Kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Lavdim Hamidi, është shpërblyer sot në Tiranë me Çmimin e përvitshëm “Vangjush Gambeta”, i cili ndahet nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Juria profesionale ka vlerësuar lartë profesionalizmin gazetaresk në storjen hulumtuese të botuar në gazetën “Zëri” nga Hamidi me titull: Sheikët e Shipitullës, ku bëhet fjalë për keqpërdorimin e milionave eurove të buxhetit të Kosovës me rastin e shpronësimit të pronave private në Hade dhe Shipitullë(Obiliq) për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK).
Hamidi në shkrimin e tij e ka argumentuar se si kostoja e shpronësimit në Shipitullë brenda një periudhë të shkurtër kohore u pesëfishua, përkatësisht nga 4.5 milionë euro në mbi 25 milionë euro.
Nëpërmjet këtij hulumtimi gazetaresk dëshmohet në mënyrë të dokumentuar keqpërdorimi i madh financiar nga procesi i shpronësimit dhe njëkohësisht ndërtimet e cilësisë shumë të ulët, të cilat ishin bërë vetëm për të realizuar përfitime maksimale financiare nga buxheti i Kosovës.
Sipas një kalkulimi të thjeshtë, bazuar në çmimet e shpronësimit, del se të gjithë shumë banorë të Shipitullës u bënë milionerë nga pronat e tyre.
Me rastin e pranimit të këtij Çmimi, Hamidi ka deklaruar se ky është një rast tipik i keqpërdorimit të buxhetit të varfër të Kosovës, ku shumë banorë të papërgjegjshëm dhe të lidhur me strukturat politike përfituan shuma të mëdha të parave, përderisa institucionet e drejtësisë sikur e kanë amnistuar një keqpërdorim të tillë milionësh.
Përndryshe, Hamidi është njëri nga gazetarët kosovarë më të shpërblyer për punën e tij gazetareske, duke fituar Çmime vendore dhe ndërkombëtare.
-Në vitin 2008 ai kishte fituar Çmimin e Parë në Garën për Bursën Ballkanike në një ceremoni të organizuar në Vjenë të Austrisë, e cila jepet nga “Robert Bosch Stiftung”, “Erste Stiftung” dhe “Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese”.
-Në Vitin 2011 ai ka fituar Çmimin vjetor për gazetari “Rexhai Surroi”, i cili ndahet nga kompania mediale “Koha”.
– Në vitin 2012 Hamidi ka fituar Çmimin Special për Gazetari Hulumtuese nga UNDP-ja dhe Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit.
-Në vitin 2015 ai ka fituar Çmimin e tretë për gazetari hulumtuese të ndarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
– Ai ka fituar edhe Çmim gazetaresk nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovës, etj.