Home Aktuale Izolohen fshatrat e Malësisë së Shkupit dhe Karadakut

Izolohen fshatrat e Malësisë së Shkupit dhe Karadakut

124
0
SHARE

Mbi 600 banorë nga fshatrat Brezë, Malinë, Tanushë, Llukarë, Goshincë dhe Strimë,  një javë rresht janë të izoluar nga çdo lidhje me botën e qytetëruar.

Ata apelojnë deri te institucionet zyrtare që sa më shpejt të veprojnë në drejtim të sigurimit të kushteve normale për furnizim me gjërat elementare për ushqim sikur për njerëzit, po ashtu edhe për bagëtitë e tyre.

“Ushqimi dhe ilaçet nuk njohin gjuhë apo komb, andaj edhe këta banorë shqiptarë të cilët edhe ashtu jetojnë në kushte të rëndë sociale dhe ekonomike, kërkojnë trajtim të barabartë me qytetarët e izoluar në zonat tjera në Maqedoni, dhe të cilëve shteti po u del në ndihmë. Nëse institucionet shtetërore nuk veprojnë sa më shpejt që këtyre banorëve tu sigurojnë rrugë dhe mënyra për sigurimin e furnizimeve jetësore, atëherë ky izolim mund të merr përmasa katastrofale për këta 600 banorë, mes të cilëve pjesa e madhe janë fëmijë dhe pleq. Paralajmërimi i të reshurave të borës dhe temperaturave të ulta vetëm se do t’i shtojë vuajtjet dhe brengat e këtyre hallexhinjve”, theksohet në reagimin e banorëve të kësaj zone.

Andaj, ata vazhdojnë që të jetojnë nga dita në ditë me shpresë për një zgjidhje sa më të shpejt humanitare, ose përndryshe kanoset boshatisja e plotë e këtyre vendbanimeve.