit kritikues e kundërshtues me rezon (në formë e argumente) kundër pushtetit. E nëse asgjë tjetër, ndryshim për ndryshim qëndrimi e mendimi, kanë bërë pikërisht të njëjtët gulçues revolucionarë që sot na renditen me të njëjtët që kishin – bashkë me këta kontribuues jopartiakë – betejën publike para disa kohe; rreth buxhetit, autostradës, nepotizmit, krimit, hajnisë e tenderëve.

Dymbëdhjetë muaj më pas, të njëjtët kontribuues mbajnë të njëjtat qëndrime për ta; çfarë nuk mund të thuhet për gulçuesit që i mbajnë në krah.

-3-

Mospajtueshmëria me të tjerët mendues ndryshe, një imitim pra i pushtetit e i pushteteve më parë, ka për t’i kushtuar shumë opozitës. Por, për grupet revolucionare që kanë kapur opozitën këto ditë – e me këtë kanë tërhequr edhe individë që presupozohen si të ndritur e të ditur për sens e logjikë – kjo ka pak rëndësi. Grupet e tilla vetëmjaftohen me viktimizim e përballje, sado që zvogëluese në përkrahje mund të jetë ajo. Kështu ata mobilizojnë disa aktivistë në zyra, e disa të tjerë në rrjete sociale; por asnjëherë masën qytetare.

Prandaj dhe masa qytetare nuk u doli asnjëherë në krah. As atëherë kur i ftuan para Parlamentit, as këtë javë para Stacionit policor në Prishtinë. Ftesa e bërë, që provohet të minimizohet (sepse nuk u përkrah) u refuzua. Në krah këtyre thirrjeve dolën vetëm disa militantë – dhe atë të tri partive opozitare.

Grupet militante, natyrisht, janë të mjaftueshme për të ushqyer dhunë e anarki ndaj secilit institucion publik në vend. Mjaftojnë disa dhjetëra individë për të trazuar një qytet. Dhe ky aktivizim, në kthim, mund të nxjerrë në pah një reagim tjetër dhunues nesër nga pushteti. Dhe kur dhuna parëzohet me dhunë, pasojat me jetë ose jo mbesin në fatin e probabilitetit.

Pavarësisht të gjithave, ndonëse argumentet mund të mbesin të qëndrueshme, promovimi i anarkisë në demokraci mbetet i papranueshëm. Për këtë zgjedhje argumentuese opozita meriton refuzim. Ky refuzim nuk nënkupton përkrahje për pushtetin – siç mund ta interpretojnë fantazitë e trishta të komisarëve – por nënkupton mendim ndryshe që ushqen mbrojtjen e Republikës; për aq sa mund të mbrohet nga anomalitë politike.

Sepse ky vend, megjithatë, duhet të mbajë nivelin e diskutimit në kornizat e vijave të kuqe. Kjo kornizë nënkupton marrjen e vendimeve me shumicë. E marrja e vendimeve me shumicë nënkupton pranimin e vendimeve edhe kur nuk pajtohesh me to. Siç dhe argumenton Keneth Arrow në “teoremën e pamundësisë” së tij, nuk do të ketë asnjë sistem votues që do të kënaqë secilën preferencë të secilit individ.

Por mund të ketë një sistem që kënaq shumicën e preferencave të shumicës. Është detyrë e opozitës që të shtrojë kundërargumente e të bindë qytetarët deri në ciklin tjetër zgjedhor; kur matet me votë. Nëse argumentimi ka qenë i mirë dhe i mjaftueshëm, merr pozitën dhe bën ndryshimin.

Nëse pritja për sistem zgjedhor është e vonshme, le të thirren qytetarët në përkrahje. Jo për të hedhur gurë, djegur vetura e krijuar anarki, por për të treguar sa individë janë të gatshëm të mbështesin kërkesat e tilla. Nëse të njëjtët mbesin të pamjaftueshëm, pra jo të interesuar për aktivizim, atëherë opozita nuk ka asnjë argument për kundërshtim.

Ndërlidhja e të drejtës së pakicës me luftën çlirimtare të zhvilluar këndej, është sa patetike aq edhe e trishtë. Kjo paralele që ndërlidh institucionet e vetëzgjedhura të Kosovës me institucionet e imponuara të regjimit të Milosheviqit thërret drejtpërsëdrejti për konfrontim lufte civile; për çfarë shumë të etur sot pas pushtetit edhe janë në nevojë.

Në rrethana të ndryshme kohore trajtimi i të drejtës së pakicës mbetet jo i njëjtë. Një pakicë e okupuar nga një i huaj nuk mund të argumentojë njëtrajtësisht të drejtën e saj sikurse një pakicë e një sistemi demokratik e votimit në liri.

Dhe mbi të gjitha, e drejta e vetëdhënë për krijimin e dëmeve, nën arsyetimin se dëmet e mia janë për motive të mira – apo dhe se janë më pak të dëmshme se të atij tjetrit – mbetet e drejtë diktatoriale. Në këtë logjikë, nëse dikush ka bërë tri vrasje, ty të lejohet një – sepse, mbetet më pak e dëmshme sesa paraprakja; dhe sepse ti mendon se ke të drejtë. Pra, gjithkujt i lejohet të bëjë gjithçka, përderisa arsyeton këtë bërje me kundërshtimin e bërjes së parë.

Kjo meny alternativash, e dëmeve pra dhe jo e ndërprerjes së tyre, është pikërisht motivi refuzues qytetar këndej. Sepse kur djeg një veturë të Prokurorisë, pavarësisht arsyeve perverse që ushqen veten me to, ti i ke bërë një dëm të rëndë publik, që presupozohet si shërbim i qytetarëve. Vetëm të tillët që konsiderojnë se gjithçka e Kosovës është kundër Kosovës, mund të arsyetojnë një veprim të tillë – pavarësisht barazisë me dëmet e mëdha që mund të krijohen ose jo. Të tillë, që bëjnë këtë arsyetim, janë sërish një grusht sish.

-4-

Aspak më mirë nuk është sot as pozita. Përtej gjithë sjelljeve arrogante që kjo pozitë kishte shpërfaqur në vazhdimësi – që nga dita e parë e punës pra – ajo po tregohet edhe e paaftë që të mbajë institucionet e vendit të sigurta. Kjo paaftësi buron, natyrshëm dhe siç është pritur, nga jonatyraliteti i koalicionit qeverisës. Pikërisht për shkak të këtij jonatyraliteti, pozita vazhdon të ketë qëndrime të kundërta në lidhje me ecjen e mëtutjeshme dhe daljen nga kriza.

Madje, për pjesën më të madhe të kohës, duket se partneri i madh qeverisës PDK, ai që ka shumicën e votuesve këndej, por nuk e ka Qeverinë, është i interesuar që të tolerojë gjendjen e tanishme në vazhdimësi. Nga pozita e vlerësimeve partiake, të ndodhur në rend të dytë, PDK-ja është shumë komfort me një ballafaqim në mes të kundërshtarëve partiakë. Për aq sa këta kundërshtarë kanë shpërfaqur qëndrime e vepra muajve të fundit, PDK-ja ka veçse të sigurt fitoren në zgjedhjet e ardhshme – kurdo që të mbahen ato.

LDK-ja në anën tjetër mbetet e pafuqishme për të diktuar këto rrjedha. Madje në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit ajo ka arritur të japë vetëm lutje e përgjërime drejt kryetarit të Kuvendit për të bërë një zgjidhje. Kjo çarje e ideve se si të ecet tutje, pra me një LDK që kërkon veprim e një PDK që nuk ndërmerr asgjë, përveç se tregon jounitetin e pozitës tregon edhe fuqinë reale e ekzekutive këndej; dorën në zemër, siç edhe ka qenë e njohur gjithherë.

Dhe në kohë të këtyre paqartësive të pozitës, prodhohen edhe incidente të rastit që nuk mbajnë sens procedural – siç ishte edhe rasti i arrestimit/ndalimit të një deputeti pa një urdhër të shkruar. Motivet për një incident të tillë mund të jenë të çfarëdoshme, por urdhëresat telefonike e pa shkrim japin sinqerisht një imazh të frikshëm të shtetësisë këndej – jo pak e njohur natyrisht për këto gjashtëmbëdhjetë vjet. E nëse duhet të ketë ndonjë arrestim, për çfarëdo arsye e ndaj kujtdo qoftë, atëherë i njëjti – minimalisht – duhet t’i respektojë procedurat e rregullta; për të dhënë sado pak shpresë e sinjale se megjithatë në kohë të përplasjeve politike ka institucione që mendojnë drejt e barabartë për të dyja anët.

-5-

Pavarësisht të gjithave, një mbetet e sigurt. Përderisa pozita vazhdon të thërrasë seanca, dhe nuk është e gatshme (për motive të brendshme) t’i sigurojë ato, do të ketë bllokim institucional dhe përplasje. Kjo përplasje mund të kalojë dhe në rrugë; ndonëse, sërish, për bindjet e mia, në të do të marrin pjesë vetëm militantët e rendit të parë të partive opozitare. Gjithsesi mjaftueshëm për të bllokuar gjithçka.

Në këtë vijë mbesin tri alternativa. E para, dhe më e pranueshmja, do të ishte zgjidhja e problemeve të ngritura në dialog. Dialogimi do të thoshte natyrisht dhe heqje dorë nga qëndrimet e pozitës – pra kompromis me kërkesat e opozitës e jo bindje e mendimeve të opozitës. Sado i duhur të jetë si mjet në këto kohë të rënda, nuk shoh as gatishmëri e as pranueshmëri vendore e ndërkombëtare për një trajtim të tillë. Së paku jo në këtë kohë. Sepse opozita refuzon uljen pa tërheqje të nënshkrimit, e pozita refuzon negocimin e nënshkrimit.

E dyta, më e rrezikshmja, që pozita të provojë sigurimin e deputetëve në Parlament, dhe me këtë të nisë një ballafaqim edhe fizik me opozitën. Ky ballafaqim do të kalonte në rrugë; përfundimi i të cilit natyrisht se mbetet i padefinuar. Në një rast ekstrem, në përkrahje të pozitës, si reagim ndaj grupeve të opozitës, mund të dilnin dhe grupet militante të tyre – e që janë shumicë. Pjesa tjetër e tregimit do të mbetej e rëndë.

E treta, jo larg mundësive, që populli të flasë. Ky zë mund të jepet në dy forma. E para, nëpërmjet zgjedhjeve, dhe e dyta nëpërmjet referendumit. Legjitimimi i një vendimi nga shumica nuk do të ishte fare jodemokratik, e edhe më pak i pamundshëm. Fatkeqësisht, shkuarja në zgjedhje apo dalja në referendum mund t’i shtyjë e vonojë proceset integruese të Kosovës; por, ç’është e vërteta, edhe me rrjedhat e tanishme politike një vonesë e tillë është pothuajse e garantuar.