Home Aktuale Lugina: Në Kosovë trajtohemi si ‘jo kosovarë’, në Serbi si ‘jo serb’

Lugina: Në Kosovë trajtohemi si ‘jo kosovarë’, në Serbi si ‘jo serb’

7
0
SHARE

Një letër i ka shkuar Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqit, përmbajtjen e të cilës e ka shkruar Nehat Hyseni, kryetar i Shoqatës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë.
Ata në këtë letër janë shprehur të shqetësuar për siç thonë ata, me faktin se Qeveria e Kosovës në bisedimet e Brukselit dhe Marrëveshjen e 19 prillit 2013, çështjen e Luginës nuk e përfshiu fare.

Në këtë letër po ashtu, preshevarët shqetësohen edhe për obligimin kushtetues për të cilën thonë se Qeveria nuk e ka kryer, e cili ka të bëjë me shtimin e kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës, vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë me shqiptarët në Luginë, kujdesin e Kosovës për të zhvendosurit nga Lugina, të organizojë shkollim dhe mirëqenie për shqiptarët atje, të hapen zyrat për shqiptarët e Luginës në Prishtinë dhe Gjilan,etj.

“Konsiderojmë se kujdesi institucional i Republikës së Kosovës është i domosdoshëm, si për shqiptarët e shpërngulur të Luginës që jetojnë në Kosovë, prej të ci lëve një pjesë e madhe nuk ka dokumentacion të Kosovës, e as të Serbisë, ashtu edhe për ndaljen e shpërnguljes së shqiptarëve që jetojnë në Luginë. Ata zyrtarisht trajtohen si “qytetarë të padukshëm”, pa mundësi lëvizjeje të lirë, me probleme e kokëçarje të mëdha që u shkaktohen atyre nga fakti se institucionet e Kosovës i trajtojnë si “jo kosovarë”, kurse në Serbi keqtrajtohen e diskriminohen si “jo serbë””, thuhet në letrën që ka ardhur edhe në Agjencinë e Lajmeve KosovaPress.

Shoqata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, e konsideron të domosdoshme dhe urgjente që të zbatohet Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të themelohen zyrat në Prishtinë e Gjilan, për t’u marrë institucionalisht me problemet dhe hallet e qytetarëve të luginës që jetojnë në Kosovë, që sipas tyre janë të shumta.

“Regjistrimin dhe evidencimin zyrtarë të të shpërngulurve nga L ugina, si refugjatë, ashtu si janë evidencuar nga UNHCR-i mbi 240 mijë serbë të Kosovës, që zyrtarisht trajtohen si refugjatë në Serbi, kurse asnjë shqiptar nuk figuron zyrtarisht si i shpërngulur dhe refugjat në Kosovë. Konsiderojmë se është e domosdoshme edhe hapja e Zyrës së Kosovës në Luginë të Preshevës, si degë e Zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, për harmonizinin dhe koordinimin e aktiviteteve të Republikës së Kosovës për ndihmë shtetërore e vëllazërore ndaj shqiptarëve të Luginës, ashtu si i ndihmon Serbia vëllezërit e vet serbë në Kosovë”, thuhet në këtë letër.

Ndërsa në fund duke pritur angazhimin e qeverisë, ata ndër të tjera edhe falënderohen për siç thonë ata heqjen e taksës kufitare prej 20 eurosh për makinë, si dhe për paralajmërimin e heqjes së kuotave famëkeqe për studentët nga Lugina në universitetet e Kosovës./LUGINAPRESS/