Home Aktuale Magjistri i Juridikut, detyrohet të punojë si kamerier në Prishtinë

Magjistri i Juridikut, detyrohet të punojë si kamerier në Prishtinë

155
0
SHARE
Në Kosovë ka numër të madh të të të rinjve të cilët shkollohen në universitete dhe arrijnë grada akademike, edhe të nivelit të magjistrave e doktorëve, por që nuk mund të gjejnë punë në profesionet për të cilat janë specializuar. Për këtë arsye, detyrohen të punojnë gjithçka, në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën, shkruan Anadolu Agency (AA).

Blerim Cakolli, 29 vjeçari nga Prishtina, punon si kamerier në një bistro-bar të Prishtinës, përkundër faktit se prej dy vitesh ka thirrjen e magjistrit të shkencave juridiko-civile.

Ai është diplomuar në vitin 2012 dhe menjëherë pas studimeve master ka konkurruar dhe është pranuar si praktikant në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vijuar praktikën për një vit – deri në gusht të vitit 2013. Përkundër premtimeve se praktika njëvjeçare do ta ndihmojë të punësohet diku, fillimisht si asistent – dhe që gjatë kësaj kohe ta kryejë edhe provimin e jurisprudencës – kjo nuk ka ndodhur.

Sipas Cakollit, arsye për këtë është vendosja e kushteve eliminuese në konkurse, ngase ata të cilët aplikojnë duhet të kenë së paku tri vite përvojë, gjë të cilën asnjë nga juristët e ri nuk e ka.

“Ky është një ndër kushtet më të shumta që ndikon në eliminimin e të rinjve. Kjo ndikon të mos pranohemi. Institucionet nuk kanë kontribuuar që të na mundësojë ta bëjmë atë përvojë të cilën ata e kërkojnë. Një vit përvojë na e kanë bërë të obligueshme dhe ne kemi shkuar e kemi ndjekur këtë përvojë nëpër gjykata, që të na bëhet i mundur kalimi i provimit të jurisprudencës”, thotë Cakolli, i cili i përcjell të gjitha konkurset që kanë të bëjnë me profesionin e tij, por që në asnjë nga ta nuk ka pasur sukses të pranohet.

Për më tepër, ai thotë se në disa raste, në konkurset ku i ka plotësuar kushtet bazike, nuk është ftuar fare në intervista. Si arsye për këtë përmend edhe nepotizmin.

“Këtu te ne në Kosovë, studimet janë bërë dëshirë. Për mua personalisht, janë si hobi. Unë mundem të kryej dy apo tre fakultete, sa të jetë e nevojshme dhe sa kam dëshirë. Mirëpo, puna është nevojë, sepse ne varemi krejt prej kësaj pune”, thotë Cakolli, i cili rrëfen se prej fillimit të studimeve në vitin 2007, ai ka punuar gjatë gjithë kohës sa ka studiuar, duke mos dashur që ta rëndojë buxhetin e familjes.

Dëshpërimi më i madh për magjistrin e ri të shkencave juridiko-civile erdhi pas përfundimit të studimeve master dhe nga pamundësia që të gjejë punë si jurist. Problemi, sipas tij, qëndron në planifikimin e tregut të punës, të cilin Cakolli e quan katastrofë. Ai i fajëson institucionet që nuk i përvetësojnë kuadrot e reja të shkolluara, duke vendosur kushte të paarritshme për të rinjtë.

“Konkurset e cekin përvojën. Kurse, mundësinë për me e arrit atë përvojë nuk na jep hiq”, thotë Cakolli, i cili si zgjidhje e sheh edhe largimin nga Kosova. /AA/