Home Aktuale Ligjin për Veteranët – për poenë politikë!

Ligjin për Veteranët – për poenë politikë!

165
0
SHARE

Analistët kosovarë kanë thënë për Telegrafin se debatet rreth Ligjit për Veteranët e luftës, po përdoren si instrument për të përfituar poenë politikë. Sipas tyre, diskutimi për “meritat e luftës” po i dëmton më së shumti veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Analisti Ardian Arifaj ka thënë për Telegrafin se nga Ligji për veteranët e luftës më së paku po përfitojnë ata që sakrifikuan për një jetë më të mirë në vendin e tyre.

“Luftëtarët e vërtetë dhe të sinqertë janë ata që më së paku po përfitojnë nga ky debat shterp. Nëse dikush do të duhej të merrej me historiografinë dhe zhvillimet e kohës së luftës, këtë duhet ta bëjnë historianët dhe qarqet akademike, e jo politika. Në këtë mënyrë, për gjeneratat e reja të cilat nuk e kanë përjetuar luftën, nuk do të krijoheshin mite, por një pasqyrë reale e asaj çfarë ka ndodhur”, ka thënë Arifaj.

Analisti Bexhet Shala tha për Telegrafin se nuk duhet që Ligji për Veteranët e luftës të përdoret për të fituar politikisht. Kjo betejë, sipas tij, po bëhet në kohën kur zgjedhjet nacionale janë afër. Ai mendon se edhe një pjesë e opozitës në mënyrë të pasinqertë po e prolongon miratimin e Ligjit.

“Nuk ka lidhje cilit krah politik i kanë takuar luftëtarët e UÇK, sepse të gjithë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për liri. Në UÇK ka pasur pjesëtarë me bindje të ndryshme politike dhe asnjërit nuk duhet t’i mohohen meritat. Por, duhet të theksohet edhe një gjë: në Kosovë përballë forcave të Serbisë ka luftuar vetëm UÇK-ja e jo ndonjë formacion tjetër ushtarak. Çdo pretendim për një gjë të tillë është i padrejtë”, ka thënë Shala.

Ndryshe, Ligji për Veteranët do të jetë në rend dite të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhemajli, i pyetur për kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që në Projektligjin për veteranët e luftës të përfshihen edhe ish-pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK), kishte thënë se në luftën e Kosovës janë ballafaquar dy palë: ushtarët e UÇK-së përballë forcave policore dhe ushtarake të Serbisë.

Në anën tjetër, Ismet Beqiri, kryetar i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar në media se partia e tij nuk do të heq dorë nga futja në këtë Ligj edhe e amendamenteve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës në ekzil. /Telegrafi/