Home EKONOMI Kompanitë e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve mashtrojnë me kostot për të shmangur tatim...

Kompanitë e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve mashtrojnë me kostot për të shmangur tatim fitimin, mbi 500 milionë USD shpenzime fiktive në 2014

110
0
SHARE
Agjencisa Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka konstatuar një nivel shumë të lartë të kostove që i konsideron të parregullta, pra të kryera jo në përputhje me licencë-marrëveshjen nga auditimet e kryera për 8 kompani hidrokarbure kërkim-prodhimi.
Drejtori i AKBN, Dael Dervishi pohon se vlera e këtyre kostove është mbi 500 milionë dollarë, që janë shpenzime të parregullta, siç kuptohen ndryshe të fryra dhe të pajustifikuara. “Kemi evidentuar që një sasi shumë e lartë e kostove të kryera nga kompanitë e hidrokarbureve, nuk janë realizuar në përputhje me rregullat e përcaktuara në marrëveshjet hidrokarbure. Kjo ka sjellë në abuzime të kostove. Në vitin 2014, në gjithë auditimet që ne kemi përfunduar, vlera e kostove totale të kryera nga gjithë kompanitë që operojnë në vendin tonë në fushën e hidrokarbureve është mbi 500 milionë USD”, ka deklaruar kreu i AKBN.
Për shembull për disa shërbime, që duhet të kryhen duke bërë më parë me tender të hapur, AKBN ka konstatuar që këto procedura janë evituar. Ka pasur dhe raste të tjera të ngjashme, ndërsa nuk ka pasur asnjë mekanizëm që rregullonte eficiencën e kostove. Sipas AKBN, po të llogarisim në përqindje, rreth 70% e të gjitha kostove të audituara gjatë 2014 kanë qenë me probleme, ndërsa një vit më parë, ky konstatim ishte sa 1% e kostos së audituar. Dervishi shpjegon se sa më të larta të jenë kostot e kompanive për nxjerrjen e naftës, aq më pak është fitimi i tyre dhe rrjedhimisht, vlerat e tatimfitimit janë më të ulëta. Ndërkaq, ai paralajmëron se AKBN nuk do i njohë këto kosto dhe, nëse nuk njihen, ato janë të pallogaritshme në bilancet e kompanive. Kjo bën që kompanitë të paguajnë tatime më të larta. “Kompanitë i kanë pranuar në mënyrë të pjesshme këto evidenca tonat. Për pjesën tjetër, për të cilat ne nuk kemi rënë dakord, do të ndiqen hapat e marrëveshjes që janë arbitrazhet apo animimet e ndryshme në ambientet ndërkombëtare”, ka shtuar më tej Dervishi. Firmat që kanë marrëveshje hidrokarbure në vendin tonë kanë më shumë se 10 vite që nuk japin para në buxhetin e shtetit në formën e tatimit mbi fitimin. Duke raportuar shpenzime marramendëse, bilanci përfundimtar i tyre rezulton sikur kompania del me humbje dhe nuk paguan, përveç taksës që jepet për rentën minerare te pushteti vendor. Numri i auditeve të kryera nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në vitin 2014 mësohet se ishte gati 10 herë më i lartë se numri i auditimeve një vit më parë.
Roli i AKBN 
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore mbron dhe miradministron interesat e shtetit shqiptar në fushat hidrokarbure, minerare dhe energjitike. AKBN ka si objekt të veprimtarisë së saj, zhvillimin, mbikqyrjen e shfrytëzimit racional të burimeve natyrore, në bazë të politikave qeverisëse, dhe monitorimin e postshfrytëzimit të tyre, në sektorin minerar, hidrokarbur dhe energjetik. Fusha e veprimtarisë së AKBN konsiston në propozimin, konsultimin, dhe bashkëpunimin me strukturat përkatëse të qeverisë për hartimin e politikave të saj dhe strategjive në fushën e minierave, hidrokarbureve dhe energjisë; zbatimin e politikave të qeverisë në fushën e minierave, hidrokarbureve dhe energjisë; përgatitjen e dokumentacionit dhe praktikave të nevojshme për dhënien e lejeve, të licensave, autorizimeve, në përputhje me ligjin, të cilat mundësojnë hyrjen në marrëveshjet hidrokarbure dhe kryerjen e operacioneve hidrokarbure sipas marrëveshjeve të lidhura; ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve të lidhura hidrokarbure; mbikëqyrjen e veprimtarisë minerare, postminerare, hidrokarbure dhe energjetike etj.