Home Aktuale Kulti i individit dhe devalvimi i institucionit

Kulti i individit dhe devalvimi i institucionit

925
0
SHARE

Nga Nexhmedin Saqipi
Krijimi i kultit të individit te shqiptarët, në këto vitet e fundit, sikur ka marrë një dimension të ri, shumë më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm se sa ai, që ekzistonte në periudhën e komunizmit. Adhurimi, nderimi dhe thurja e lavdeve të tepruara ndaj një individi, qoftë në politikë, kulturë e humanitet, jo vetëm që ka shkaktuar të këqija në shoqërinë shqiptare, por edhe ka degraduar dhe devalvuar institucionet, të cilat janë ngritur me vullnetin e popullit.

Në vend që të ngrihen e të lartësohen vlerat e institucioneve, për të cilat është sakrifikuar dhe investuar, krijohen kulte individësh, të cilët për qëllime të caktuara e ngritin veten, karshi kompetencave, që kanë organet e dala nga vota e lirë qytetare.
Askush nuk e konteston se institucioni e organizon shoqërinë e emancipon dhe i jep dinjitet, përkundrazi po gjenden individë, të cilat marrin guxim dhe përkrahje për t’u vënë në ballë të proceseve, të cilët më pas dështojnë me shuarjen e lavdit të tyre.
Shoqëria shqiptare në periudha të ndryshme, e posaçërisht, këtyre viteve, ka pësuar keq nga krijimi i kultit të individëve dhe shkuarja pas tyre. Kjo dukuri, kuptohet, vjen zakonisht prej personave, të cilët të mbështetur nga disa qarqe të ndryshme vihen në ballë të aksioneve, kinse për të bërë politikë, kulturë, humanitet etj. duke i shkaktuar dëme organizimit të përfilltë të shoqërisë sonë.
Keqpërdorimi
Për dallim nga koha e tanishme, gjatë viteve të 90-ta, kur u shkatërrua komunizmi dhe lindi jeta plurale, në sferën e politikës u ngritën kulte politikanësh në viset etnike shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës.
Këta liderë partiakë, të tipit të lëvizjeve popullore, që në emërtimin e partive të tyre fokusohej fjala “Demokratik”, krijuan kulte në viset etnike ku vepronin politikisht, mirëpo me “shkëlqimin dhe rënien e tyre”, u krijua një rrëmujë, duke lindur shumë parti të tjera, të cilat, mjerisht sot e kanë rrudhur aktivitetin më shumë për pushtet lokal se sa për shtet.
Këto dukuri dikur ishin aktuale, meqë nuk ekzistonte shteti dhe ligji, kurse tani kur janë ato injorohen, devalvohen dhe anashkalohen në favor të iniciativave individuale, duke krijuar kulte të rinj të mirësisë, humanitetit dhe solidarësisë.
Për dallim nga kulti i politikanit, ky i karakterit humanitar është edhe më i rrezikshëm, ngase në thelb dëmton proceset institucionale. Pa u kthyer prapa, të shohim se çfarë po ngjet nga tërmeti i vitit të kaluare në Shqipëri dhe pandemia botërore e këtij viti.
Liderët humanitarë në Shqipëri dhe Kosovë, duke llogaritur edhe disa individë “hibridë” nga viset e tjera etnike të shqiptarisë, në emër të solidarësisë grumbulluan mjete për të ngritur shtëpi me qindra sish, i cili aksion nuk po përmendet fare, duke u zvogëluar në ndonjë aksion të vogël për shpërndarjen e maskave mbrojtëse dhe ndonjë kurban gjatë festave fetare. Me miliona euro të grumbulluar nga diaspora, nga këta individë, po përfundojnë në arkat e tyre private, duke keqpërdoruar fondet, që merren me humanitet e që udhëhiqen nga institucionet lokale dhe shtetërore.
Institucioni
Më një vend demokratik ku vepron shteti dhe ligji, nuk u lihet shumë hapësirë individëve të krijojnë kult, duke u pasuruar me paratë e qytetarëve, në emër të kinse aksioneve humanitare e bamirëse.
Meqenëse në dy shtetet e tona shqiptare dhe disa të tjera fqinje, ku shtrihen shqiptarët, veprojnë fonde komunale dhe shtetërore, të cilat mjerisht janë të minimizuara nga veprimet e individëve “kult”, manifestohen format tashmë të njohura korruptive të plaçkitjes dhe larjes së parave.
Institucionet e dala nga vota e qytetarëve duhet të mbrohen, zhvillohen dhe afirmohen e jo të bllokohen nga personat e papërgjegjshëm, të cilët në emër të humanitetit dhe bamirësisë devalvojnë vlerat e mirëfillta të shoqërisë sonë. Prandaj, institucionet nuk duhet të tregohen shumë tolerante ndaj këtyre dukurive, ngase ato nuk varen nga lëmosha dhe mëshira.
Në vend që institucionet me i marrë frerët në duar e vete, ato bëjnë tolerime të tilla, të cilat pastaj i kthehen bumerang, ngase vetëm shteti ka mekanizma për t’i menaxhuar projektet siç ishte rasti i ndërtimit të shtëpive solidare, etj.
Kjo dukuri, gjithashtu, vjen edhe si pasojë e përçarjes dhe grindjes së politikanëve për pozita dhe mbushjen e xhepave, duke krijuar vakume institucionale dhe ulje të vlerave, karshi individëve, të cilët po i shfrytëzojnë këto mangësi për t’u ngritur në kult, apo jo?!

(Autori është publicist dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës)