Home Aktuale Maqedoni:Protestë e studentëve shqiptarë kundër dhunës në Radishan

Maqedoni:Protestë e studentëve shqiptarë kundër dhunës në Radishan

132
0
SHARE

Një grup studentësh shqiptarë sot në Shkup protestuan para Gjykatës Themelore në Shkup, kundër dhunës së ushtruar ndaj familjes shqiptare në Radishan të Shkupit.

Protesta u organizua nga shoqata studentore ‘Forca’, e cila kërkoi drejtësi kundër dhunës dhe veprimin e institucioneve, duke mos përdorur drejtësi dhe dhunë selective.

“Rasti i fundit në Radishan të Shkupit është vetëm edhe një provë se drejtësia në Maqedoni nuk ekziston, posaçërisht kur janë në pyetje Shqiptarët. Detyra jonë si studentë dhe ardhmëri e këtij populli është që të ju bëjmë me dije Shqiptarëve të Radishanit, edhe atyre të Strumicës, të Prilepit dhe të gjithë Shqiptarët tjerë se nuk janë vetë !!!”, theksuan organizatorët e protestës, që u tubuan para gjykatës dhe në shenjë revolte dhe simbolike vendosën lule para gjykatës, duke mbajtur një minutë heshtje për siç thanë ata ‘drejtësinë e vdekur në këtë shtet’.

“Drejtësia e Republikës së Maqedonisë po mbetet pikërisht në sirtarët e mbyllur dhe kanë vulosur fatin e shumë familjeve. Lulet që sot i vendosëm këtu janë shenjë për policët që nuk punojnë, nuk e mbrojnë qytetarin, por vetëm marrin rrogë”, theksoi student Furkan Saliu.

Ai u shpreh se më se keqi e pësojnë shqiptarët në këto incidente.

“Rasti i fundit ishte në Radishan, ku u sulmuan shqiptarët dhe gjithashtu sulmi ndaj maqedonasve të nesërmen, shprehim keqardhje për familjet e tyre, se për shkak të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, rastet mbeten pa u zbardhur. Në këtë rast jemi ne shqiptarët që kemi më shumë pasoja, ne nuk jemi nismëtarët e dhunës. Ja sot kishim shumë presione edhe pse ne paralajmëruam protestë të qetë. Ne nuk kemi lidhje me politikë, nuk duam që gjërat të politizohen, vetëm kërkojmë mbrojtje dhe drejtësi për sulmet dhe rrahjet që janë bërë deri më tani”, theksoi studenti Saliu, duke bërë thirrje për masovitet dhe përkrahje nga studentët shqiptarë.