Home OPIONIONE “Newborn” milionerët dhe Subotica

“Newborn” milionerët dhe Subotica

104
0
SHARE

Është vështirë të kuptohet ky paradoks që po ndodh në shoqërinë tonë: disa ikin nga varfëria, të tjerëve u rritet pasuria.

Në kohën kur qindra-mijëra qytetarë e kanë braktisur vendin si pasojë e varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe të gjitha të këqijave të tjera, depozitat në banka kanë arritur kulmin – dyfishin e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka raportuar se depozitat e qytetarëve në sistemin bankar të vendit në fund të vitit 2014, kanë arritur shumën e përgjithshme prej rreth 2.6 miliardë euro, të cilat janë shtuar përreth 200 milionë euro në raport me vitin paraprak.

Për çudi, shumicën e depozituesve e përbëjnë ekonomitë familjare dhe bizneset, ndonëse Kosova është shteti me shkallën më të lartë të varfërisë dhe papunësisë në Evropë dhe njëkohësisht është kampione për nga numri i mbylljes së bizneseve çdo vit.

***

Si pasojë e shkallës së lartë të papunësisë dhe varfërisë (rreth 40%) dhe mungesës së perspektivës në shtetin që pas pak ditëve do ta festojë 7-vjetorin e Pavarësisë, mbi 200 mijë qytetarë kanë ikur ilegalisht, duke ua mësyrë shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian, me shpresën se atje do ta gjejnë një jetë më të mirë, të cilën nuk e gjetën për një dekadë e gjysmë në shtetin e tyre.

Këta që kanë ikur dhe që po vazhdojnë të ikin çdo natë me autobusët që mbajnë linja të rregullta për në Serbi, janë ngopur me gënjeshtrat e politikanëve vendorë se Kosova është një vend i mundësive dhe se për një mandat qeveritar do të krijohen prej 120 mijë deri në 200 mijë vende të reja të punës. Premtime të tilla vështirë se do të mundë t’i realizojnë politikanët e Zvicrës, ku është raportuar se sektori privat dhe publik gjatë vitit 2014 i kanë krijuar mbi 30 mijë vende të reja të punës, e lëre më të krijohen nga ekonomia e pazhvilluar e Kosovës.

Kosova edhe mund të jetë një vend i mundësive, por vetëm për pushtetarët dhe për familjarët e tyre, të cilët kanë arritur pasuri marramendëse për pak vjet në krye të institucioneve, në mospërputhje me pagat që marrin në sektorin publik.

Është e pashpjegueshme se si shumica e zyrtarëve të lartë shtetërorë janë bërë milionerë brenda natës, siç nuk është e shpjegueshme se pasuria e tyre për më pak se për katër vjet është rritur për 2500 për qind.

Po të ndodhte një rritje e tillë e pasurisë të zyrtarëve shtetërorë në një shtet të BE-së, aty ku po pretendon të integrohet Kosova dhe ku funksionon shteti ligjor, të gjithë do ta kishin fatin e ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader.
Pra, do të përfundonin në burg. Ndërsa, Kosova, si një vend sui generis, politikanët e korruptuar i avancon në krye të institucioneve!

***

Diplomatët amerikanë dhe evropianë, vazhdimisht po kërkojnë nga Qeveria e re e Kosovës, që ta ketë prioritet luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e ambientit për investimet e huaja.

Është e qartë, se asnjë kompani serioze ndërkombëtare nuk do të investojë në një shtet, ku politikanët e vendit u kërkojnë miliona euro ryshfet dhe aksione në kompanitë e tyre.

Pikërisht për shkak të korrupsionit, gjigantë evropianë dhe botërorë nga sektori i energjetikës dhe telekomunikacionit, kanë ikur nga Kosova, përkundër interesimit të shprehur për të sjellë qindra miliona euro investime.

Në fakt në luftën kundër korrupsionit nuk kanë dështuar vetëm vendorët, por edhe Misioni më i madh Evropian për Sundim të Rendit dhe Ligjit- EULEX.

Për më keq, edhe për zyrtarë të lartë të këtij Misioni kanë shpërthyer akuzat për korrupsion, ndonëse ishin të thirrur ta luftojnë këtë dukuri negative.
Dorën në zemër, nuk besoj se as kjo Qeveri do t’ia mësyjë ta luftojë korrupsionin, pasi që faktikisht do të duhej ta luftojë vetveten.
Korrupsioni do të mundë të luftohej me gjykata të pavarura, të cilat nuk kontrollohen nga politikanët e korruptuar që i kanë milionat jo vetëm në bankat e Kosovës, por edhe në ato të Qipros e Zvicrës.

E derisa të korruptuarit vazhdojnë të jenë të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë, eksodi do të vazhdojë jo vetëm në këtë mënyrë ilegale, por edhe në mënyrë legale, kur të hiqen vizat për kosovarët nga Bashkimi Evropian.