Home Aktuale Mali i Zi feston 10 vjetorin e pavarësisë edhe me valle popullore...

Mali i Zi feston 10 vjetorin e pavarësisë edhe me valle popullore shqiptare

199
0
SHARE

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me ftesë të homologut të tij malazez, Filip Vujanoviq, mori pjesë në ceremonitë shtetërore të kremtimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, ku morën pjesë Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, si dhe shumë liderë dhe autoritete të tjera nga rajoni dhe Europa.

Në kuadrin e këtyre ceremonive, Nishani zhvilloi edhe një takim dypalësh me Vujanoviqin, të cilin e uroi për përvjetorin si dhe për arritjet e përgjithshme të Malit të Zi në agjendën euroatlantike.

Nishani vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe e siguroi homologun e tij malazez për angazhimin e plotë e të sinqertë të Shqipërisë në promovimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë.

“Jam këtu për të shprehur urimet më të mira dhe të sinqerta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për ju dhe të gjithë qytetarët e Malit të Zi, në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të pavarësisë, si dhe t’ju përgëzoj për finalizimin e procesit të integrimit në NATO, të cilin e shoh si një kontribut për të gjithë rajonin tonë”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe rolin shumë domethënës të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, duke e konsideruar atë një urë lidhëse të fuqishme miqësie mes dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në frymën e fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit.

Festimet u përcollën nga të pranishmit në një atmosferë të gëzueshme e të hareshme, ku krahas këngëve e valleve malazeze nuk munguan edhe ato popullore shqiptare.