Home OPIONIONE Jeta me këste

Jeta me këste

209
0
SHARE
Nga Brikenda Rexhepi – Kosovarët më së miri dinë të tregojnë për jetën me këste. Pak ka të tillë që nuk e kanë provuar, edhe pse kanë paguar kamata të larta. Derisa bankat kanë thyer rekorde të normës së interesit në kredi në rajon e Evropë, shteti i Kosovës thyen rekordet e varfërisë e papunësisë.
Dikush për dru që ta kalojë dimrin e dikush për të shkuar në skijim; dikush për frigorifer e dikush për veturë të re; dikush për një banesë e dikush për rezidencë; dikush për të mbuluar borxhe e dikush për të investuar; dikush për citostatikë e dikush për botox… merr një kredi. Kredi kosovarët kanë marrë edhe për të ikur në azil. Që nga paslufta në Kosovë janë kredituar mbi 8 miliardë euro – për 12 vjet, pesë buxhete 1.6-miliardëshe të shtetit.

Kosovarët më së miri dinë të tregojnë për jetën me këste. Pak ka të tillë që nuk e kanë provuar, edhe pse kanë paguar kamata të larta. Derisa bankat kanë thyer rekorde të normës së interesit në kredi në rajon e Evropë, shteti i Kosovës thyen rekordet e varfërisë e papunësisë.

Qytetarët janë në luftë sot me sistemet zhvatëse në favor të të cilave ose bëhen rregullat e ligjet, ose, në rastet kur nuk bëhen në favor, dështon ndjekja e shkelësve. Institucionet janë vënë në shërbim të udhëheqësve të tyre, të cilët kanë arritur të bëjnë milionat, derisa dështimet në secilin sektor të funksionit të shtetit vazhdojnë ta mbajnë nivelin e riskut në Kosovë të lartë si për bankat, ashtu edhe për investitorët tjerë të huaj. Realiteti i hidhur është se një mjedis i tillë është jo veç i pranueshëm, por i favorshëm për banka, e për investitorët tjerë, që do të mundësonin hapjen e më shumë vendeve të punës dhe të përkrahnin zhvillimin ekonomik, është veç i papranueshëm.

Bankat nuk kanë faj që profiti i tyre në Kosovë është ndër më të lartit në rajon, me fjalë të tjera që qytetarët e këtij shteti shtrydhen më shumë se të tjerave; nuk kanë faj që u mundësohet ta vlerësojnë riskun e lartë si para, ashtu edhe pas bërjes shtet, dhe pavarësisht nivelit të ulët të kredive të këqija; që i rrjepin konsumatorët me provizione në shërbime; që ua luajnë lojën e kamatave mbi kamata; që i ndryshojnë normat e interesit në kredi e depozita, ashtu që fitimin maksimal ta nxjerrin padiskutueshëm në anën e tyre; që konsumatorëve t’u garantohen vetëm 4.000 euro depozita… Në një shtet ku nuk ka sundim ligji, nuk ka para e as strategji zhvillimore, bankat megjithatë mund të mburren se janë e vetmja derë ku qytetarët mund të trokasin për një injeksion mbijetese apo luksi.

Megjithatë, mundësinë e një pozicionimi të këtillë cinik e ka krijuar vetë shteti i Kosovës, si nëpërmjet Bankës Qendrore, që i ka lejuar bankat përherë ta luajnë lojën e vet, ashtu edhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë, që nuk kanë ngritur kurrë strategji e fonde përkrahëse të bizneseve e sektorëve me potencial. Ua ka mundësuar edhe sistemi i dështuar i drejtësisë, i cili tashmë është bërë pretekst universal për të gjitha vendimet e dhimbshme për dhe rreth Kosovës. Pra këtë mjedis si tërësi e ka krijuar shteti i Kosovës po ashtu si tërësi.

Dhjetë është numri i bankave që operojnë në Kosovë. Asetet e tyre e kalojnë shifrën 3,3 miliardë. Për 15 vjet ato kanë arritur të krijojnë pasuri më të vlefshme se të secilit sektor tjetër në Kosovë. Fitimi i pastër i tyre mbërrin në 400 milionë. Një të tretën e këtij fitimi e kanë arritur gjatë dy vjetëve të fundit, me potezin strategjik të uljes së kamatës në kredi, që në shikim të parë duket si hap në favor të konsumatorëve. Nga 14-15 për qind në vitet 2007-2010, kjo normë tash është 8.2, ndonëse ende pjesa më e madhe e kredive vazhdon të mbetet me norma më të larta siç kanë qenë kur janë lëshuar kreditë. Kjo ngase politikë e bankave është që në kredinë ekzistuese aplikohet vetëm ngritja e normës, jo edhe rënia. Potezi strategjik, megjithatë, nuk ka të bëjë me faktin që ka ardhur koha e zbritjes së kamatave në kredi, por se vlera e depozitave është ngritur. Andaj ka pasuar edhe ulja e kamatave në depozita. Nga 5,5 për qind, sa ka qenë më parë, tash është 0,5 për qind. Në 11 muaj të vitit 2015, janar-nëntor, sipas të dhënave të BQK-së, bankat kanë arritur profit prej mbi 81 milionë eurosh, duke e bërë sektorin bankar më profitabil se ata të telekomunikacionit e energjetikës.

Ky fitim, megjithatë, nuk vjen veç si pasojë e këtyre potezave strategjikë të bankave, të cilat sipas interpretimeve të BQK-së janë të lejueshme. Në vitin 2015 edhe të hyrat nga tarifat dhe komisionet, pra shërbimet e bankave, kanë shënuar rritje. Nga rreth 40 milionë, sa ka qenë ndër vite, në 42,5 milionë. Ndërsa nuk kanë munguar dyshimet për marrëveshje të brendshme në sektorin bankar për caktimin e tarifave për shërbime dhe norma të interesit, gjë që shoqata e bankave e mohon, e BQK-ja thotë se sektorin e ka në monitorim. Kurse, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që është institucioni i vetëm kompetent për hetimin dhe parandalimin e marrëveshjeve të kundërligjshme, nuk është fare funksional prej vitit 2011. Ajo që dihet sigurt megjithatë është se motivi të cilin bankat e përmendin për aplikimin e tarifave në shërbime në raste del të jetë një gënjeshtër. Derisa thonë që kjo bëhet për të inkurajuar konsumatorët të shfrytëzojnë bankomatët apo e-banking, një dialog mes një klienti të frustruar dhe një zyrtari të një banke është ilustrues:

Klienti: Banka nga e cila i kam transferuar paratë me e-banking m’i ka marrë 0,75 euro për transfer, që është OK. Ju m’i keni marrë 2,50 euro, që paratë i kam sjellë te ju (bëhet fjalë për qindra euro). Ku është logjika këtu?

Zyrtari i bankës: Kjo është politikë financiare (në stilin “ku merr vesh ti?”).

Klienti: Politikë e kujt?

Zyrtari: E bankave.

Klienti: E cilave banka?

Zyrtari: E bankave.

Klienti: Kush e ka bërë këtë politikë?

Zyrtari: BQK-ja i cakton rregullat.

Klienti: Do të thotë që unë duhet të shkoj ta kërkoj logjikën në BQK? Do të thotë BQK-ja ua ka caktuar bankave tarifën për pranim parash me e-banking trefish më të madhe se për transfer?

Zyrtari: Jo, BQK-ja na lejon bankave që të caktojmë vetë tarifat.

Klienti: Atëherë, pra, cila është logjika?

Zyrtari: Është në diskrecion të bankës.

Klienti: A ua ka lejuar edhe këtë BQK-ja?

Zyrtari: Po.