Home Aktuale Mandati i EULEX- përfundon pa marrëveshje takimi në Bruksel

Mandati i EULEX- përfundon pa marrëveshje takimi në Bruksel

90
0
SHARE

Për përfundimin e mandatit të EULEX-it dhe kalimin e kompetencave tek Institucionet e vendit pas 15 qershorit të këtij viti, ende nuk po arrihet marrëveshje.

Edhe sot në mbrëmje ka përfunduar pa marrëveshje, një takim ndërmjet zv/kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Përfaqësues të Bashkimit Evropian në këtë takim kanë qenë nga Zyra e Baroneshës Ashton, udhëheqës të operacioneve civile të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të EULEX-it

Zyra e zëvendëskryeministrit Kuçi, në një njoftim për media, tregon se në këtë takim u diskutua edhe për veprimet juridike që duhet ndërmarrë me qëllim të realizimit të tranzicionit dhe transferimit të suksesshëm të kompetencave me fokus në kompetencat dhe pozitat menaxhuese.

“Në këtë drejtim parashihet arritja e marrëveshjes përmes shkëmbimit të letrave në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila me pastaj duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga 2/3 e deputeteve, si dhe amendamentimet e ligjeve që tangohen nga transferimi i kompetencave nga EULEX-i të institucionet vendore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas këtij njoftimi, marrëveshjen e ka penguar çështja e përmbajtjes së letrave që duhet të shkëmbehen, gjë që ende nuk ka pajtueshmëri në mes palëve pasi delegacioni i Republikës së Kosovës ka kërkuar kohë për harmonizim me institucionet kompetente në këtë proces, përfshirë edhe ato të drejtësisë, si dhe subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës.

Sipas këtij njoftimi, pritet që në ditët në vijim të vazhdohet me takime pas konsultave të domosdoshme nga të dy delegacionet.