Home Aktuale Nga vizita në Belgjikë e një delegacioni të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Nga vizita në Belgjikë e një delegacioni të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

43
0
SHARE

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje!, i kryesuar nga anëtari i Kryesisë, Belgzim Kamberi ka zhvilluar disa takime më 27 maj në Bruksel me partitë kryesore të qendrës së majtë në Belgjikë.

Gjatë takimit me deputetin federal, Dirk Vandermaelen, kryetar i komisionit për çështje të jashtme në kuadër të Partisë Socialiste Flamane (SPA) me bashkëpunëtorët e tij, Erwin Van de Putte nga shërbimi studimor i SPA dhe deputeten flamane Tine Soens është biseduar për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për bashkëpunimin e ardhshëm midis deputetëve të ndërsjellë në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar.

Delegacioni i Vetëvendosjes! është takuar gjithashu me përfaqësues të Partisë Socialiste frankofone, të kryesuar nga Senatori Philippe Mahoux, kryetar i grupit parlamentar të PS dhe anëtar i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës; si dhe me deputeten federale Gwenaelle Grovonius nga komisioni për çështje të jashtme të Partisë Socialiste dhe me Ariane Fontenelle, eksperte për marrrëdhënie ndërkombëtare pranë Institutit “Emile Vandervelde”. Me këtë rast, Partia Socialiste frankofone ka shprehur interesimin e saj për politikat e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe gatishmërinë e saj për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në kuadër të marrëdhënieve të ndërsjella dhe në nivel evropian të partive social-demokrate. Gjatë takimit të zhvilluar me Sekretarin Politik të Partisë Socialiste, Bernard Hayette, ai ka shprehur gatishmërinë e Partisë Socialiste frankofone për të kontribuar në dinamizimin e marrëdhënieve bilaterale dhe mbështetjen e PS për proceset e mëtejme të bashkëpunimit evropian të Lëvizjes Vetëvendosje!.

Ndërsa, në takimin me Giacomo Filibeck, ndihmës sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Evropiane (PSE) dhe me Karen Mets, këshilltare ndërkombëtare për PSE; përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! kanë paraqitur pikëpamjet dhe orientimet programore, dhe palët janë pajtuar që të dinamizojnë marrëdhëniet drejt një bashkëpunimi më të frytshëm.

Gjatë qëndrimit në qytetin e Namur, z.Belgzim Kamberi është takuar me Frédéric Laloux, sekretar i marrëdhënieve të jashtme në Komunën e Namurit rreth bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës si dhe me komunitetin shqiptar vendor për t’u njohur nga afër me çështjet dhe sfidat me të cilat ata përballen në Belgjikë. Z. Kamberi ka dhënë një shpjegim të situatës ekonomiko-politike të Kosovës dhe ka theksuar kontributin që mërgata po jep në transformimet e dëshiruara për Kosovën, duke marrë parasysh edhe faktin që në zgjedhjet e fundit parlamentare 51% e votës së mërgatës shqiptare shkoi në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje!