Home LAJME Luhet El Clasico, mungon Bale por është Suarez

Luhet El Clasico, mungon Bale por është Suarez

140
0
SHARE

Një sfidë që mban frymën e botës së futbollit…Real Madrid-Barcelona troket për aktin e parë sezonal që do të luhet në “Santiago Bernabeu” të shtunën në orën 18:00.

Bale mungon por kjo sfidë fiton një tjetër emër të madh, uruguaianin Luis Suarez i cili do të jetë zyrtarisht në dispozicion të Lusi Enriques që i ka të gjithë asat nën mëngë për të bërë surprizën në tokën armike. Sulmuesi që u transferua për 88 milionë Euro këtë verë nga Liverpool te Barcelona mund të ngrohë muskujt për El Clasicon numër 229 të historisë.

Një sfidë me shumë peshë edhe për Lionel Messin, i cili ndodhet vetëm dy rrjeta larg vendit të parë të golashënuesit më të mirë të historisë në La Liga dhe nëse këtë objektiv e arrin në sfidën e “Bernabeut” atëherë kjo mund të jetë qershia mbi tortë për argjentinasin. Një fitore e mundshme e Barcelonës mund ta shkëpusë edhe më shumë skuadrën katalanase nga Reali pasi diferenca aktuale është 4 pikë, por në të kundërt, skuadra e Ancelottit mund të rifutet në garë. Miqtë nuk kanë regjistruar ende asnjë humbje sezonale, ndërsa Reali i Madridit  pritet të zbresë në fushë me treshen e sulmit, James Rodriguez, Cristiano Ronaldo e Karim Benzema, të cilët bashkë me Gareth Bale, kanë ringritur skuadrën “Merengues” me një lumë golash në ndeshjet e fundit. Në përballjen e fundit, ishte pikërisht Gareth Bale ai që shënoi golin e fitores në finalen e Kupës së Mbretit, ndërsa në dy El Clasicot e kampionatit ishte Barcelona ajo që buzëqeshi me dy fitore, 2-1 në “Camp Nou” dhe 4-1 në “Bernabeu”.

Skuadra e Ancelottit zbret në fushë si kampione e Europës, përballë një skuadre që kërkon të rigjejë rrugën e sukseseve pas një sezoni katastrofik nën drejtimin e Tata Martinos. Gjithsesi, në ndryshim nga argjentinasi, Luis Enrique duket se ka gjetur menjëherë formulën fituese dhe për El Clasicon e parë sezonal do të jetë forca e shtuar për katalanasit pasi ai e njeh mirë rëndësinë e kësaj sfide për shkak të të shkuarës si madrilen dhe më pas si lojtar i Barcelonës ku konsumoi edhe vitet e arta të karrierës së tij.

Sipas parashikimeve, kjo ndeshje do të ndiqet nga rreth 400-500 milionë njerëz në mbarë botën./luginapress/