Home Aktuale Mbahet tryeza “Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët”

Mbahet tryeza “Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët”

206
0
SHARE

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, në hapje të tryezës me temën: “Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët ”, tha se qëllimi i organizimit është që si Universitet të kontribuoj sadopak në zhvillimet politike dhe në zhvillimet e ardhshme shoqërore, në kuptimin e integrimit rajonal.

“Kjo tryezë nuk ka për qëllim trajtimin e raporteve shqiptaro serbe në Kosovë, apo shqiptaro serbe në Serbi mirëpo dëshirojmë që kjo temë të jetë gjithëpërfshirëse” tha Dërmaku . Ai tha se sa i përket të ardhmes mund ta trajtohet në dy perspektiva, ta vazhdohet me raportet problematike që i kanë shqiptarët dhe serbët tani, apo ta shohin njëri tjetrin si partner. Vetëm partneriteti i zgjidhë problemet theksoi rektori Dërmaku.

Më pas panelisti, Dushan Janjiq, analist politik nga Beogradi, në fjalën e tij tha se përmes bashkëpunimit rajonal mund të zgjidhen problemet. Sipas tij, bashkëpunimi i serbeve dhe shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, për Ballkanin Perëndimor ka të njëjtën peshë sikur edhe raportet gjermano – franceze për Evropën Perëndimore, e më pas për krijimin e Bashkimit Evropian. “Ndaj jam i bindur se përmes këtyre projekteve të iniciuara në Berlin, do të vazhdojmë rrugën e normalizimit” tha Janjiq duke vlerësuar iniciativën gjermane për nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh panelist i konferencës tha se në rajon jemi të vetmit që për 15 vite janë organizuar tri konferenca të mëdha për të përmirësuar raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, siç janë Konferenca e Rambujesë, Vjenës dhe e Brukselit, kështu që të dyja palët duhet të shikojmë kah e ardhmja perëndimore.

Në tryezë “Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët ” kontribuuan me diskutimet e tyre, Riza Halimi, Jonuz Musliu, Ragmi Mustafa,Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Nexhemdin Spahiu, Flora Kadriu, Ismajl Kurteshi, Azem Vllasi, Flamur Hyseni, Kemajl Kurteshi etj.Përfaqësuesit e Luginës, thanë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve derisa nuk ka trajtim të barabartë të pakicës shqiptare në Serbi me pakicën serbe në Kosovë.

Pas debatit dolën edhe konkludimet e konferencës që janë:
– duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe partneritet mes shqiptarëve dhe serbëve,
– domosdoshmëria e dialogut,
– etnitetet në cilindo shtet duhet të kenë të drejta të barabarta,
– integrimi i tërë rajonit në Evropë që për shqiptarët dhe serbët duhet të jetë i njëkohshëm duke tejkaluar problemet ndër fqinjësor. /2L ONLINE/