Dogana e Kosovës sot ka suspenduar dy oficerët të degës doganore në Vërmicë, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, respektivisht përgjegjësi menaxheriale.
Dogana e Kosovës pas hetimeve intensive të zhvilluara ka ardhur në përfundim se zyrtarët doganor në degën e Vërmicës kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Njëri prej zyrtarëve dyshohet për keqpërdorim kurse udhëheqësi i ndërrimit është suspenduar për përgjegjësi menaxheriale, pasi nuk ka arritur të menaxhojë stafin e tij.
“Kohë më parë Dogana e Kosovës kishte pranuar informacion se në degën e Vërmicës, oficeri doganor kishte përvetësuar mjete monetare në mënyrë të paligjshme, prandaj edhe është iniciuar procedura e brendshme hetimore për dyshimin e keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, shtohet se Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë penale ndaj një subjekti juridik me mallra të përziera tekstili, për dhënie të mitos për oficerin doganor.
“Rasti është duke u udhëhequr nga Dogana e Kosovës nën mbikëqyrjen e Prokurorisë”, thuhet në një njoftimin të Doganës. /Telegrafi/