Home Aktuale Janjiç:Pas zgjedhjeve, serbët do të provojnë ndarjen e Kosovës

Janjiç:Pas zgjedhjeve, serbët do të provojnë ndarjen e Kosovës

97
0
SHARE

Analisti beogradas, Dusan Janjiç thotë se, serbët e veriut të Kosovës, mund të krijojnë një Kuvend paralel me atë të Kosovës. Ai paralajmëron edhe ndarjen e Kosovës në lumin Ibër.

Në një prononcim për lajmi.net, Janjic tha se pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, përfaqësuesit politikë të veriut të Kosovës, në bashkëpunim me Beogradin, mund të publikojnë idenë e krijimit të një institucioni udhëheqës paralel me Kuvendin e Kosovës, ose mundësinë e ndarjes.

Sipas tij, deri te ky përfundim është ardhur si pasojë e paqartësive në Marrëveshjen e Brukselit të arritur në prill të vitit të kaluar.

Janjiç ka fajësuar Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e cila ka qenë ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, që sipas tij, nuk ka qenë konkrete në formulimin e marrëveshjes në mes të dy palëve.

Ai tha se Brukseli si ndërmjetësues në krye me baroneshën Ashton, janë manipuluar nga grupi bisedues i Serbisë, duke lënë kështu shumë gjëra të paqarta lidhur me formimin e Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Janjiç përmendi edhe zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, si përçarjen në mes të BE-së dhe Rusisë, që sipas tij, ndikojnë në ngritjen e hezitimit të shtetit serbë për rrugën drejtë integrimit, e që si pasojë, ndikon edhe në politikën e tyre ndaj Kosovës.

“Njëra nga problemet ka të bëjë me aspektin politik. Pas përplasjeve në mes të BE-së dhe Rusisë dhe qeveria në Serbi, ndoshta mendon se duhet të insistohet në ndarjen e Kosovës”.

“Formimi i Kuvendit paralel në veri të Kosovës, është krijuar si mundësi nga Marrëveshja e Brukselit në prill të vitit të kaluar. Ky është një gabim i madh i Përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton, dhe palës nga Kosova”.

“Me idenë që të integrojnë veriun, ata kanë vendosur që të krijojnë Bashkësinë e Komunave Serbe të përbërë nga katër komunat në veri, dhe serbët do të shfrytëzojnë këtë mundësi që të krijojnë një institucion të tillë paralele. Pala serbe në bisedime me Kosovën, e ka manipuluar Brukselin. Ata në marrëveshjen e prillin kanë lejuar aq shumë paqartësi në mënyrë që t’iu mundësohet që ta luajnë këtë lojë. Janë dy skenarë, i pari është normalizimi me respektimin e ligjeve të Kosovës, përmes komunave, ndërsa tjetri është rifillimi i përdorimit të lojës për ndarjen e Kosovës në lumin Ibër. Këtu është gabimi thelbësor i Catherine Ashton që nuk është arritur që të sqarohet me muaj të tërë”.

Duke komentuar mospërcaktimin e partive politike në veri, për të marrë ose jo pjesë në zgjedhjet e së dielës, Janjiç tha se Lista “Serbe”, po i shfrytëzon bisedimet me Kryeministrin e Serbisë si një fushatë në vete për votuesit serbë të Kosovës.

Ai nuk pret që pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje të jetë më e madhe se në zgjedhjet e kaluara lokale.