Home OPIONIONE Mos u fshihni pas ndërkombëtarëve

Mos u fshihni pas ndërkombëtarëve

195
0
SHARE
Nga Milaim Shefkiu – Ka disa vite, ndoshta gjatë gjithë pasluftës, që politikanët në Kosovë, kryesisht ata të institucioneve, që dështimet e veta i arsyetojnë me të njëjtin refren: “po na thonë ndërkombëtarët”.
Mos i mbani zgjedhjet se po na thonë ndërkombëtarët; Mos shkoni në veri se po na thonë të huajt; Mos bëni koalicion me këtë parti, me atë parti, me filanin e fistekun, se po na thonë ndërkombëtarët; nënshkruajeni marrëveshjen me Serbinë se po na thonë ndërkombëtarët; mos e prekni kufirin se po na thonë…

Edhe të hënën në një komunikatë për media lëshuar nga Qeveri e Kosovës u tha se me rekomandimin e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së SHBA-ve, po anulohet zbatimi i Marrëveshjes për letërnjoftimet e lëshuara nga strukturat paralele serbe. Vendimi i proklamuar si i prerë nga ministrja për Dialog Edita Tahiri, ishte se me letërnjoftime ilegale serbët kosovarë nuk mund të hyjnë me në territorin e Kosovës nga data 18 prill. Por, ende pa filluar së zbatuari vendimi i “prerë”, ai u anulua me arsyetimin se po iu thonë ndërkombëtarët.

Tani nuk dihet nëse janë ndërkombëtarët, apo kërcënimi i serbëve të veriut, se do ta bllokojnë pikëkalimin në Jarinjë nëse nuk zhbëhet vendimi. E për këtë çështje Beogradi bashkë me BE-në kërkuan takim urgjent në Bruksel për t’ia ngrehur veshët Prishtinës se nuk është në situatë të vërë bllokada.

Por, ajo që është e papranueshme dhe jo e sinqertë, është pazari “pa hanxhiun” ose bëjnë “hop” pa e kapërcyer gropën septike.

Vendimi i ministres Tahiri është shumë me vend në një shtet që ka kapacitet të nevojshëm për ta zbatuar urdhrin, por në situata të caktuara që një grup i vogël huliganësh ta ndërrojnë qëndrimin, kjo i bie sa për t’u bërë horë.

Sikurse të ishte lëshimi i parë i Qeverisë përballë Beogradit, do të kapërdihej më lehtë. Por, kjo Qeveri ka lëshuar pe në të gjitha marrëveshjet. Dhe në të gjitha lëshimet, ka qenë justifikimi i njëjtë: ndërkombëtarët…

U bë lëshimi me librat.

Ishte donacioni i parë i Qeverisë së Kosovës për nxënësit në Luginën e Preshevës dhe nuk u realizua. Librat gjashtë muaj qëndruan në pikën kufitare te Dheu i Bardhë dhe nuk arritën destinacionin, ndërsa Qeveria kërcënoi me reciprocitet ndaj serbëve. Kjo, jo që nuk ndodhi, por serbët e Kosovës përveç që mësojnë me librat dhe planprogramin e Ministrisë serbe të Arsimit, por edhe pushimin vjetor e shfrytëzojnë me atë të Serbisë.

Përveç librave, lëshimi tjetër ishte ai për targat.

U çua pluhur e u përdorën frazat më të zjarrta folklorike nga Prishtina se do të ketë reciprocitet dhe se brenda pak ditësh edhe Kosova do të zbatojë “targa provuese”, por as kjo nuk ndodhi. Garant i kanë fajet ndërkombëtarët, që nuk ka as targa RKS e KS e lëre më provuese. Pra, Qeveria e Kosovës u pajtua që kosovarëve t’u vendosen targa “Probna” vetëm të mos rebelohen ndërkombëtarët.

Nuk janë vetëm këto lëshime apo dështime të Qeverisë së Kosovës karshi Serbisë.

Është edhe çështja e diplomave, e kodit telefonik, e barrikadës mbi urën e Ibrit, e strukturave paralele, e mbi të gjitha fermani i lëshuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, për t’ua ndaluar zyrtarëve serbë të bëjnë fushatë zgjedhore në Kosovë. Për këtë ferman as që deshi të dëgjojë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ironizoi me ministrin Petrit Selimi, se “nuk po e shoh askënd prej atyre që kanë folur për ndalesën”.

Gjuriq u tall me sigurinë e Kosovës e cila nuk arriti as ta legjitimojë.

Prandaj mos merrni vendime për diçka që s’mund t’i zbatoni ose t’i realizoni sepse dilni “palaço”. Ndryshe mos u fshihni gjithmonë pas ndërkombëtarëve, sepse populli s’i ha ato fore.