Home Aktuale Kushtet e “Listës Serbe”, rrezik për përfshirjen e Serbisë në institucionet kosovare

Kushtet e “Listës Serbe”, rrezik për përfshirjen e Serbisë në institucionet kosovare

163
0
SHARE

Analisti Azem Vllasi në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se “Lista Serbe” po tenton që ta shantazhojë qeverinë e Kosovës, duke e përdorur kartën e mospjesëmarrjes në ekzekutivin kosovar, nëse nuk pranohen kërkesat e tyre.

Ai më tutje ka thënë se kërkesat e tyre duhet të trajtohen hollësisht, sepse sipas tij, ato mund ta dëmtojnë shtetin e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet ta ndajnë vijën e kuqe në mes të interesave të pakicës serbe dhe interesave të shtetit të Kosovës, dhe në asnjë mënyrë dhe më çfarëdo kushti nuk duhet të lejohet cenimi i Kushtetutës dhe ligjshmërisë së vendit. ‘Lista Serbe’ në vazhdimësi nuk i ka përfillur institucionet e Kosovës, duke komunikuar më tepër me Beogradin sesa me Prishtinën”, ka thënë Vllasi për Telegrafin.

Analisti politik dhe drejtori i Fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi, ka theksuar se ka frikë se “apetitet” e “Listës Serbe” vetëm sa do të vijnë e të shtohen në raport më kërkesat e tyre, për pjesëmarrje në institucione.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një gjë e tillë atyre (Listës Serbe) iu është mundësuar nga pushteti i kaluar dhe ky që po pritet të funksionalizohet, përmes kompromiseve të cilat janë bërë në vazhdimësi.

“Përfshirja e ‘Listës Serbe’ në institucione, në formën që po tentohet të bëhet, nënkupton një përfshirje indirekte të Beogradit në ekzekutivin kosovar. ‘Lista Serbe’ votimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) e ka kushtëzuar me vazhdimin e mandateve të garantuara dhe implementimin e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht marrëveshjen për funksionalizimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, mund t’i konvenoi vonimi i formimit të institucioneve të Kosovës, sepse shumë shpejt duhet të kalojë votimi i Gjykatës Speciale, e cila gjykatë mund t’i prekë edhe eksponentë të lartë të kësaj partie, përfshirë këtu edhe kryetarin e zgjedhur të Kuvendit, Kadri Veseli.

“Kjo për PDK-në do të jetë një ‘patate’ e nxehtë, nga e cila do të tentojnë që ta largojnë përgjegjësinë në çdo mënyrë”, ka shtuar Abazi.

Ndryshe, të hënën është zgjedhur kryetari dhe kryesia e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në momentin që është tentuar të votohet për Qeverinë e Kosovës, deputetët e “Listës Serbe” janë larguar nga Kuvendi, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre.

Mediat kanë raportuar së kërkesat e “Listës Serbe” janë: Emërimi i nënkryetarit të AKI, Zëvendëskomandanti i FSK, Ndalja e privatizimeve në komunat me shumicë serbe, Krijimi dhe funksionalizimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./Telegrafi/