Home OPIONIONE Në betejë me analfabetët

Në betejë me analfabetët

136
0
SHARE
Nga Lumir Abdixhiku – Sot nuk mund të ketë kompromis në mes të plagjiatit e origjinalitetit, kualitetit e kapërcimit, intervenimit e meritës. Nuk mund të ketë kompromis me analfabetët e uzurpatorët. Ka vetëm një përfundim për ta – është largimi.
-1-

Në ditën që Kosova duhej të shënonte arritjen më të madhe ndërkombëtare sivjet, hapin e parafundit për anëtarësim në organizatën e parë të Kombeve të Bashkuara – UNESCO, analfabetë e uzurpatorë u bënë bashkë për t’i dhënë goditjen, siç ua merr mendja të shkretëve, përfundimtare UP-së; kthimin në kapje.

Do të ketë qenë me siguri vendimi më skandaloz, më i turpshëm, dhe gjithsesi më irritues që ka marrë dikush në Kosovë tash e sa kohë. Anëtarët votues të Këshillit Drejtues, një përzierje e individëve të deleguar nga pushteti dhe parapushteti, kishin votuar – gjashtë sish – me bindje të plotë dhe pa hezitim, në favor të shkarkimit të rektorit. Për bazë po merrnin pretendimet e disa “pro-e-sorëve” skandalozë, avancimi shkel e shko i të cilëve ishte ndërprerë me kohë nga i njëjti rektor. Dhe po, për bazë merreshin edhe thirrjet e një grupi parapolitik e parapartiak studentor, të cilët në dy-tri shfaqjet e vogla që i kishin publikisht, as gjuhë shqipe mirë nuk dinin; kërkonin, të shkretët e të mjerët – medet për ne – afate shtesë të provimeve.
Reaksioni publik i qytetarëve këndej ishte masiv. Ndoshta për të parën herë pati një shpërthim të tillë mllefi e dëshpërimi njëkohësisht. Së paku kështu e kanalizuan këtë ndjenjë kolektive kosovarët në rrjete sociale dhe të nesërmen në rrugë. Një reagim i tillë, unik pra, duket të ketë zgjuar menjëherë vendimmarrësit këndej; hapat e parë të të cilëve bënë rikuperimin e asaj çfarë kishte mbetur për t’u rikuperuar.

-2-

Përpjekja e rektorit nuk ka qenë asnjëherë ekskluzivisht e lidhur me përpjekjen për një institucion arsimor në Kosovë; ka qenë shumë më tepër se kaq. Përpjekja e tij ka simbolizuar të mundurën në këtë vend – pra përpjekjen për transformim shoqëror në dëm të uzurpatorëve e analfabetëve që na kapin e mbajnë të kapur tash e sa vjet.

Këtë kapje, të njëjtët uzurpatorë, e ushtrojnë me procedura tërësisht demokratike (në libra e teori) – por pa demokraci në pikat kyç të procesit; aty ku edhe kurorëzohet mbrapshtia. Kështu, të njëjtët, duke u mbështetur në procese demokratike e të paradefinuara, rrënojnë secilin princip kyç të demokracisë. E bëjnë këtë duke zhveshur këto procese nga të gjitha karakteristikat morale, etike e të mbarësisë – pa të cilat demokracia nuk ka dhe kuptim.

Kështu, në momentin e parë që vendimmarrës të një këshilli apo trupi gjyqësor janë njerëz që aktivisht janë provuar në parti politike, kanë shfaqur publikisht e vazhdojnë të shfaqin ende preferenca partiake, atëherë më nuk bëhet fjalë për përpjekje të drejtë – pavarësisht se cilën procedurë ndjek e cilën letër mbush me “tika”, por po bëhet fjalë për ndikim të interesave grupore a klanore – me motive e implikime partiake e politike. Procedurat e tilla janë të replikuara gjithandej sot. Në borde, agjenci, trupa quasi të pavarur politikë. Thuajse Kosova nuk ka mjaftueshëm individë të papërfshirë, të ditur e me integritet, që në fund mund dhe të japin një mendim të drejtë. Të drejtë për interesin e këtyre taksapaguesve, të rëndë për gjithë uzurpatorët aty.

-3-

Universiteti i Prishtinës merr çdo vit rreth 30 milionë euro para të taksapaguesve kosovarë; nga të cilat 22 milionë janë vetëm paga. Për këtë fakt, ai mbetet dhe interes i grupeve të ndryshme që përtej plotësimit të defekteve intelektuale që i kanë, provojnë që me kapjen e këtij institucioni të sigurojnë edhe një të ardhme të qetë financiare – për veten natyrisht.

Për të siguruar këtë qetësi, individë ish-politikë të akomoduar si udhëheqës departamentesh e fakultetesh – që në paraqitjet e tyre as shqip nuk shkruajnë mirë (kujtoni emërtimet “dekanë” që i bëjnë vetes), ndërtojnë grupe ndjekësish përreth. Këta janë rëndom studentë të përjetshëm, me probleme serioze në mësimnxënie. Studentët e tillë, që arritjen më të madhe në karrierë e kanë daljen në foto me një figurë mediokre të partisë, organizohen në grupe studentore, jo më për të shërbyer ndonjë qëllimi për kualitet, por për të mbrojtur të njëjtët “pro-e-sorë” që i mbajnë si padronë e shembull të arritjes eventuale të tyre karrieriste. Kaq ua kap mendja.

Kështu, të dy grupet bashkë përbëjnë dhe një Senat. Të dy grupet bashkë, promovojnë edhe avancime e tituj akademikë pa fije kriteresh, pa fije përpjekjesh, pa fije angazhimi akademik apo kontributi shkencor. Të dy grupet bashkë provojnë dhe provime shtesë, regjistrime shtesë, lista shtesë – falje shtesë. Të dy grupet bashkë tregojnë se qëllimi nuk është më dija e mësimnxënia, por është kapërcimi sa më i shpejtë i disa procedurave – që për ta mbesin krejtësisht teknike – për të marrë një privilegj. Mësimdhënësit për të marrë titullin “pro-e-sorë” e mësimnxënësit për të marrë titullin “të diplomuar Mr.Sc.Ing.Bsc – futjakot”; për t’iu shtuar shkronja emrave përpara – pa asnjë peshë mbi to. Nuk mërzitet asnjëri. E tëra çfarë kanë në mend, të gjorët, është marrja e privilegjit e shitja e autoritetit mbi ato pak grupe familjare e shoqërore që i rrethojnë, kur t’ju vjen rendi për fjalë në ndonjë odë.

-4-

Procesi i tolerimit dhe i promovimit të uzurpatorëve tregon se Kosova është në një krizë intelektuale – dhe në një theqafje politike. Në krizë intelektuale, sepse përpjekjet e individëve për të bërë mbarësi, eventualisht do të pengohen nga një sistem i tërë individësh pa integritet e pa guxim për të menduar drejt e barabartë për të gjithë. Përtej të gjithave, humbja e rektorit, qoftë edhe si formë e përkohshme, dëshmon se sa i vetmuar mbetet secili që provon të ndryshojë diçka këtej. Të lënë vetë: politika, intelektualët, taksapaguesit, secili vetëm për vete. Një shoqëri pasive e pranuese e mbrapshtisë nuk prodhon shpresë – prodhon dëshpërim.

Por mbi të gjitha, dëmi më i madh i kësaj shoqërie nuk vjen nga uzurpatorët e mbrojtësit e tyre. Dëmi më i madh i kësaj shoqërie vjen nga mosreagueshmëria e një gjenerate të tërë studentësh, rreth gjashtëdhjetë mijë sish, të shurdhër e të painteresuar për të mbrojtur veten. Kështu e kupton se ky vend nuk ka më puls që bën reagimin. Se janë të topitur të gjithë, edhe atëherë kur bëhet fjalë për fatin e tyre jetësor – dijen. Ç’është e vërteta, këta dhjetëra e mijëra spektatorë të fatit të tyre, të tillët që tolerojnë një grusht analfabetësh mësimdhënës e rrahagjoksësh t’i dërgojnë për në theqafje, nuk meritojnë as ato copë letra që i thirrin diplomë. Padituria e përjetshme nga “fabrika e paditurisë” është shpërblimi më meritor i tyre. Të rrinë të padije e të papunë!

Por në këtë fat nuk guxojmë t’i lëmë gjeneratat e tjera; fëmijë të shkollave që nesër përfundojnë si lëndë e parë në këtë “fabrikë paditurie”. Për hir të tyre sot duhet marrë anë. Anë për një ide që promovon reformën; e ky promovim më nuk ka mes. Sepse, nuk mund të ketë kompromis në mes të plagjiatit e origjinalitetit, kualitetit e kapërcimit, intervenimit e meritës. Nuk mund të ketë kompromis me analfabetët e uzurpatorët. Ka vetëm një përfundim për ta – është largimi.

Prandaj, betejës për reformë duhet shkuar deri në fund. Nuk mjafton më vetëm rikuperimi i një gabimi, dhe me këtë edhe tërheqja e vërejtjes se mund të shkarkojmë sa herë që prish pazare politike. Por duhet shkuar deri në fund; deri në largimin përfundimtar të uzurpatorëve të arsimit.
Ky largim do të hapte rrugë për njerëz të rinj, individë me integritet e dije, që do të promovonin mjetet më moderne shkencore sot – jo më doktoratat me luftëra për një grykë diku në Kosovë – por me një kulturë të re arsimore, kërkimore e shkencore këndej. Kjo kulturë e re arsimore do të niste një cikël të ri perceptimi mbi arsimin, ku puna e jo pjesëmarrja ka rëndësi. Në këtë rrjedhë, ky vend do të mund të nxirrte gjenerata të reja që nuk kërkojnë më status-quo e shkel e shko, por kërkojnë ngritje e përmirësime të vazhdueshme. Nga ta do të lindë një brez i ri reformatorësh në secilën sferë tjetër të organizimit tonë shoqëror.

Kjo klasë politike nuk ka vetëm obligim moral, por edhe ligjor e institucional – para së gjithash, kërkesë qytetare –çkapjen e arsimit dhe largimin e të padobishmëve nga aty. Rektori i tanishëm është një fillim i mirë në këtë drejtim; të tjerët do të vijnë pas tij.