Home SPORT Martino: Skuadra po përmirësohet

Martino: Skuadra po përmirësohet

128
0
SHARE

Barcelonën e pret një test i vështirë këtë fundjavë pasi do të ketë përballë Realin e Sociedadit. Presioni mbi skuadrën katalanase është i madh pasi një një hap fals do ta zbriste Barcelonën nga vendi i parë. Në përfundim të stërvitjes, trajneri Tata Martino e nis konferencën e shtypit me një koment për çështjen Neymar.

“Unë nuk jam 24 orë me lojtarin për të kuptuar se çfarë po përjeton në këto momente. Gjithsesi, duhet ta pranoj se ajo që po ndodh në lidhje me këtë çështje nuk është normale për një lojtar. Nuk më pëlqen të flas për çështjen në fjalë edhe pse tashmë jam mësuar me këtë situatë. Unë përqëndrohem te futbolli sepse më jep më shumë kënaqësi”.

Në vijim, trajneri argjentinas flet edhe për mundësinë e aktivizimit të brazilianit përkrah Lionel Messit.

“Në ato ndeshje që kanë luajtur bashkë janë paraqitur mirë. E di që pritet shumë nga një dyshe e tillë por duhet të mendojmë për të gjithë grupin dhe të punojmë që të rritemi e përmirësohemi çdo ditë”.

Skuadra ka rigjetur ritmin duke siguruar madje edhe një bonus të madh për ndeshjen e kthimit të Champions League dhe Martino duket se ka gjetur mekanizmat e nevojshëm për të larguar krizën.

“Kur luajmë me tre lojtarë përpara është e vështirë të kemi përherë topin në kontroll. Tashmë skuadra e menaxhon më mirë ndeshjen duke kursyer energji gjatë gjithë 90 minutëshit sepse vrapojmë më pak”.

Gjatë këtij sezoni, Barcelona po regjistron rezultate të rëndësishme por në fund janë trofetë ata që peshojnë dhe këtë Martino e di shumë mirë.

“Jemi në një hap me rezultatet e skuadrës së Guardiolas kur fitoi tre titujt por në fund kanë rëndësi vetëm kupat. Mund të zhvillosh një kampionat të mirë në 36 javë por nëse e humbet në dy javët e fundit nuk ka vlerë. Brenda 19 ditësh humbëm në “Camp Nou” me Valencian por në ndeshjet e fundit kemi rigjetur ekujlibrin dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.

Ndeshja në “Anoeta” është një nga ndalesat më delikate të këtij sezoni dhe tekniku kërkon përqëndrim dhe një ndeshje të kujdesshme.

“Kemi mundësi reale për të fituar dhe për të krijuar sërish një avantazh ndaj ndjekësve. Dua që skuadra të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe të fitojë në San Sebastian”.

Në lidhje me komentin e Jose Mourinhos se kjo është Barcelona më e dobët e viteve të fundit, Martino shton.

“Nuk e kam lexuar këtë koment sepse dua të përqëndrohem vetëm te loja që zhvillojmë në fushë. Më intereson vetëm ajo që ndodh në skuadrën time dhe jo ajo që thonë të tjerët”.

Në fund një koment edhe për çështjen e rinovimit të kontratës.

“Nuk jemi ulur ende për të diskutuar por nuk mendoj aspak për këtë sepse tani kemi përpara një sezon të vështirë”.

 

LEAVE A REPLY