Home SPORT Messi: Unë si Maradona? Pasi të fitoj Botërorin…

Messi: Unë si Maradona? Pasi të fitoj Botërorin…

206
0
SHARE

Titulli në La Liga mund të jetë goma e shpëtimit për një sezon të dobët, një dedikim për të ndjerin Tito, por ndoshta edhe një fund i bukur i aventurës një vjeçare për Martinon në stolin e Barcelonës. Ylli i blaugranave, Lionel Messi e cilësoi tepër të pazakontë kampionatin e këtij sezoni, ndërsa foli për ambiciet e tij me klubin, por edhe me kombëtaren argjentinase.

“Duam ta fitojmë titullin në La Liga pas gjithë atyre gjërave që kanë ndodhur dhe për t’ia dedikuar Tito Vilanovës. Ky kampionat deri tani ka qënë i rrallë me tre skuadra që kanë bërë shumë gabime dhe nuk kanë fituar ndeshje, që në fakt duhet të ishin fituar. Tani jemi me fat sepse gjithçka e kemi vetë në dorë. Nuk e di nëse ky titull do ta shpëtonte sezonin tonë, por është i rëndësishëm”.

Nuk la vend për keqinterpretime kur u pyet se çfarë do të ndodhë me trajnerin Tata Martino, do të lartohet apo do të qëndrojë, megjithatë Messi uroi që një ditë ai të ulet në stolin e La Selecion. Për Botërorin tha se Argjentina është gjithmonë e detyruar të luftojë, konsiderohet favorite dhe vjen në një moment të mirë për të bërë diçka të madhe në Brazil. Në fund Messi iu përgjigj një nga pyetjeve që i bëhen gjithmonë, a është ai pasardhësi i legjendës Diego Maradona?

“Krahasimi me Maradonën është një kompliment shumë i bukur, por nuk mund ta pranoj ende diçka të tillë. Ai ka bërë shumë për kombëtaren dhe unë mendoj se një lojtar nuk mund të konsiderohet i madh deri sa të ketë fituar Kupën e Botës. Shpresoj ta arrij këtë në Brazil, por deri atëherë nuk dua të flas për veten si më i miri i futbollit”./luginapress/