Home Aktuale Musliu: BE të veprojë njëjtë, si për serbët e Kosovës, ashtu edhe...

Musliu: BE të veprojë njëjtë, si për serbët e Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët në Luginë

104
0
SHARE

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, në emisionin ”Info Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se gjendja e nxënësve shqiptarë në Luginë të Preshevës është e rëndë, sepse sipas tij, ata po ballafaqohen me mungesë të librave.

Ai ka thënë se librat që janë dërguar nga Kosova për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës janë në terminalin doganor në Preshevë.

“Janë bërë tre muaj që dy kamionë të mbushur me libra shqip kanë mbetur në terminalin e Preshevës. Mendoj se kjo ndalesë është politike, sepse tekstet mësimore janë legale. Nxënësit e klasave të para, në mungesë të librave janë duke marrë shënime”, ka theksuar Musliu.

Ai ka folur edhe për iniciativën e mëhershme të kreut politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që edhe ata ta themelojnë Asociacionin e Komunave të Luginës së Preshevës, njëjtë si Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet në Kosovë.

“Nuk e kemi lënë në harresë asociacionin, por presim ta finalizojmë çështjen e statutit, përmes të cilit do të sqarohej mënyra e funksionimit.

“Kemi marrë konfirmimin se pjesë e Kuvendit të asociacionit do të jenë edhe deputetët shqiptarë të Kuvendit komunal të Medvegjës. Ky asociacion do t’i ketë 48 këshilltarë. Shteti serb ka paralajmëruar se do të vijnë ta pengojnë themelimin e këtij mekanizmi me polici dhe me ushtri. Kemi vendosur dhe do të themelojmë asociacionin. Brukseli duhet te veprojë njëjtë si për serbët në Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka shtuar Musliu.