Home Aktuale Këtë javë shpallet konkursi plotësues në UP

Këtë javë shpallet konkursi plotësues në UP

130
0
SHARE

Senati i Universitetit të Prishtinës do të mblidhet gjatë kësaj jave për të miratuar propozimet nga Fakultetet për vendet e lira, në mënyrë që të shpallet konkursi për pranim të studentëve në afatin e dytë.

Këshilltari për media në rektoratin e UP-së, Adem Beha, tha për Radio Kosovën, se sot është mbledhur kolegjiumi i dekanëve për të diskutuar për proceset e tanishme në Universitet.

Ai tha se në afatin e dytë nuk do të ketë numër shtesë të studentëve që do të pranohen.

“Vetëm ato departamente ku nuk është plotësuar numri i paraparë i studentëve do të shpallet konkurs”, tha Beha.

Sipas tij, shpallja me vonesë e konkursit për afatin e dytë shkakton probleme në këtë proces.

“Kjo shtyrje natyrisht e pengon procesin, për shkak se punët janë të mëdha. Prioritetet e rektorit janë të qarta jo vetëm në pranimin e studentëve por edhe në fillimin të një procesi të paketave reformuese në fakultetet dhe menaxhimin ndryshe të Universitetit”, theksoi ai.

Ndërkohë, konkursi për afatin e dytë është dashur të shpallej javën që shkoi, por një grup studentësh të mbështetur nga Parlamenti i Studentëve kanë penguar mbledhjen e senatit, ku ishte paraparë të merrej vendimi për shpalljen e konkursit.