Home Aktuale Myftiu Saqipi, në vizitë zyrtare Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Myftiu Saqipi, në vizitë zyrtare Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

37
0
SHARE

Të enjten e 14 marsit, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendësreis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, i shoqëruar nga pjesëtarët e kabinetit të tij dhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për të përgëzuar kryetarin H. Bujar Spahiu, me rastin e zgjedhjes së tij, në kreun e këtij institucioni të lartë fetar.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ndonëse të enjten e 14 marsit e kishte ditë pushimi për shkak se kjo datë bie festën e Ditën e verës, një kremte tashmë kombëtare pushimi në shtetin amë, ai, me kënaqësi priti për një vizitë miqësore Kreun e Bashkësisë Islame për Preshevën, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM), homologun e tij, Myftiun e nderuar Nexhmedin ef. Saqipi.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Luginës së Preshevës, Myftiu Saqipi, me të uruar zgjedhjen meritore të kryetarit Spahiu, në krye të institucionit, shfrytëzoi nga rasti të prezantoj jetën politike, ekonomike, arsimore të shqiptarëve në rajonin e Luginës, me theks të veçantë gjendjen e besimtarëve shqiptarëve, të arriturat dhe sfidat me të cilat ata përballen nëpër periudha të ndryshme kohore.

Gjithashtu, në këtë takim me karakter përgëzimi, u bisedua edhe për format e bashkëpunimit ndërinstitucional fetar mes Luginës dhe shtetit amë, duke marrë si model urat e bashkëpunimit me Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni, të cilës i prinë Reisul Ulema Haxhi Sulejman Rexhepi.

“Vizitat e ndërsjella, janë të një rëndësie të veçantë për komunitet myslimane në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, të cilat shtrihen në shumë republika dhe krahina, ato duhet të lidhin ura bashkëpunimi, duke krijuar një union të përbashkët bashkëpunimi, ngase kultura fetare kapërcen kufijtë dhe lira e saj, toleranca, bashkëpunimi reflektojnë pozitivitet, progresivitet dhe kreativitet”, u shpreh plot krenari Myftiu Saqipi.

Nga ana e tij, Kryetari Spahiu i falënderoi për vizitën dhe urimet me rastin e zgjedhjes së tij në krye të KMSH-së, si dhe “shprehu vullnetin e tij që marrëdhëniet e mira ndërmjet dy institucioneve fetare të intensifikohen më tej në të mirë të Islamit dhe besimtarëve myslimanë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë”.

Në fund të takimit, Myftiu Saqipi, në shenjë mirënjohje dhe respekti ia dhuroi një pikturë me pamje të Preshevës dhe një libër publicistik Opinione nga Lugina e Preshevës, autor i së cilës është vet kryetari Myftiu Saqipi, ngjashëm veproi edhe H. Bujar Spahiu, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili nuk la pa shprehur gatishmërinë e tij për ta vizituar Luginën e Preshevës, njofton Jetapress.