Home Aktuale Më 12 shtator, episodi i dytë i shfaqjes teatrale në Kuvend

Më 12 shtator, episodi i dytë i shfaqjes teatrale në Kuvend

98
0
SHARE

Analisti politik, Shpend Kursani, në një intervistë për Tribuna, thotë se në seancën konstituive të 12 shtatorit pret episodin e dytë të shfaqjes së kaluar teatrale që u mbajt në seancën e 17 korrikut. Ai thotë se ende ekziston mundësia e një marrëveshje mes PDK-së dhe njërës apo më shumë partive të bllokut opozitar. Sipas tij, blloku paszgjedhor LDK-AAK-Nisma ka të drejtë që insiston në kryeparlamentar, pasi që sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i padrejtë për një republikë parlamentare

Tribuna: Çfarë prisni nga seanca konstituive e 12 shtatorit?

Shpend Kursani: Pres episodin e dytë të shfaqjes së kaluar teatrale që u mbajt në seancën e 17 korrikut. Do të duhet të jetë interesante po aq sa episodi i parë. Kësaj radhe me aktorë më të përgatitur për punë teatrale. Po flitet që PDK-ja do të mund të ketë blerë deputetë nga partitë e bllokut anti-PDK.

Kjo vetëm se do të mund ta bëjë edhe më interesante këtë shfaqje, sepse në qoftë se kjo del e vërtetë, atëherë qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë unike që ta shohin padrejtësinë e këtij sistemi si të tërë, ku kjo krijon shpresë për hapat që qytetarët duhet ndërmarr për ta delegjitimuar sistemin si të tërë.

Seanca e 12 shtatorit ka shumë gjasë që ta thellojë krizën politike në vend, dhe si e tillë të ndikojë në pakënaqësi të përgjithshme qytetare që mund ta shpërthejë balonin e durimit të qytetarëve. Kjo për arsye se kriza politikë tashmë është e qartë që ka ndikuar që shumë procese të tjera ekonomike të lidhura me sektorin publik të ndërpriten. Kjo paraqet rast të veçantë për shpërthim të pakënaqësisë qytetare.

Tribuna: A mendoni se ka hapësirë për marrëveshje mes PDK-së dhe partive të bllokut?

Shpend Kursani: Po. Mendoj se ende ekziston mundësia e një marrëveshje mes PDK-së dhe njërës apo më shumë partive të bllokut opozitar. Këtë nuk e them vetëm për faktin se partitë e bllokut opozitar po ashtu janë të etshëm për pushtet, por se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar aso rrethanash që e ka fuqizuar PDK-në më shumë se do ta meritonte nga pesha e votave që ka fituar.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë PDK-në faktor kyç politik në vend. Kjo gjykatë e ka sjellë një situatë me dy opsione: o me PDK-në në qeveri, o në zgjedhje të reja. Mendoj se kjo është e padrejtë në një republikë parlamentare, e aq më e padrejtë në një sistem demokratik të mirëfilltë.

Si rrjedhojë, sipas Gjykatës Kushtetuese, blloku i ka dy opsione: o të bëjë një marrëveshje me PDK-në, o të bëjë revolucion e ta përmbys sistemin kushtetues në vend, në rast se dëshiron ta refuzojë PDK-në në vazhdimësi. Andaj, duke e ditë që partitë e bllokut nuk janë parti aq revolucionare, mbetet që të zgjedhin mes PDK-së dhe zgjedhjeve të reja, ku kjo e dyta po ashtu nuk do të jetë edhe aq e këndshme për bllokun.

Tribuna: A duhet qe LAN të insistoj që ta ketë kryeparlamentarin edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ua mundëson një gjë të tillë?

Shpend Kursani: Insistimi i tillë mendoj se është i drejtë, sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i padrejtë për një republikë parlamentare, i cili vendim ka bërë që vullneti i partisë që i fiton zgjedhjet, e jo vullneti i shumicës të marrë udhëheqjen e vendit.

Mirëpo nëse LAN-i insiston në një gjë të tillë, atëherë ata do të insistojnë për revolucion, gjë e cila nëse planifikohet mirë, do të mund të sjellë një regjim më demokratik në vend dhe një kushtetutë më të drejtë për funksionimin e vendit dhe për qytetarët në përgjithësi. Por nëse një gjë e tillë insistohet për inate personale ku punohet me muskuj për interesa personale, e jo me mendje të shëndoshë për interesin e vendit, atëherë do të përfundojmë shumë keq.

Tribuna: A mund të përsëritet seanca konstituive e kaluar?

Shpend Kursani: Me shumë gjasë mund të përsëritet. Një gjë të tillë e ka mundësuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, aktgjykim i cili në njëfarë forme i shantazhon partitë e bllokut duke i vendosur ato në një pozitë: o me PDK-në, o në zgjedhje të reja.

Duke parë se blloku nuk po lëshon pe deri më tani, nuk ka ndryshe përpos që të përsëritet seanca e kaluar. Mirëpo mbetet të shihet se a është blerë ndonjë deputet i LAN-it nga PDK-ja. Por edhe nëse është blerë, qeveria e cila do të mund të krijohej me deputetë të blerë do të jetë jo stabile dhe e rrezikshme për interesin e vendit.

Kjo sepse nëse kemi deputetë të cilët mund të blihen nga grupe të organizuara kriminale për interes të pasurisë së tyre personale dhe të pushtetit, atëherë si mund të mos blihen këta deputetë edhe nga interesa të jashtme “miqësore” e armiqësore. Një qeveri e cila krijohet me para të një partie do të punojë vetëm për të fituar para për atë parti.

Tribuna: Si e shini daljen nga kriza?

Shpend Kursani: Ka dy opsione si të dilet nga kriza, varësisht se a dëshirojmë të dalim nga një derë e cila e çon Kosovën në humnerë, apo nga një derë e cila jep shpresë për vendin. Nëse ndiqet kushtetuta e vendit dhe aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, atëherë do të dilnim nga dera e parë, pra do të dilnim tek një sistem edhe më i padrejtë. Pra kjo derë të çon tek dalja e krizës, mirëpo një gjë e tillë nuk është as republikane e as demokratike. E ajo do të ishte që vullneti i shumicës t’i nënshtrohet vullnetit të pakicës.

Ndërkaq, për të dalë nga dera e dytë do të duhet shumë kurajë dhe shumë guxim. Pra, duhet të kundërshtohet kushtetuta e padrejtë, jo vetëm në dimensionin e paqartësive procedurale, por edhe në padrejtësitë tjera që përmban Kushtetuta e Republikës së Kosovës për nga thelbi i funksionimit demokratik të vendit. E kjo kërkon që ngërçi politik të shpërthejë së pari në një debat mbarëshoqëror, për atë se si shoqëria në Kosovë do të donte ta shihte Kosovën në të ardhmen, e më pastaj edhe ballafaqim me interesat e jashtme të padrejta që ushtrohen mbi Kosovën për ta parandaluar një gjë të tillë.

Mendoj se ka mundësi dhe kapacitete që të dilet nga kjo derë, në qoftë se qytetarët e Kosovës kundërshtojnë partitë dhe programet politike që janë vu në përdorimin e shtetit për përfitime të pushtetit dhe sistemit të padrejtë. Ata duhet të punojnë në delegjitimimin e pushtetit, që i bije në demaskimin e tyre.

Tribuna: Në rast të pamundësive tjera, a mendoni se duhet të ketë një qeverisje gjithëpërfshirëse apo të shkojmë në zgjedhje drejtpërdrejtë?

Shpend Kursani: Nuk duhet të ketë as qeveri gjithëpërfshirëse e as zgjedhje të reja. Them se nuk duhet të kemi qeveri gjithëpërfshirëse sepse një qeveri e tillë vetëm se do ta legjitimonte këtë Kushtetutë, rrjedhimisht këtë sistem të padrejtë. Një qeveri gjithëpërfshirëse shumë më lehtë do të futej në negociata me Serbinë; shumë më lehtë do të bënte kompromise me Serbinë; dhe shumë më lehtë do ta legjitimonte kthimin e Serbisë në kohë paqe ne Kosovë, ashtu siç ka bërë qeveria në ikje.

Kjo do të ndodhte sepse opozitë të mirëfilltë nuk do të kishte me një qeveri gjithëpërfshirëse, sidomos në një situatë kur Kosova nuk ka as shoqëri civile aktive e cila në vazhdimësi po punon sikurse pushteti për interesat e saja e shumë, shumë pak për interesat e vendit. Në anën tjetër, zgjedhjet e reja do ta zgjasnin një situatë boshe politike, shoqërore dhe ekonomike, dhe si rrjedhojë do ta rëndonte qytetarin e Kosovës.

Zgjedhjet e reja vetëm se do t’i ripoziciononin blloqet politike përbrenda sistemit të padrejtë, sistem i cili do të përdorej nga qeveria e ardhshme për përforcim të partive pjesëmarrëse në të, dhe assesi për përfitimin e Kosovës dhe shoqërisë në të. /Tribuna/