Home Aktuale Kryesia e Kuvendit, kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

Kryesia e Kuvendit, kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

94
0
SHARE

Deklarimet e zyrtarëve të Kosovës se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë do të mbahen ashtu siç parashihen me marrëveshjen e Brukselit, nuk janë sqaruar nga anëtarë të Kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se çdo vendim që merret në ketë rast duhet të jetë konform Kushtetutës së Kososvës.

“Marrëveshjen e ka bërë Qeveria, ne respektojmë çdo vendim që merr kjo e fundit konform Kushtetutës dhe ligjeve që janë në fuqi”, ka thënë ai.

Shefi i grupit parlamentarë të PDK-së, Adem Grabovci, ishte i prerë sa i përket organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Sipas tij, do të ketë respektim të Kushtetutës.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentarë të LDK-së, Ismet Beqiri, shprehet i shqetësuar dhe i quan kontradiktore deklarimet e Qeverisë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Sigurisht që jemi të shqetësuar, për faktin e deklarimeve kontradiktore të vetë qeveritarëve se nuk do t’i lejojnë… Të shohim në fund se si do të sqarojnë atë se çfarë do të ndodh pas këtyre zgjedhjeve…”, thotë ai.

Për Ardian Gjinin nga AAK-ja, është shkelje e sovranitetit të Kosovës hapja e vendvotimeve për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

“E dyshtetësisë nuk nënkupton hapje të qendrave të votimit për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Nëse Serbia hap Ambasada ose Zyre ndërlidhese dhe nëse ata duan të votojnë në Zyre ndërlidhëse, mund ta bëjnë, ose mund të shkojnë në Serbi të votojnë”, deklaron Gjini.

Edhe për Visar Ymerin, shef i grupit parlamentar të Vetëvenddosjes, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë të papranueshme.

“Këto janë të papranueshme, sepse janë një lloj tendence e ushtrimit të sovranitetit brenda territorit të Kosovës nga Serbia… Do të ishte e domosdoshme që nga Qeveria të marrin masa për parandalimin e një gjëje të tillë. Por, bazuar nga përvoja e mëhershme, një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, shprehet Ymeri.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e rregullt të mbahet këtë të enjte, më 13 mars. /RTK/Telegrafi/

LEAVE A REPLY