Home Aktuale Ministër, në QKUK s’ka as citostatikë për të sëmurët me kancer

Ministër, në QKUK s’ka as citostatikë për të sëmurët me kancer

100
0
SHARE
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës s’kanë as citostatikë për trajtimin e pacientëve të prekur nga kanceri. Zyrtarët e QKUK’së kanë thënë se kanë bërë kërkesë për furnizim me citostatikë, derisa në Ministri të Shëndetësisë kanë treguar vetëm për procedurat se si bëhet furnizimi me barna për QKUK’në

Pacientët e prekur nga kanceri kanë mbetur pa citostatikë për shkak se kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë furnizuar me barna Institutin e Onkologjisë.

Zyrtarët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë konfirmuar se kanë bërë kërkesë për furnizim me citostatikë dhe të njëjtën listë ua kanë dërguar edhe operatorëve ekonomik por se ende s’kanë marrë barnat e kërkuara.

“Instituti i Onkologjisë ka bërë kërkesë për furnizim me citostatikë dhe me barnat tjera të nevojshme, kërkesa i është drejtuar barnatores qendrore, e cila ka hartuar kërkesën, bazuar në planifikimin e Institutit të Onkologjisë. E njëjta është miratuar nga Agjencioni për Financim të Shëndetësisë në MSH dhe është proceduar tek operatorët ekonomik për furnizim”, thuhet në përgjigjen e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e QKUK’së.

“Pra QKUK është në pritje të furnizimit i cili do të ndodhë shpejtë”.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë përgjigjur se kur do të bëhet furnizimi i Institutit të Onkologjisë me citostatikë, por kanë treguar se cilat janë procedurat e shpërndarjes së barnave.

“Ministria e Shëndetësisë ka decentralizuar furnizimin me barna dhe material shpenzues dhe prej janarit 2014, vet spitalet i bëjnë planifikimet, porositë dhe blerjet drejtpërdrejt prej operatorëve ekonomikë me të cilët janë lidhur më parë kontratat. Prej buxhetit që u është ndarë spitaleve për barna dhe material shpenzues, për tri nivelet është 22.5 milionë euro (vetëm QKUK i ka mbi 11 milionë) , rreth 5 milionë janë vetëm për citostatikë”, ka thënë Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Veç kësaj, Hoti ka treguar se një pjesë e citostatikëve dhe barnave që përdoren për shërimin e kancerit do të sigurohen edhe nga donatorët.

“Furnizimet behën një herë në muaj, por që të mbulohen të gjitha nevojat me citostatikë, sipas mjekëve në Onkolgji, duhen vetëm për këtë kategori rreth 9.800.000 euro, ndërsa sipas buxhetit në dispozicion vetëm për citostatikë janë rreth 5 milionë. Do të provohet që një pjesë e mirë të mbulohen edhe me ndihmën e donatorëve, kurse disa lloje të citostaikëve do të sigurohen përmes MSh-së, me rekomandim të specialistëve të QKUK-së, për ato lloje të cilat mungojnë kohë pas kohe”, ka shtuar ai.

Ndryshe, vetëm vitin e kaluar në Kosovë janë regjistruar rreth 700 raste të reja me kancer, derisa në botë, vitin e kaluar, janë diagnostikuar me ketë sëmundje 14 milionë raste të reja.

LEAVE A REPLY