Home Aktuale Kosovë:Edhe mjekët duan të ikin: Çfarë po i “largon” ata?!

Kosovë:Edhe mjekët duan të ikin: Çfarë po i “largon” ata?!

5
0
SHARE
 Se nga Kosova nuk po tentojnë të largohen vetëm të papunët, dëshmon edhe interesimi i madh i specialistëve të mjekësisë, të cilët po ia mësyjnë Gjermanisë, për të gjetur një vend pune dhe për të siguruar një pagë të dinjitetshme.

Njëri nga pretendentët për specializantë, me inicialet M. E. i cili synon të largohet në drejtim të Gjermanisë për të vazhduar specializim, me ç’rast do t’i ofrohet menjëherë një vend pune, ka thënë për Telegrafin se arsyeja kryesore pse ka vendosur të largohet nga Kosova, janë mundësitë e mëdha që i ofron shteti gjerman në aspektin profesional dhe atë material.

Ai sqaron se ka informata, se nga viti 2008 deri në vitin 2015, nga Kosova janë larguar rreth 200 kosovarë (specializantë të fushës se mjekësisë).

Sipas tij, mënyrat për të vazhduar specializimin në shtetin gjerman bëhen në disa mënyra: deri vonë ka ekzistuar një agjencion i cili i ka kryer të gjitha shërbimet (dokumentacionin, pagesat, aranzhimin e vendit të punës), ku specializantëve ju ka mbetur vetëm qe të udhëtojnë në drejtim të këtij shteti; Tjetër mënyrë për të konkurruar është edhe përmes internetit, ose ta angazhosh dikë i cili jeton atje, që të merret me përgatitjen e procedurave dhe dokumentacionit adekuat qe është i nevojshëm për tu punësuar.

“Përvetësimi i gjuhës gjermane është njëra nga barrierat që paraqitet në këtë rrugë, që po i shtynë të interesuarit për specializantë që t’i ndjekin kurset e gjuhës gjermane për disa muaj rresht. Paga është shumë e volitshme (2 deri 3 mije euro), njohuritë e përfituara janë të bollshme, por e mira e të gjitha të mirave është se ky specializim është valid në të gjitha shtetet e Evropës”, ka thënë M.E. për Telegrafin.

Ai ka marrë vesh se mjekët gjermanë, përveç se nuk janë shumë në numër, një pjesë e tyre largohen nga Gjermania në drejtim të vendeve siç janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Australia, Kanadaja, vende në të cilat mjekët paguhen më mirë se në Gjermani.

“Numri i të rinjve që fillojnë edukimin superior në Gjermani është relativisht i vogël. Thuhet se vetëm 10 për qind e të rinjve në Gjermani vazhdojnë studimet universitare, ku një deri në dy për qind studiojnë mjekësinë, andaj atje paraqitet një deficit i madh në shkencat mjekësore”, ka shtuar ai.

Një tjetër student i mjekësisë, me inicialet I.A., i cili është afër diplomimit dhe synon që specializimin ta bëjë në shtetin gjerman, ka thënë për Telegrafin se duke qenë se studimet në Fakultetin e Mjekësisë kërkojnë investim të madh, si në kohë, në aspektin psikik dhe material, ëndrra e shumicës sipas tij, e atyre që e përfundojnë këtë fakultet, krahas dëshirës për t’i ndihmuar njerëzit, është që të çmohet mundi dhe puna e tyre.

Ai ka theksuar se përderisa mundësi të tilla (për ta ushtruar profesionin në mënyrë të dinjitetshme dhe me një pagë të dinjitetshme) nuk po gjejnë në Kosovë, duke u përballur me pengesa në gjetjen e një vendi të punës, pastaj në përzgjedhjen e drejtimit për të specializuar dhe kushtet që parashtrohen në këtë drejtim, atëherë ata sipas tij, marrin një vendim jo të dëshiruar, por të nevojshëm për të plotësuar vullnetin e tyre në profesion.

“Po e marrim këtë vendim jo të lehtë, për të pasur respektin e merituar dhe për të siguruar anën materiale, duke mos u detyruar të punojmë diçka tjetër jashtë profesionit apo të mbajmë disa vende pune”, thotë I.A.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka sqaruar se Ministria…, vitin e kaluar ka punësuar qindra specialistë të profileve të ndryshme.

Ai ka thënë për Telegrafin se rastet e lëvizjeve të mjekëve nga Kosova drejt vendeve tjera, janë vendime individuale dhe janë normale të ndodhin, sepse lëvizje të tilla sipas tij, ndodhin pothuajse në secilin shtet.

Hoti ka thënë se personat që largohen nga Kosova, nuk lajmërohen në Ministri, sepse kjo është zgjedhje personale e secilit për karrierën e tij profesionale.

“Ministria e Shëndetësisë tenton t’iu krijojë kushte dhe hapësirë për tu punësuar në vendin tonë, përmes punësimit të specializantëve, mbështetjes financiare dhe hapjes së shërbimeve të reja, ku mund të kontribuojnë një numër prej tyre. Përderisa ka kërkesa për punë këtu, kjo tregon se sektori nuk ka mungesë kuadrosh, me disa përjashtime në profile të caktuara, ndërsa ka buxhet të pamjaftueshëm për të bërë zgjidhje të menjëhershme për secilin”, ka shtuar ai.

Ndryshe, së fundmi, vlerësohet se nga Kosova, në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian (BE), janë larguar më tepër se 50 mijë kosovarë – prej tyre janë mbi 5 mijë nxënës të ciklit fillor dhe të mesëm. /Telegrafi/