Home Kulturë Kabashi flet për çmimin si “Aktori më i mirë” në “Angers Film...

Kabashi flet për çmimin si “Aktori më i mirë” në “Angers Film Festival”

110
0
SHARE

Është një ndër aktorët kosovarë më aktivë në kinematografi. Astrit Kabashi ndër vite ka dëshmuar pjekuri e seriozitet, i cili me rolet e tij në seri, shfaqje teatrale, filma të ndryshëm, e po ashtu edhe si regjisor ka arritur të fitojë titullin e një prej artistëve më të mirë në vend.

2015-ta ishte një vit mjaft produktiv për aktorin, pasi u pa të luajë në filma kosovarë, por duket se gjithçka u shpërblye me fillim të vitit 2016. Në rolin kryesor u shfaq në filmin e metrazhit të gjatë “Babai” me regji të Visar Morinës, film ky i cili tashmë është bërë i njohur anekënd botës dhe deri tani ka arritur të rrëmbejë rreth 18 çmime ndërkombëtare në festivale të ndryshme në botë.

Një çmim tjetër për filmin kosovar “Babai” ka ardhur nga Franca. Pikërisht aktori Astrit Kabashi është shpallur “Aktori më i mirë” në festivalin francez të filmit “Angers Film Festival”.

Ai është shpërblyer për rolin e Gëzimit në filmin e bazuar në rrëfime reale, duke sjellë në ekran një histori të Kosovës së viteve ’90. Ai sjell thellësinë e një djaloshi që na merr nëpër një udhëtim të shpresës, dëshpërimit dhe hakmarrjes.

Pjesëmarrja në këtë film, thotë Kabashi, e bëri atë të ndihet krejt ndryshe. Një eksperiencë të mirë e ka cilësuar edhe bashkëpunimin me regjisorin e filmit si dhe me aktorin e ri, Val Maloku.

Kabashi gjithashtu ishte pjesë e filmit të metrazhit të shkurtër “Shok”, i cili u bë filmi i parë kosovar që depërton në ceremoninë më prestigjioze të ndarjes së shpërblimeve kinematografike botërore “Oscar”. Sipas tij, ky është një sukses i madh jo vetëm për filmin, por edhe për gjithë artistët kosovarë.

Nga të gjitha këto angazhime artistike aktori thotë që në film ndihet më së miri, duke mos anashkaluar edhe familjen që i jep energji dhe inspirimin për të dalë i suksesshëm.

Në anën tjetër, ai tashmë është në përgatitje të një projekti filmik.

Ndër të tjera, aktori, i cili po ashtu është edhe profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ka folur edhe për talentin e aktorëve të rinj, ndërsa ka thënë se është burim i pashtershëm, prandaj, çdo gjeneratë e re që vjen ka më shumë aftësi dhe janë më seriozë.

Në gjithë këtë periudhë kohore aktorin Astrit Kabashi e presin shumë punë, e pse jo edhe çmime të tjera si aktor në dy filma kosovarë, “Babai” dhe “Shok”.