Home OPIONIONE Mbi pushtetin arrogant dhe opozitën e radikalizuar

Mbi pushtetin arrogant dhe opozitën e radikalizuar

155
0
SHARE
Nga Faton Ismajli – Kosova asnjëherë nuk ka qenë më afër shpërthimit qoftë në fushën politike, qoftë në atë sociale. Kur të dyja këto bëhen bashkë do të sjellin gjendje të pakthyeshme të dhunës dhe terrorit. As zgjedhjet nuk do të mund të shpëtojnë.
Prandaj, është e domosdoshme që gjendja e krijuar të zgjidhet me dialog dhe me marrëveshje mes palëve, e jo me këmbënguljen që detyrimisht vendi të futet në dhunë, qoftë të revolucionit të opozitës së radikalizuar dhe pa strategji dalëse, qoftë të pushtetit arrogant që po e mbulon pafuqinë e tij me përdorim të forcës.
Ka një fije shprese që politika në Kosovë të kthehet nga armiqësia në rivalitet, po sikur partitë politike dhe liderët e tyre të ulen e të tregojnë se çfarë realisht duan. Ka edhe më pak se një fije besimi se një gjë e tillë mund të ndodhë në një skenë politike plot polaritet të skajshëm dhe me tendencë të ngufatjes së mendimit dhe idesë për t’u ulur që pashmangshmërisht çon drejt, jo një krize, por dhune, të cilën të gjithë e presin dhe askush s’mund ta ndalojë.Është e pakuptimtë se si një seancë e Kuvendit, që me aq fanatizëm u kundërshtua nga partitë opozitare, të vazhdojë në një mënyrë klandestine dhe me aq këmbëngulësi nga ata që përbëjnë shumicën, për t’u votuar dy ligje. Një nga ta është edhe Ligji i të ushqyerit me gji, që rrjedhimisht i bie të mbrohen nënat të cilat, me aq paturpësi, i fyeu kryekuvendari Veseli, në një përpjekje të paqëndrueshme për t’u përballur me një nënë rebele si Albulena Haxhiu.

Nuk është aspak e rëndësishme se në cilën sallë të Kuvendit të Kosovës do të mbahen seancat plenare, aq më pak është e rëndësishme se kush do t’i udhëheqë ato. Kredibiliteti i Kuvendit ka përfunduar me mënyrën e trajtimit të deputetëve ndaj njëri-tjetrit, prandaj është shumë më shumë e rëndësishme të kuptohet se të dyja palët janë të gatshme për dhunë, po aq sa janë të gatshme për të dëshmuar se forca mund ta ndryshojë rendin në shoqëri.

Ky revolucion, që pashmangshmërisht u ngjason revolucioneve të tjera në rajonin e Ballkanit, të zhvilluara në ciklin kohor në 20 vjetët e fundit, e që vështirë do të mund të anashkalojë ose ta tejkalojë Kosovën, ka dy aktorë të gatshëm për përplasje.

Një: opozitën e bashkuar, e cila ka dëshmuar dhe po dëshmon se Kuvendin e Kosovës do ta mbajë nën frikë, kërcënim, dhunë dhe shantazh, që përmes gazit do të provojë ta ndërtojë konceptin e bllokimit të shtetit.

Dhe, dy: pozitën, që e lëkundur, e frikësuar dhe pa vizion, do të provojë ta përdorë forcën e policisë për të dëshmuar se e ka shumicën e plotë në Kuvend, pavarësisht se koalicioni i ndërtuar mes dy forcave politike është sa i pazakontë, aq edhe i brishtë.

Revolucioni në Kosovë, ose mbrojtja e shtetit, gjithsesi se do të bëhet përmes përdorimit të forcës, dhe përfundimisht do ta përçajë edhe më shumë skenën politike në vend, duke e barazuar ose baraspeshuar me skenën politike shqiptare qoftë në Shqipëri, Maqedoni ose edhe në Luginë të Preshevës. Opozita e bashkuar, e cila i ka kundërshtuar me forcë marrëveshjet e Brukselit dhe vijën përkufizuese me Malin e Zi, është e vendosur në qëllimin e saj dhe në mungesë të një strategjie dalëse, do të sillet në një rreth vicioz të dhunës, duke kërkuar të paktën një viktimë me të cilën do ta bëjë fajtor pushtetin për vrasjen e qytetarëve të tij.

Kuvendi do të bartet në rrugë së shpejti dhe problemet në vend do të thellohen më shumë, por zgjidhja nuk do të mund të imponohet nga rruga.

Pushteti, ndërkaq, do të humbet kredibilitetin e tij për shkak të pafuqisë së tij, të përcaktuar nga mosbesimi i ndjellë ndërmjet vetë partnerëve të koalicionit dhe kjo do ta shkaktojë humbjen e mëtejme të besimit të qytetarëve mbi institucionet. Rrjedhimisht, ky trend i rënies së kredibilitetit do të kërkojë veprim të dhunshëm të pushtetit ndaj opozitës, për ta ruajtur partneritetin dhe për të dëshmuar funksionimin e shtetit. Ajo që, megjithatë do të ndodhë, është thellimi i krizës politike në vend, sado që bartësit e të gjitha institucioneve e kanë kundërshtuar këtë vlerësim. Para së gjithash, veprimi i opozitës në rrugë do t’i paralizojë institucionet duke e futur vendin në një krizë jo vetëm politike, por edhe institucionale. Kjo do t’i ndihmojë dëshirës së një pjese të PDK’së për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, pavarësisht se kjo është kërkesë e opozitës.

Opozita e ka të qartë një gjë: që vendimet e BE’së për Kosovën në këtë fazë, përfshirë liberalizimin e vizave dhe MSA’në, nuk varen nga veprimet qoftë brenda apo jashtë sallës së Kuvendit por, nga përmbushja e standardeve. Dhe, e dyta, se me aksionet e saj në Kuvend do ta ndalojë për pak kohë themelimin e plotë të Gjykatës Speciale, ose do ta shtyjë për pak muaj atë.

Pushteti, ndërkaq, do të jetë në një trysni të plotë nga Brukseli për zbatimin me kohë të marrëveshjeve, posaçërisht të asaj për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Një gjë është e qartë: Emërtimi i Asociacionit ka pësuar ndryshime: nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është shkurtuar në Asociacioni i Komunave Serbe dhe nga roli i koordinimit të komunave me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit, tani ka ndryshuar në rolin për përkujdesje për bashkësinë serbe, duke u ndërtuar mbi parimin etnik. Prandaj, është i pakuptueshëm moralizimi i pushtetit për moslëshim pe përballë Serbisë, duke e shndërruar këtë në një argument të rëndësishëm për Kosovën në rrugën e saj evropiane. Ky moralizim do të ketë pak kuptim kur rruga do t’i zëvendësojë argumentet dhe kur destabiliteti i brendshëm do ta kërcënojë jo vetëm sigurinë në vend. Në këtë rast nuk do të ketë me rëndësi nëse dhuna e përdorur do të jetë e drejtuar ndaj institucioneve në emër të mbrojtjes së tyre nga dominimi i pakicës, apo ndaj vetë pakicës, e cila do të shpërdorohet për nevoja të politikës ditore.

Kosova asnjëherë nuk ka qenë më afër shpërthimit qoftë në fushën politike, qoftë në atë sociale. Kur të dyja këto bëhen bashkë do të sjellin një gjendje t` pakthyeshme të dhunës dhe terrorit. As zgjedhjet nuk do të mund të shpëtojnë.

Kosova asnjëherë më shumë se sot nuk ka pasur mungesë të një lideri të pakontestuar që do të mund t’i qetësonte dhe pajtonte palët, duke i ulur në tavolinën e bisedimeve.

Nisma e presidentes Jahjaga për dialog mes palëve e ka humbur sensin, pasi partitë në koalicion e minuan veprimin e saj me thirrjen e seancës, e cila ka mundur të kthehet në tragjedi. Shansi i ri i thirrjes tani ka humbur.

Megjithëse pa një strategji të caktuar se cilat do të jenë veprimet dalëse nga kjo situatë, opozita ka dëshmuar se është e përkushtuar në këmbëngulësinë e saj për t’i rezistuar pushtetit. Kjo rrjedhimisht e bën atë të refuzojë tani edhe çdo nismë të presidentes duke e mos e parë më si autoritet moral dhe duke e kontestuar edhe më shumë vendimin e saj për ta dërguar parimin e themelimit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, sepse mosbesimi ndaj Gjykatës thellohet më shumë, marrë parasysh arrogancën e pushtetit që me shumicën e votave do që ta disiplinojë opozitën.

Gjykata Kushtetuese, një autoritet i rëndësishëm në Kosovë, që ka dëshmuar se mund të përballet me situata të krizave politike, tani ka rrezik, që në çfarëdo vendimi që mund të marrë në rast të dërgimit të lëndës nga Presidentja, ta humbet kredibilitetin e saj me mosrespektimin e atij vendimi nga cilado palë. Sidomos nga opozita e cila ka ndërtuar një mosbesim konstant ndaj Gjykatës. Në këtë rast vendi do të zhytej në një kaos ligjor dhe anarki të plotë. Prandaj është e domosdoshme që gjendja e krijuar të zgjidhet me dialog dhe me marrëveshje në mes të palëve, e jo me këmbëngulje që detyrimisht vendi të futet në dhunë, qoftë të revolucionit të opozitës së radikalizuar dhe pa strategji dalëse, qoftë të pushtetit arrogant që po e mbulon pafuqinë e tij me përdorim të forcës.