Home LAJME KUR KULTURA (S) NJEH KUFIJ POLITIKË?!

KUR KULTURA (S) NJEH KUFIJ POLITIKË?!

634
0
SHARE

Reagim

 

Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, në emër të shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës, reagon ndaj autoriteteve të Beogradit, të cilët ndaluan pjesëmarrjen e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, në promovimin e ekspozitës “Sanxhaku i Nishit nëpër shekuj”, të organizuar nga historianët e Komunës së Bujanocit.

Qeveria e Serbisë, si ajo e kaluara, po ashtu edhe ajo e tanishmja (në formim e sipër pas zgjedhjeve të parakohshme të 16 marsit), mbajnë të njëjtin qëndrim sa i përket Luginës së Preshevës, duke ndaluar rreptësisht çdo kërkesë ta ministrave të Kosovës për t’i vizituar bashkëkombësit e tyre.

Kështu ndodhi edhe vitin e kaluar me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja, të cilit iu ndalua ardhja në Preshevë, si dhe në mënyrë inkuizicionale nga autoritetet serbe, iu konfiskun librat donacion për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës. Po, ngjashëm ndodhi edhe me ministrinë e Diasporës, Ibrahim Makolli, të cilit nga autoritete serbe, parvjet, iu ndalua hyrja në Komunën e Bujanocit.

Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva” dhe shoqëria civile nga Lugina e Preshevës, këto veprime të Beogradit, i konsideron të demoduar dhe antiqytetëruese, të cilat japin një mesazh të keq për bashkëpunimin midis dy shteteve fqinje, të cilat bien ndesh me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, për bashkëpunim ndërkufitar e ndërrajonal.

Ekspozita “Sanxhaku i Nishit nëpër shekuj”, në Bujanoc, kishte karakter historik dhe shpaloste përmes dëshmive hartografike gjenocidin e dikurshëm serb ndaj shqiptarëve etnikë nga Molla e Kuqe.

Ministri Krasniqi, ishte ftuar të merrte pjesë në në këtë ekspozitë, por që sipas “informatave” të Qeverisë së Serbisë, “prania e tij në një manifestim ku do të propagandohej për Serbinë gjenocidale, spastrimin etnik të shqiptarëve nga ana e serbëve dhe pro Shqipërisë natyrale, do të ishte me shumë rrezik për Republikën e Serbisë”.

Shefi i të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, në emër të Qeverisë serbe, ka refuzuar kërkesën që ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, të vizitojë Bujanocin me arsyetimin se “komuna e Preshevës dhe Bujanocit janë shumë të ndjeshme, dhe se tensionet politike në këtë pjesë të Republikës së Serbisë janë shumë të pranishme, sidomos pas thirrjeve të disa përfaqësuesve të shqiptarëve në referendum dhe bashkim me të të ashtuquajturën Kosovë!”.

BKSH “Perspektiva”, pajtohet me ministrin Vulin, se vërtetë Lugina e Preshevës është një nga zonat më të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak pozitës së saj gjeopolitike, gjeostrategjike dhe trashëgimisë së saj kulturore. Për ta dëshmuar këtë, po ia përkujtojmë atij se një ditë para se të mbahej ekspozita në Bujanoc, po në të njëjtin qytet u mbajt një tryezë e rrumbullakët me ekspertë të ndryshëm nga Serbia dhe ndërkombëtarët, në të cilën u theksua se në Luginë të Preshevës dyshohet se në një hapësirë prej 3 milionë metra katrorë fshihen mina, municion thërrmues dhe municion e mjete tjera të pa eksploduar. Në këtë tryezë nuk morën pjesë kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit.

Ia përkujtojmë ministrit Vulin se për pastrimin e këtij terreni nga minat, Qeveria e Norvegjisë ka investuar 3.5 milionë, ndërsa për të bërë pastrimin deri në fund do të duhen edhe gjashtë milionë euro.

Për konstatim e këtij zyrtari serb dhe të tjerëve si ai se territori i Luginës së Preshevës është i ndjeshëm, flet fakti se nëntoka e Luginës fsheh mjete të dyshimta shpërthyese, kurse mbi tokën e saj demonstrojnë forca të shumta armatosura jashtë suazave të paqes.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ecin mbi tokën e tyre me drojë se mund të shkelin në ndonjë minë nga pakujdesia, kurse mbi tokë privohen nga e drejta e qarkullimit të lirë për shkak prezencës së shtuar të forcave të armatosura serbe.

Qytetarët e Luginës së Preshevës, jetojnë në tokat autoktone me frikën se mund të pësojnë nga nëntoka e minuar dhe nga mbitoka e kontaminuar, me një ndjenjë të ndrydhur për të kujtuar të kaluarën e saj dje dhe për të ndërtuar të ardhmen me perspektivë evropianë, thuhet në reagimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, në emër të shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës./ Sevdail Hyseni/