Home SPORT Mediat spanjolle “kryqëzojnë” Barcelonën

Mediat spanjolle “kryqëzojnë” Barcelonën

82
0
SHARE

Me shanset më të reduktuara për titullin pas rrëshqitjes në Los Carmenes, mediat spanjolle nuk janë treguar aspak tolerante ndaj Barcelonës e Tata Martinos me një lum kritikash që i cilësojnë blaugranat si skuadër shterpë, të çekuilibruar dhe të pafat. Edhe më të ashpra të përditshmet katalanase që arrijnë deri aty sa të kritikojnë edhe të paprekshmin Leo Messi, për të cilin shkruajnë “I zhdukur, ishte hija e vetvetes”. Ndërkohë edhe më bombastik është kryetitulli i gazetës Sport, që analizën e hap me fjalët “Lamtumirë La Liga, lamtumirë Tata, lamtumirë…” e më në brendësi shkruan se impotente në kërkim të golit, Barcelona gjendet sërish në vendin e tretë pas triumfit në El Clasicon me Realin e Madridit. Sport nuk lë pa i dhënë shuplaka edhe Tata Martinos me lamtumirën e paralajmëruar të argjentinasit që në titull, ndërkohë që nënvizon se tekniku nuk di si të reagojë, e mban Messin të shkëputur nga ekipi dhe dy zëvendësimet jo vetëm që ishin të gabuara por edhe të vonuara.

Më dashamirëse tregohet El Mundo Deportivo që shkruan “Barça largon titullin përballë Granadas”, ndërsa thekson se blaugranat nuk e meritonin këtë humbje, edhe pse loja e skuadrës komentohet si e trishtueshme me Messin të zhdukur në fushë e me Neymar që shfaqi ambicie e krenari. Nga gazetat e Madridit, prestigjiozja AS ka si kryetitull “Lamtumirë Barça”, ndërsa edhe këtu nuk mungojnë kritikat për zgjedhjet e Martinos, si dhe për lojën e dyshes Messi-Neymar. E përditshmja tjetër pro madrilene, Marca, ironikisht në faqe të parë jep festën e Gareth Bale dhe fitoren e Los Blancos, ndërkohë që Messin e shfaq me duar mbi kokë dhe titulli që e shoqëron është “Një ëndërr, një makth”, e para i referohet Realit që ka të drejtë të besojë deri në fund dhe tjetra rënies së lirë të Barçës që përjetoi humbjen e dytë brenda një jave, pas eliminimit nga Atletico në Champions. Më në brendësi, Marca vijon me fjalët se kjo Barcelonë nuk po arrin ta ngrejë kokën, e paaftë për të shënuar duke patur një nga sulmet më të mira në botë.