Home Aktuale Kolosi i gjuhës, Akademik Idriz Ajeti i pret bashkëvendësit e tij nga...

Kolosi i gjuhës, Akademik Idriz Ajeti i pret bashkëvendësit e tij nga Shoqata Humanitare “Medvegja”

208
0
SHARE

Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, në krye me Zenel Nezirin, kryetar, i bëri një vizitë Akademik Idriz Ajetit, me ç’rast atij iu dorëzua mirënjohja me motivacion “Personalitet i Shekullit”, e ndarë ditë më parë në manifestimin tradicional “Ditët e Diasporës”, të mbajtur në Banjë të Siarinës, më 5 gusht.

Shkruan: JONUZ FETAHU

Bashkëvendësit mërgimtarë, të tubuar rrethShoqatës Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, tanimë disa vite me radhë e sponsorizojnë manifestimin tradicional “Ditët e Diasporës”, i cili mbahet në Banjë të Siarinës.

Ky manifestim u organizua edhe këtë vit, dhekëtë ditë Banja e Siarinës e përjetoi një ditë të veçantë: ajo ishte e mbushur me shqiptarë, shumica mërgimtarë, ndërsa ngjasonte në ato vitet e paraluftës së Kosovës, kur aty flitej pothuajse vetëm shqip.

Atë mbrëmje u mbajtën fjalime, pati këngë e valle, pati lot malli e mallëngjimi, por pati edhe nostalgji dhe revokim kujtimesh për vendlindjen e secilit prej të pranishmëve. Mbi të gjitha, këtë ndjenjë e shprushi aktori i mirënjohur i skenës dhe teatrit, Çun Lajçi.

Përveç tjerash, Shoqata Humanitare “Medvegja” me këtë rast dekoroi me mirënjohje individë dhe subjekte të ndryshme, në shenjë angazhimi dhe përkrahjeje të aktiviteteve humanitare që i zhvillon kjo shoqatë,ndër të cilët edhe Akademik Idriz Ajetin, me motivacion “Personalitet i Shekullit”, mirënjohje të cilën pak ditë më vonë Kryesia e kësaj shoqate, përkatësisht kryetari Zenel Neziri dhe anëtari Zenjullah Namani e morën mundin që atë t’ia dorëzojnë në dorë akademikut Ajeti në banesën e tij, në Prishtinë.

Kolosi i gjuhës shqipe stoik dhe i urtë

Në banesën e tij në Prishtinë, në rrugën “Agim Ramadani”, kolosi i gjuhës, Akademik Idriz Ajeti i pret bashkëvendësit e tij mërgimtarë së bashku me bashkëshorten e tij, e shtyrë gjithashtu në moshë. Gjuhëtari i spikatur e respekton me xhelozi mikpritjen për njerëzit e vendlindjes së tij. Edhe pse i shtyrë në moshën njëshekullore, ai qëndron stoik dhe i pakërrusur sikur në vitet e tij më të mira.

Derisa bashkëshortja sjell pijet për “mysafirët”, Akademiku ngulit sytë me llupën e tij në rreshtat e monografisë për tri dekada punë të shoqatës humanitare. Dhe teksa kryetari Neziri rrëfen për aktivitetet në fushën humanitare, atij sikur i bëhet zemra mal, gjë që reflektohet në buzëqeshjen engjëllore.

“Personalitet i Shekullit”, mirënjohje për njeriun 100-vjeçar

Në murin e dhomës ku bashkëbisedojmë rri e varur një orë me mbishkrimin “Akademikut Idriz Ajeti për 90-vjetorin e datëlindjes – Nga SHPH ‘Medvegja’, Zvicër”. Ajo tanimë e ka bërë një dekadë të plotë që rri e varur aty dhe sikur nuk do t’ia dijë që Akademiku tani e ka mbushur plot një shekull jetë.

Dhe kryetari Neziri e anëtari Namani e pyesin me humor sesi Akademiku e ka ndalur kohën dhe sikur nuk do të dëgjojë për 100 vjetët që i mbart mbi supe, ndërkaq si përgjigje ai buzëqesh lehtë.

“Idrizi ha ushqim në mënyrë të rregullt dhe me masë. Çdo racion e shoqëron me mjaltë natyrale. Fle dhe pushon me orar. Është i urtë dhe shumë i sjellshëm. Një engjëll i vërtetë”, rrëfen bashkëshortja, teksa i rri afër dhe i gjendet pranë në çdo sekondë të çmuar të jetës së Akademikut.

Kur e kupton se shoqata e ka nderuar me një mirënjohje edhe për datëlindjen e tij të 100-të, me motivacion “Personalitet i Shekullit”, ai ngrihet në këmbë sikur të jetë në moshën më të mirë të djalërisë së tij. Nuk ka dyshim se këtë e çmon si njërën ndër dhuratat më të çmuara. Këtë e shpreh edhe në gatishmërinë e tij që të shkrepë aparati sa herë që “mysafirët” duan ta bëjnë këtë. Dhe kjo e shkrepur është kujtim me vlerë të artë.

Mal librash gjithandej

Ndërsa bisedojmë dhe shprehim mendime për fatin e vendlindjes sonë, e cila fatkeqësisht është e braktisur pas luftës në Kosovë, vëmendja përqendrohet të librat e shumtë, me të cilat Akademiku e ka mbushur çdo kënd të banesës së tij.Ato janë stolia më e bukur e gjithë atij ambienti. Dhe, Profesori kërruset e i merr ato pa vështirësi. Madje edhe i shfleton e i lexon. Edhe pse është 100-vjeçar.

Në ndarje, Akademiku na falënderon shumë për këtë vizitë, ndërkaq ne e urojmë që ta gjejmë kështu të fortë edhe shumë vite në vazhdim. Ai është mburrje dhe krenari shqiptare, ndërsa emblemë dhe simbol i veçantë i Anamedvegjës, për ç’gjë e dekoroi edhe Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës.