Home Aktuale Në Winterthur u kremtua 7-vjetori i pavarësisë së Kosovës

Në Winterthur u kremtua 7-vjetori i pavarësisë së Kosovës

774
0
SHARE
Në prag të 7-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në gjithë Zvicrën, si edhe herët të tjera, kjo datë po kremtohet në mesin e mërgimtarëve tanë, edhe atë në forma të ndryshme. Mbrëmë dhe sot (e diele) thuajse nëpër gjithë Zvicrën ka pasur manifestime për 7-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Teksti dhe fotot Dashnim HEBIBI

Winterthur, 15 shkurt

Meqë ka qëlluar edhe kësaj here 17 Shkurti të jetë ditë pune, mërgimtarët do të kremtojnë edhe në fundjavën që do të vije, pra më 21 dhe 22 shkurt, por edhe më 28 dhe më 1 mars. E kështu, sot, duke filluar nga ora 14:30 në Winterthur u mbajt një manifestim modest dhe shumë i pasur me program të larmishëm, sa të gjithë mbetën të kënaqur. Kishin ardhur bashkëkombës thuajse nga të gjitha trojet etnike, por edhe nga e gjithë Zvicra, për të kremtuar së bashku, familjarë, të rinj e të reja. Veshja kombëtare dominonte në katër anët e sallës, sikur në çdo manifestim të mërgimtarëve tanë, sepse janë të rinjtë në katër anët e sallës e të rejat që po lindin e po rriten në Zvicër, por të gjithë të frymëzuar e të brumosur me  Atdheun e të parëve. 

Nderim për dëshmorët e kombit

Para se të fillojë ky manifestim, nga kryetari i saj Zeqir Gashi  patëm rastin të informohemi më hollësisht në lidhje me ansamblin «Trojet», që ka 57 anëtarë dhe që është duke vepruar në Zvicër nga viti 2013. Blearta Gashi është producente, ndërsa Blerim Bunjaku koordinator dhe mbikëqyrës i këtij ansambli. Manifestimi filloi me himnin kombëtar dhe më pastaj u nderuan të gjithë dëshmorët me një minutë heshtjeje. Përveç shumë veprimtarëve që patëm mundësi t’i takojmë, të pranishëm ishin edhe Agim Pajaziti, një veprimtar i dalluar i mërgatës sonë, e njëherësh vëllai i dëshmorit Zahir Pajaziti; ish-kolonel Nasim Haradinaj, ish-luftëtar i tri luftërave; Ardit Arifaj, ish-luftëtari dhe njëherë këngëtari Mentor Mushkolaj, Blerim Bunjaku, kandidat për deputet kantonal dhe nacional për EVP-në në zgjedhjet që mbahen në prill, aktori i madh Adem Kicaj, balerini profesionist Rrustem Selca, veprimtari Tomë Berisha, Naser Ulaj nga LAPSH-i për Cyrih dhe veprimtarë të tjerë. Fjala iu dha fillimisht Blerim Bunjakut, i cili, pasi i uroi të gjithë për këtë festë, u dëshiroi kalojnë çaste të këndshme me programin e përgatitur nga Këshilli Organizativ. Në emër të familjarëve të dëshmorëve, fjala iu dha Agim Pajazitit, i cili, ndër të tjera, tha:

«Politikanët duhet t’i nxjerrin duart nga xhepat»

«Ju uroj të gjithëve në emrin tim dhe të familjeve të dëshmorëve në 7-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Përshëndes disa miq që po i njoh, si z.Nasim Haradinaj dhe të tjerët. Sot na ka bashkuar 7-vjetori i pavarësisë së Kosovës, ngase për këtë pavarësi e kanë flijuar jetën shumë të rinj e të reja. Kosova po kalon momente të vështira dhe të dhimbshme. Nuk  kemi dashur që ta shohim këtë Kosovë, siç është sot, edhe pse pas shtatë vjet pavarësi kur po ikin shumë familje nga ajo tokë, meqë është dhënë gjak dhe jetë. Politikanët tanë duhet t’i nxjerrin duart nga xhepat e tyre, por të punojmë shumë e më shumë për Kosovën. Të gjithë bashkë të investojmë në Kosovë. Të nderuar bashkatdhetarë, të investojmë në Kosovë, të hapen vende pune. Lavdia pa dyshim u takon atyre që e kanë dhënë jetën, pra dëshmorëve, por edhe për ata që nuk janë ndalur dhe nuk ndalen për asnjë çast për të mirën e Atdheut, për të mirën e bashkimit kombëtar. Lavdi dëshmorëve, gëzuar pavarësinë!».

«Oj Kosovë, sa fort të dua!»

Pas z. Pajaziti, fjala iu dha z.Naser Ulaj, mësues i Shkollës Plotësuese Shqipe në Kantonin e Cyrihut, i cili në emër të LAPSH-it për Cyrih i përshëndeti të pranishmit, dhe i përgëzoi për 7-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Me të përfunduar këto fjalime, nga moderatori i manifestimit u përmend edhe një herë emri i kryetarit të ansamblit «Trojet», z. Zeqir Gashi, për t’i  përshëndetur të gjithë të pranishmit. Menjëherë filloi edhe programi festiv me këngë dhe valle nga ansambli «Trojet», e më pastaj nga ansambli «Vatra», Bülach. Ishte emocionues   programi i fëmijëve, kur kënduan këngët «Zemra zemrës, dorë për dore», «Oj Kosovë, sa fort të dua» etj. Pas këtyre këngëve, u recituan edhe dy këngë nga fëmijët mërgimtarë. Me një prezantim të shkëlqyeshëm, ashtu sikur u prit, u paraqit një vogëlushe e lindur në Slloveni, duke luajtur me violinë, e cila ishte nderuar edhe me mirënjohje në Slloveni, si talente e rrallë. E kjo talente me moshë të vogël, por me talent të madh, Eliza Pintolli,e  ekzekutoi këngën «Moj e bukura more» dhe një këngë të huaj, me të cilat  që mori shumë duartrokitje nga të gjithë të pranishmit, e që nuk ishin më pak se mbi 300 pjesëmarrës. Artistja Ajshe Muriqi-Fetaj këndoi me çifteli dhe më pastaj edhe me lahutë, gjë që vërtet e madhështoi këtë manifestim.

«Myslimanë e katolikë festojmë Bajram e Pashkë»

Pas këtyre dy këngëve të kënduara nga zonja Ajshe Muriqi, me disa valle u paraqit grupi i të rriturve të ansamblit «Trojet». Aktori profesionist Adem Kicaj, ashtu edhe si herët tjera, me një përgatitje maksimale, me një veshje të veçantë dhe të shumëkuptimtë, u paraqit para të pranishmëve me një recital kuptimplotë, duke e përmendur «Mesharin» e Gjon Buzukut, por njëherësh duke treguar dhe u krenuar si komb, për një bashkëjetesë të shëndoshë që e kemi me besime të ndryshme fetare. Myslimanë e katolikë festojmë Bajram e Pashkë, por jemi shqiptarë dhe festojmë shqip. Aktori Adem Kicaj e mbante një libër në duar dhe të pranishmëve, e sidomos të rinjve, ua bënte me dije se ky libër është i vjetër nga viti 1555, por ne shqiptarët jemi shumë të vjetër në këtë zemër të Evropës, prandaj të këndojmë e të mësojmë gjithmonë shqip, pa e harruar këtë gjuhë të shenjtë që e kemi dhe ta ruajmë si sytë e ballit. Disa herë gjatë recitimit, aktori i mirënjohur u ndërpre nga të pranishmit, pas duartrokitjeve të mëdha nga fjalët e bukura e të recituara mjeshtërisht. Adem Kicaj, në njërën anë mbante «Mesharin» e Gjon Buzukut, e në anën tjetër një kandil, që simbolizonte dritë, e drita e një kombi është shkolla. Pasi e përfundoi këtë recital, përsëri fitoi duartrokitje nga e gjithë salla. Ansambli «Trojet», grupi i të rriturve në përkujdesje të Arsim Berisha, dha edhe një pjesë tjetër të programit me disa valle. Gjersa qëndronte në skenë ky ansambël, u paraqit këngëtarja nga Shkodra, Martela Ujka, e cila me dy këngë, pa përcjellje me instrumente, por me një zë të shkëlqyeshëm, i kënaqi të gjithë të pranishmit. Pas këtyre dy këngëve të bukura, në skenë u paraqit ansambli «Vatra» me qendër në Bülach, për ta dhënë një program të pasur me valle. Në këtë manifestim ishte edhe aktorja Fatmire Kajtazi. 

Pas një pjese të bukur me humor, u paraqit edhe Kreshnik Kryeziu, një këngëtar që premton shumë, i cili, me disa këngë në gjuhën gjermane, por me tematikë shqiptare, bëri që publiku të duartrokasë  disa herë me radhë. Më pastaj, në skenë u ftua Mentor Mushkolaj, një këngëtar tashmë i njohur, i cili i  ngriti të gjithë të pranishmit për të vallëzuar. Në fund të këtij manifestimi që të gjithë u ndanë të kënaqur me shpresë se në 8-vjetorin e pavarësisë, Kosova do të jetë krejt më ndryshe. Ne e siguruam edhe një prononcim nga Blerim Bunjaku, kandidat për deputet kantonal dhe nacional për EVP-në, të cilin do t’ua pasqyrojmë së shpejti. (dialogplus.ch)