Home LAJME Mospastrimi i listës zgjedhore, vë në pikëpyetje zgjedhjet

Mospastrimi i listës zgjedhore, vë në pikëpyetje zgjedhjet

614
0
SHARE

Organizatat joqeveritare të cilat ndjekin proceset zgjedhore në Maqedoni, thonë se shkelja e afateve të parapara sa i përket kryqëzimit të të dhënave nga shumë institucione për pastrimin e listës zgjedhore, vë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e caktuar, më pesë qershor.

Përderisa nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëjnë të ditur se pas miratimit të raportit të punës që ka të bëjë me azhurnimin e listës së votuesve pas kontrollit përmes kryqëzimit të të dhënave nga shumë institucione të vendit, menjëherë do të fillohet me kontrollin në teren.

“Në bazë të pyetësorëve të cilat jemi duke i realizuar jemi shumë afër që të gjitha anomalitë të cilat kanë ekzistuar në listën e votuesve deri më tani duke aplikuar metodologjinë e kryqëzimit të të dhënave dhe kontrollit në teren, të eliminohen të gjitha dilemat dhe në fund, atë që ne do ta shpallim si listë të votuesve të jetë e besueshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë” thotë për Radion e Evropa e Lirë, Subhi Jakupi, nënkryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ai shprehet i bindur se zgjedhjet mund të mbahen më pesë qershor, duke theksuar se ka kohë të mjaftueshme për shmangien e të gjitha anomalive të cilat shfaqen në listën e votuesve pa dashur të precizojë numrin e tyre.

“Gjithsesi se po ngase nga rezultatet përfundimtare me të cilat ne disponojmë si institucion nuk do të kemi ndonjë numër alarmant të atyre që janë pjesë e listës zgjedhore e për të cilët do të duhet të verifikohen të dhënat edhe në teren andaj besojmë se këtë proces shumë shpejtë do të mund ta përmbyllim”,thekson Subhi Jakupi, nënkryetar i Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve.

Po me këtë qëndrim nuk pajtohen njohësit e çështje politike si dhe organizatat joqeveritare të cilat në fokus të aktiveteve të tyre kanë monitorimin e proceseve zgjedhore.

Xhabir Deralla nga organizata joqeveritare “CIVIL” e cila ka qenë më e zëshme sa i përket parregullsive gjatë proceseve zgjedhore në Maqedoni, dhjetë viteve të fundit, thotë se pas informatave të para të cilat “’rrodhën” po nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në media dhe sektorin civil, në pah dolën më shumë anomali, duke filluar nga ajo se në listën zgjedhore ka mbi 100 mijë votues fiktiv.

“Me vite kemi theksuar se lista e votuesve në Maqedoni është në një gjendje katasrofale, por kjo që tani shohim është se gjendja është shumë e keqe sa i përket azhurnimit të të dhënave, madje ka tejkaluar të gjitha analizat dhe parashikimet tona në aspektin negativ”.

“Kemi të bëjmë me një situatë dramatike, dhe është koha e fundit që të gjitha institucionet shtetërore të cilat obligohen me ligj të krijojnë kushte për realizimin e zgjedhjeve sipas kritereve që kërkohen nga bashkësia ndërkombëtare dhe më vonë të mendohet për datën e zgjedhjeve”, thekson Xhabir Deralla.

Edhe Temellko Ristevski, njohës i çështjeve politike, ligjërues i administratës publike në Universitetin Evropian në Shkup, konsideron se nevojitet më shumë hapësirë kohore për t’u pastruar lista e votuesve e cila siç është shprehur, është më shumë se kaotike.

“Afati i përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor është i shkurtë. Megjithatë nëse për këtë gjë do të angazhoheshin të gjitha institucionet përkatëse edhe mund të arrihet që të përfundojë me sukses i gjithë procesi për të pasur një listë të mirë zgjedhore”, thotë Ristevski.

Në pastrimin e listës zgjedhore krahas ekspertëve të vendit janë të angazhuar dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Ndërkohë përfaqësuesit diplomatik në Maqedoni, disa herë kanë theksuar se pa u pastruar lista zgjedhore nuk mund të krijohen kushte për një proces zgjedhor të besueshëm.