Home Aktuale Janjiq: Mustafa është negociues serioz – dialogu me të do të jetë...

Janjiq: Mustafa është negociues serioz – dialogu me të do të jetë më sfidues se me Thaçin

579
0
SHARE

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka thënë se takimi i nesërm në Bruksel do të jetë njëfarë rishikimi i asaj se çfarë është arritur nga marrëveshjet e çka jo, sikurse edhe çfarë do duhej bërë më tutje.

Janjiq ka thënë se Mustafa është negociues serioz dhe se, sipas tij, dialogu me të do të jetë shumë më sfidues sesa ai me Hashim Thaçin, pasi që, sipas tij, Mustafa që nga mosha e re ka praktikuar edhe me gazetarinë, por edhe me politikën.

“Edhe në moshë të re, ai ka praktikuar edhe me gazetarinë edhe me politikën. I vetmi person i ri në këto bisedime është Mogherini, e cila nuk ka pasur përvojë për Ballkanin. Do të jetë interesante të shihet nëse do të ketë ndryshime në metodologji – pres se do të ketë – është energjike, e re, nuk vrapon pas çmimit Nobel… por duhet ndryshuar metodologjinë”, ka potencuar Janjiq në një bisedë me televizionin publik të Serbisë, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se në takimin e nesërm ka tema konkrete, siç është “gjykata në Mitrovicë, çështja e statutit të përfaqësimit të bashkësisë së komunave dhe natyrisht, marrëveshja për hekurudha dhe telekomunikim”.

Sipas vlerësimit të tij, do të arrihet marrëveshje politike, nuk do të ketë bojkotim të institucioneve dhe do të gjendet një zgjidhje tjetër për krizën e krijuar në Prishtinë dhe për zëvendësimin e [Alekandër] Jabllanoviqit.

Janjiq mendon se do të diskutohet edhe për ndërmarrjet publike, por që çështja e “Trepçës” nuk do të jetë temë e diskutimit.

“Për sa i përket “Trepçës”, këtë çështje e ka ngritur qeveria e Kosovës me kërkesë të ndonjë prej ambasadave të huaja në mënyrë që të ketë fuqi negocimi… Nuk besoj se “Trepça” do të jetë temë diskutimi”, ka thënë mes tjerash Janjiq.